Dëftesat dhe tekstet kanë ngecur në tenderë para fillimit të vitit shkollor në Maqedoninë e Veriut

As nxënësit, as prindërit dhe as shkollat ​​nuk janë njoftuar se kur do të marrin dëftesat, por tashmë është lidhur një marrëveshje për blerjen e tyre. Ndryshe nga tenderi për blerjen e teksteve shkollore, i cili ende nuk ka përfunduar. Nëse tekstet do të vonohen edhe këtë vit, mësuesit do t’i shpërndajnë sërish tekstet me mësime, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Dëftesat janë për nxënësit kurora e përfundimit të vitit shkollor, por këtë vit ndarja e tyre tradicionale, që zakonisht bëhet në qershor, ka munguar. Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ende nuk dihet se kur nxënësit do t’i marrin dëftesat. Simona Cvetkovska është nënë e dy fëmijëve të shkollës fillore. Aleksandri nga shtatori do të jetë në klasën e tretë, kurse Petar në klasën e shtatë. Thotë se deri tani nuk kanë marrë asnjë njoftim se kur do të marrin dëftesat e fëmijëve, vetëm se notat janë publikuar në ditarin elektronik.

“Në mbledhjen e fundit të prindërve, që u mbajt diku në fund të vitit shkollor, nuk patëm asnjë informacion dhe ende nuk e dimë se kur do të jepen dëftesat. Sinqerisht, fëmijët prisnin se do të ishte para fillimit të pushimeve”, thotë Cvetkovska.

Disa prindër kanë pranuar mesazhe jozyrtare, prej mësuesve në grupet e rrjeteve sociale ku komunikojnë mes veti, se nxënësit do të marrin dëftesat më 30 gusht.

Marrëveshja është nënshkruar më 1 gusht

Byroja për Zhvillimin e Arsimit njoftoi se dhënia e dëftesave do të bëhet deri në fund të vitit shkollor (gusht), duke marrë parasysh të gjitha kushtet në të cilat zhvillohej mësimi në kohë krize dhe përballje me sfidat e përditshme. Por nuk e thonë datën e saktë. Përjashtim, siç theksohet nga byroja, janë dëftesat për nxënësit të cilët duhej të regjistrohen në arsimin e mesëm apo të lartë dhe këto dëftesa tashmë janë dhënë.

Kontrata për blerjen e dëftesave për arsimin fillor dhe të mesëm është lidhur 1 gusht. Tenderin e ka fituar kompania Arbëria Design nga Tetova.

Drejtori i shkollës së mesme “Shaip Jusuf” në Shuto Orizarë, Doan Sulejmanovski thotë se kanë pranuar shkresë nga byroja se deri në fund të gushtit duhet të planifikojnë aktivitete për ndarjen e dëftesave.

“Datë dhe afat fiks nuk kemi marrë nuk e dimë konkretisht kur”, thotë Sulejmanovski.

VMRO-DPMNE opozitare reagon se arsimtarët dhe stafi arsimor po përballen me kolapsin total të sistemit, sepse nuk ka tekste shkollore kurse po vonohet edhe dhënia e dëftesave.

Tenderi për tekstet shkollore është në proces

Afati i fundit për tenderin për blerjen e teksteve për arsimin fillor dhe të mesëm është data 12 gusht. Kjo do të thotë se nesër duhet të hapen ofertat për tekstet e reja dhe të lidhet marrëveshje me ofertuesit e përzgjedhur. Më pas, deri në fillimin e vitit shkollor, mbeten edhe dy javë për përgatitjen dhe shtypjen e tyre.

“Nëse kemi një situatë që tekstet e shtypura të vonohen, do të kemi materiale të shtypura që do të jenë pjesë e atyre teksteve për tremujorin e parë të vitit të ri shkollor”, tha ministri i Arsimit Jeton Shaqiri për TV Sitel.

Janë fletë me mësime që mësuesit do t’ua japin nxënësve në klasë, e në të cilat është mësimi që duhet të mësohet ose ushtrime dhe detyra shtëpie.

Nuk është hera e parë që prindërit duhet të gjejnë mënyra të ndryshme për t’u furnizuar me tekstet shkollore për fëmijët e tyre.

“Vitin e kaluar tekstet i pranuam në fund të gushtit. Në përgjithësi, mungonin vetëm për dy lëndë që duhej t’i printonim shtesë, kurse për këtë vit sinqerisht nuk e di nëse do të ketë diçka që do të na duhet të blejmë shtesë ose nëse do të marrim gjithçka si komplet.” thotë Cvetkovska.

Si arsim i mesëm profesional gjithmonë na kanë munguar tekstet shkollore, thotë drejtori Sulejmani, pavarësisht nëse janë lëndë sipas plan-programit të vjetër apo kurrikula të reja modulare.

“Për mbi 80 për qind të lëndëve nxënësit përdorin tekste të vjetra shkollore sipas kurrikulave dhe programeve të vjetra, kurse tekste të reja nuk kemi”, thekson Suleimani.

Ky do të jetë viti i katërt radhazi që nxënësit në gjimnazin “Shaip Jusuf” të përdorin kurrikulat dhe programet e reja modulare, kurse për një pjesë të madhe të lëndëve nuk ka tekste shkollore. As këtë vit nuk presim tekste dhe siç përfundon Sulejmani, për këtë arsye pëson cilësia e mësimdhënies.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button