Procesi i fillimit të negociatave ndryshoi “planin e reformës” në Maqedoninë e Veriut

Deri para datës 19 korrik, Maqedonia e Veriut po përgatiste plan tjetër reformash, pasi natyrisht vendi deri në këtë datë konsiderohej vetëm vend kandidat për në BE. Megjithatë pas çeljes në negociatave me BE-në, përkatësisht mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, tashmë çdo plan reformash ka ndryshuar kahje, transmeton Portalb.mk.

Deri më 16 korrik flitej për dokumentin “Agjendën: Evropa në shtëpi” i cili supozohej të vazhdonte/zëvendësohej nga plani i reformës së BE-së. Por siç dihet tashmë, në ndërkohë kemi pasur ndryshim në gjendjen e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, që do të thotë se në atë pjesë tani do të duhet të punohet në udhërrëfyes që do të përcaktojnë reformat dhe këto do të jenë të ashtuquajturat “planet e reformës”.

Nga Sekretariati për Çështje Evropiane thonë se tashmë vendi po fokusohet në procesin e skriningut, i cili do të ketë dy faza, me të cilat duhet të shqyrtohet përafrimi i legjislacionit të vendit me atë të BE-së.

Në qershor të këtij viti, SÇE, për Portalb.mk deklaroi se plani i ri i reformës do të jetë pikë e rendit të ditës në seancat e ardhshme të Qeverisë, pas së cilës do të vendoset në faqen zyrtare të Sekretariatit për Çështje Evropiane. Të pyetur se ku ndodhet tani ky plan, pasi nuk mund ta gjenim në ueb-faqe, në vend të një përgjigjeje konrete, ata deklaruan se tani do të punohet për udhrrëfyesit në procesin e skriningut.

“Siç dihet tashmë, më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca ndërqeveritare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian dhe filloi procesi i skriningut, i cili përbëhet nga dy faza,  skriningu shpjegues – kur Komisioni Evropian do të prezantojë legjislacionin më të rëndësishëm të BE-së për të gjithë kapitujt tashmë të grupuar në klasterë, gjegjësisht, në rastin e vendit tonë, do të bëhet vetëm përditësimi i akteve relevante (duke marrë parasysh që e kemi kaluar tashmë këtë proces në vitet 2018-2019)”, thanë nga SÇE.

Në vijim të përgjigjeve për pyetjet tona, Sekretariati shpjegoi se sipas metodologjisë së re për negociatat e anëtarësimit, skriningu fillon me Klasterin vlerat themelore dhe fokusi do të jetë në përgatitjen e tre udhërrëfyesve që do të duhet të pasqyrojnë angazhimin politik për zbatimin e reformave strategjike kyçe përmes përcaktimit të qëllimeve afatshkurtra dhe afatmesme, përkatësisht:

  • Udhërrëfyesi për sundimin e ligjit (i cili do të jetë edhe përcaktues për hapjen e Klasterit) i cili do të përfshijë reformat në Kapitujt 3.23 Drejtësia dhe të drejtat themelore dhe Kapitulli 3.24 Drejtësia, liria dhe siguria,
  • Udhërrëfyes për funksionimin e institucioneve demokratike (nuk do të jetë kriter për hapjen e Klasterit) i cili do të duhet të përmbajë masa për forcimin e qeverisjes demokratike në të gjitha nivelet në lidhje me punën e Kuvendit, procesin zgjedhor dhe rritjen e pjesëmarrjes qytetare në proceset demokratike
  • Udhërrëfyesi për reformën e administratës publike (që do të jetë edhe përcaktues për hapjen e Klasterit) i cili duhet të fokusohet në ndërtimin e një administrate profesionale në shërbim të qytetarëve dhe në forcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e ligjeve dhe politikave që janë në përputhje me standardet evropiane

Skriningu është një element thelbësor i procesit të negociatave pasi do të na japë një pasqyrë të qartë se ku qëndrojmë dhe çfarë duhet të bëjmë në vitet në vijim në mënyrë që të zbatojmë reformat nga agjenda e BE-së, duke përfshirë përafrimin me ligjin dhe standardet evropiane, ndërtimin e kapaciteteve administrative dhe zbatimi efektiv të legjislacionit të harmonizuar.

Kujtojmë se reformat e përfshira në dokumentin Agjenda: Evropa në shtëpi akoma nuk kanë gjetur zbatim të plotë, dhe megjithatë vendi vendosi ta zëvendësonte me plan tjetër reformash, që konsiderohej si vazhdim i këtij dokumenti. Shumica prej atyre reforma dihet me saktësi se nuk janë zbatuar, disa kanë mbetur në gjysmë rrugë, kurse disa të tjera as nuk kanë filluar. Madje, një pjesë e këtyre reformave të kërkuara, përmenden prej vitesh dhe nuk po zbatohen dhe as ky dokument nuk iu doli në ndihmë.

Në muajin dhjetor të vitit 2021 duhej të përfundonin reforma të tilla si në sferën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, në të drejtat themelore, në media, në liritë, të drejtat dhe siguri, ekonomi, administratë publike, financat publike dhe në mjedisin jetësor, transport dhe energji, por që nuk kanë përfunduar përsëri.

Megjithatë, tashmë me fillimin e negociatave kahja dhe reformat prioritare kanë ndryshuar dhe priten zhvillime kretësisht të reja, për shkak të procesit të skriningut.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button