A po bëhet ushqimi i shëndetshëm privilegj i të pasurve apo është në dispozicion edhe për ata me xhepa “më të cekët”?

Qytetarët janë shqetësuar nga vala e rritjes së çmimeve që nuk po ndalet kurrsesi. Inflacioni po thyen rekorde dhe arriti në 16 për qind. Është rritur çmimi i bukës, vajit për gatim, produkteve të qumështit, frutave është konkluzioni i Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), shkruan Faktor.mk.

Në kushte të tilla, kur qytetarët ankohen se mezi e kalojnë muajin, shtrohet pyetja vallë po ushqehemi sipas mundësive tona financiare ose po ushqehemi shëndetshëm? A është ushqimi i shëndetshëm në dispozicion për të gjithë apo vetëm për qytetarët më të pasur? Kur bëjmë pazarllëk, a blejmë atë që duam apo i zgjedhim ushqimet më të lira?

“Nuk mund t’ia lejoj vetes gjithçka që dua, por deri-diku ushqehem shëndetshëm”. Nëse produktet e qumështit shtrenjtohen, ne në familje do ta reduktojmë përdorimin e tyre. Besoj se personat që marrin pagën minimale e kanë shumë më vështirë, sepse çdo ditë dëgjoj komente se si ankohen njerëzit se domatet dhe specat janë të shtrenjta”, thotë bashkëbiseduesja.

Nutricionisti M.Sc. Ilija Buzlevski thotë se në nivel botëror çmimet e ushqimeve po rriten, nuk kursehen as vendet e zhvilluara, ndërsa në disa vende të botës ka edhe mungesë të ushqimit. Ai thekson se e mira në krejt këtë është se nënqiellin tonë kemi bollëk ushqimesh të shëndetshme.

“Megjithatë, është shumë e rëndësishme të sqarohet tabu tema, që mbizotëron kryesisht në lidhje me dispozicionin e ushqimit të shëndetshëm dhe çmimin e tij. Në programet e të ushqyerit të shëndetshëm që i krijojmë në qendrën tonë, të gjitha produktet ushqimore që përfshihen janë nga nënqielli jonë e që për fat i kemi me bollëk. Ai ushqim nuk është fare më i shtrenjtë se ai që kushtimisht quhet si ushqim jo i shëndetshme, përkatësisht të ashtuquajturat produkte jo të shëndetshme, por duhet ditur dhe dalluar se cili është ai ushqim, të dihen parimet e kombinimit të atij ushqimi, koha e konsumimit, sasia, marrja e kalorive, mënyra e përgatitjes, etj. Nga ky këndvështrim, pohoj se mënyra e të ushqyerit të shëndetshëm varet para së gjithash nga dëshira dhe gatishmëria jonë, parimi dhe edukimi ynë për ta zbatuar atë”, thotë Buzlevski.

Nëse nuk i kushtojmë rëndësi dietës sonë, në planin afatgjatë do të përballemi me probleme shëndetësore. Sidomos nëse kemi parasysh se pandemia e koronavirusit nuk ka mbaruar, kurse imuniteti është shumë i rëndësishëm.

“Motivimi për jetë të gjatë dhe të shëndetshme duhet të jetë shtytësi themelor për zbatimin e dietës së shëndetshme, prandaj para së gjithash varet nga ne që të zgjedhim nëse do të ushqehemi shëndetshëm dhe kështu do të parandalojmë shumë sëmundje që janë shkaktarë të vdekshmërisë së madhe edhe në përmasa botërore. Me mënyrën jo të shëndetshme të të ushqyerit do të kontribuojmë që trupi ynë të sëmuret apo të mos jetë rezistues ndaj shumë sëmundjeve, pra imuniteti ynë do të lejojë të sëmuremi. Vendimi varet kryesisht nga ne. Rruga e duhur për jetë të shëndetshme dhe të gjatë çon, ndër të tjera, edhe nëpërmjet të ushqyerit të shëndetshëm dhe me buxhet më modest mundemi dhe nëse duam, e kemi dëshirë, jemi parimor të zgjedhim më të mirën për ne, kur bëhet fjalë për mënyrën e të ushqyerit. Mënyra jo e shëndetshme e të ushqyerit, pra kujdesi i pamjaftueshëm për veten, është parakusht për shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme shëndetësore”, shton nutricionisti.

Ai shpjegon se punimet e shumta shkencore nga e gjithë bota flasin për të njëjtën gjë, se mënyra e gabuar dhe jo e shëndetshme e të ushqyerit rezulton me probleme shëndetësore te 70 për qind të popullsisë së botës.

“Sëmundjet më të shpeshta si pasojë e kësaj që u tha më  lartë janë diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, obeziteti, që është sëmundje më vete, por edhe parakusht për sëmundje të tjera, pastaj sëmundjet e veshkave, sëmundjet malinje etj. Sëmundjet kardiovaskulare në nivel botëror shkojnë nga 50 deri në 60 për qind të të gjitha sëmundjeve dhe vdekshmëria e shkaktuar prej tyre është në vendin e parë në botë, veçanërisht në vendet e zhvilluara industriale. Numri i personave që vuajnë nga diabeti është në rritje dhe dieta jo e duhur është një nga faktorët kryesorë për shfaqjen e tij. Siç e përmenda edhe më herët, mbipesha, pra obeziteti në vetvete është një gjendje patologjike, por është edhe terren i favorshëm për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të sistemit lokomotor, diabetit të tipit 2 etj. Hamë për të jetuar dhe ne nuk jetojmë për të ngrënë – është thelbësore! Fjalët e urta mbajnë me vete shumë mesazhe pozitive. Për të pasur sukses në jetë, nevojiten ndër të tjera iniciativë, trup dhe energji e shëndetshme dhe kjo vjen nëpërmjet të ushqyerit. Prandaj njerëzit duhet të ushqehen shëndetshëm, të ndajnë kohë për aktivitete të herëpashershme fizike, të jenë pozitivë dhe përfitimi për shëndetin e tyre do të jetë i madh”,tha Buzlevski.

Ndërkaq, shporta minimale sindikale për muajin korrik ishte mbi 47.000 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button