Radikalizim nga shtatori nëse nuk ka paga më të larta, paralajmëroi kryetari i LSM-së

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Darko Dimovski, paralajmëroi radikalizimin e grevës nga shtatori nëse Qeveria nuk i përmbush kërkesat e tyre, mes të cilave – me rritjen e pagës minimale për 18,4 për qind, të harmonizohen të gjitha pagat tjerat, transmeton Portalb.mk.

“Sipas Ligjit për pagën minimale dhe metodologjisë së re, me rritjen e pagës minimale duhet të përshtaten edhe të gjitha pagat tjera. Pra, paga minimale është rritur për 18.4 për qind dhe në atë zgjidhje ligjore thuhet se brenda gjashtë muajve duhet të rregullohen edhe pagat e tjera. Por e pamë që nuk ndodhi”, tha Dimovski në paraqitjen e djeshme i ftuar në TV Sitel.

Ai theksoi se greva në sektorin publik është akoma në rrjedhë, ndërsa në shtator do të ketë radikalizim sepse sipas Qeverisë ligji iu mundëson harmonizimin e pagave deri në shtator.

“Si partnerë socialë, më 1 maj për herë të fundit kemi pasur një takim me përfaqësues të qeverisë, ku na është premtuar se Qeveria do të përgjigjet dhe do të japë nga 2.860 denarë me ribalancin e buxhetit. E pamë në ribalancimin e Buxhetit, ministri i Financave, Fatmir Besimi, nuk e kishte parashikuar këtë, por filluan të bëjnë disa rritje. Prandaj nga shtatori do të radikalizojmë nëse nuk ndodh kjo rritje”, tha Dimovski.

Ai paralajmëroi se nga shtatori do të thërrasin të gjithë punëtorët, pavarësisht nëse janë të sektorit privat apo publik, të dalin në rrugë.

“I thirrim të gjithë punëtorët në rrugë që të mund së pari të ekzistojmë, të mbijetojmë, sepse siç thotë Qeveria nga shtatori nuk e dimë se çfarë do të ndodhë për shkak të krizës së re të paralajmëruar energjetike, po paralajmërohen kursime, inflacion akoma më i lartë”, shtoi kryetari i LSM-së.

Sa i përket reformave tatimore, ai konsideron se tani nuk është aspak koha për të.

“Pas 1 majit, prej kur u zhduk dialogu social, ne përmes mediave dhe përmes asaj që prezantoi ministri Besimi kuptuam se flitej për një taksë progresive, por mua kjo më ngjan më shumë si një taksë regresive sepse më shumë prek të varfërit sesa të pasurit. Nëpërmjet asaj takse, të ardhurat më të ulëta në paga, nga fitimi i tyredo të tatohen më shumë”, konsideron ai.

Ai theksoi se LSM-ja do t’i propozojë ministrit të Financave Besimi që fitimet e bankave t’i taksojnë me taksë prej 33 për qind, e jo siç tha ai, t’i prekë punëtorët, pensionistët dhe të rinjtë

Lidhja e sindikatave të Maqedonisë, kërkesën për rritjen e pagave po e përsëriti që në prill, menjëherë pasi u miratua rritja e pagës minimale. Mirëpo edhe pas protestave të vazhdueshme para institucioneve të ndryshme, kërkesat e tyre hasën nëë vesh t shurdhër.

LSM shkoi në grevë të përgjithshme pas dështimit të negociatave të fundit me Qeverinë për kërkesat e tyre për rritje lineare të pagave në sektorin publik për 2.806 denarë dhe kthim të së drejtës në rekurs për pushim vjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button