Nismë për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë, kjo është procedura në të cilën kalon ky proces (VIDEO)

Përmes debatit publik, sot filluan aktivitetet e para për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë, nismë kjo e cila realizohet në bashkëpunim mes Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës. Pavarësisht se në të kaluarën ka pasur tentativë për të ndryshuar të njëjtat, ato ose kanë dështuar ose nuk kanë shkuar deri në fund. Kasami premtoi se procesi nga ana e Komunës do i shkojnë deri në fund, shkruan Portalb.mk.

Kjo nismë parasheh që të ndryshojë emrat e rrugëve dhe institucioneve të lartpërmendura kështu duke pasqyruar realitetin etnik dhe kulturor të Tetovës dhe fshatrave nën këtë komunë.

Profesori Zeqir Kadriu tha se emrat aktual nuk pasqyrojnë realitetin, sipas tij qëllimi nuk është të eliminohen emrat maqedonas.

“Me rëndësi është të përfshimë realitetin etnik të Tetovës. Nuk është në dëm të asnjë partie politike. Shpresojmë që me përkrahje do ja dalim deri në fund duke i ndjekur procedurat ligjore”, tha Kadriu duke shtuar se më parë nuk kanë pasur përkrahje ndërsa tani kanë nga komuna dhe pikërisht për këtë arsye edhe kjo nismë vjen në këtë kohë.

Sipas propozimeve fillestare të kësaj shoqate, emrat e propozuar janë emra rilindësish, qytet shqiptare, emra të rinj dhe të tjerë, madje edhe emra nga grupet tjera etnike që jetojnë në Tetovë.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë që në të kaluarën ka pasur edhe nisma të tilla të cilat nuk kanë përfunduar deri në fund. Në Tetovë ka raste kur një rrugë është e emëruar nga Komuna me emër tjetër ndërsa nga institucionet qendrore është e regjistruar me emër tjetër.

Këtë e theksoi edhe kryetari i Komunës së Tetovës, duke thënë se nismës do i shkojnë deri në fund dhe se parashohin që brenda vitit të përmbyllet si proces.

“Në të kaluarën ka pasur disa tentativa për ndryshimin e disa rrugëve por që asnjëherë nuk kanë rezultuar me një projekt të kompletuar, dhe si rezultat i kësaj në Tetovë ballafaqohemi me plotë rrugë të cilat janë me dy emërtime dhe te qytetarët krijon konfuzion se cili emër është zyrtar.  Është projekt kompleks me shumë institucione”, tha Kasami duke shtuar se nëse  institucionet tjera nxjerrin pengesa në këtë drejtim, përgjegjësia duhet të kërkohet prej tyre.

Ndërkaq edhe pse sot nuk ishin pjesëmarrës në debat entitetet tjera, Kasami tha se ato do jenë të përfshira në proces. Pasi për të kaluar të njëjtat në këshill duhet të ketë shumicë edhe të etniteteve tjera.

“Patjetër që do të jenë të përfshira të gjitha kategoritë e qytetarëve që janë të interesuar dhe i tangon emërimi i rrugëve dhe institucioneve tjera në nivel lokal. Besoj se në këshill do gjejmë gjuhë të përbashkët që reflektojnë realitetin dhe ky proces të mbarojë me sukses. Kur të formohet këshilli komunal do të kërkohet që të formohet komisioni për këtë rast ku janë të përfshira të gjitha etnitetet”, përfundoi Kasami.

Iniciativa Qytetare “Muzeu Virtual i Tetovës” ka përshëndetur këtë nismë të komunës duke shfaqur edhe pakënaqësi.

“Ndjehemi të obliguar të reagojmë dhe të shprehim zhgënjimin tone dhe mospërfilljen nga ana e institucionit komunal pasi po e njejta iniciativë është ndërmarë edhe nga ana jone në Janar të këtij viti dhe fatkeqësisht nuk patëm asnjë përkrahje institucionale për çështjen në fjalë apo ndonjë lloj bashkëpunimi rreth të njejtës”, deklarojnë nga kjo Iniciativë, duke shpresuar që kjo mos të përsëritet në takimet e radhës.

Ndonëse duket një proces i lehtë, praktika thotë se kjo lë shumë për të dëshiruar

Prapa skenës së polemikave se si duhet të “pagëzohen” rrugët e qyteteve, autoritetet komunale zbatojnë procedura administrative, të cilat shpesh janë të mbështjella me rrethana apo interesa politike, por të cilat nuk mbarojnë gjithmonë deri në fund. Pikërisht kjo u shkakton qytetarëve probleme të natyrës burokratike, të cilat janë karakteristik për vendin tonë, i cili po ecë me hapa të ngadaltë drejt digjitalizimit.

Shembull tipik i mungesës së ndërlidhjes së institucioneve në mënyrë elektronike është rasti me emërtimin e rrugëve. Komunat dhe Qyteti i Shkupit janë të detyruara me ligj të kenë regjistra me emrat e rrugëve të tyre dhe të njëjtat t’i përditësojnë, në të kundërtën, për to parashikohet gjobë prej 20.000 deri në 30.000 denarë.

Regjistri ku janë të evidentuara të gjitha emrat në vend quhet Regjistri i Adresave dhe menaxhohet nga Regjistri Qendror. Në Maqedoni, realisht ka dy lloje të evidencave të adresave, atë që e menaxhojnë komunat (për përdorim të brendshëm) dhe Regjistri Qendror (publik).

Konfuzioni krijohet kur komunat i ndryshojnë emrat e rrugëve dhe më pas nuk i kryejnë procedurat e nevojshme për t’i evidentuar të njëjtat te Regjistri Qendror, si dhe kur regjistrat adresave nuk i përditësojnë. Kjo, praktikisht krijon tollovi administrative ku një rrugë e caktuar në komunë evidentohet me një emër të caktuar (të ri), ndërkaq në Regjistër Qendror me emër tjetër (të vjetër). Ligjërisht, emri i një rruge që nuk është i evidentuar në Regjistrin Qendror, nuk është i vlefshëm.

Cila është procdura e ndryshimit të emrava të rrugëve?

Sipas ligjit, ndryshimi i emrave të rrugëve duhet të kalojë nëpërmjet një procesi, i cili niset nga komuna, me pajtimin qeverisë përfundon në Regjistrin Qendror, i cili më pas e shpërndan njoftimin te MPB, Enti i Statistikës dhe Kadastra.

Nëpërmjet infografikut të mëposhtëm do të tregojmë rrugëtimin për të ndryshuar emrin e një rruge.

Procedura e ndryshimit të emrit të rrugëve
Procedura e ndryshimit të emrit të rrugëve, foto: Suad Bajrami

Siç mund të shihni, ndryshimi i emrit të një rruge kalon nëpër disa faza për të cilat ka afate të përcaktuara me ligj. Komuna, miraton propozimin e emrave në Këshill dhe e dërgon propozimin në Qeveri. Pastaj lista kthehet në Këshill Komunal dhe votohet për miratim. Në afat prej 8 ditëve lista bashkë me dokumentacionin dorëzohet në Regjistrin Qendror, i cili në afat prej 15 ditëve do të duhet të regjistrojë emrin e ri të rrugës së caktuar. Pas ndryshimit, në afat prej 3 ditëve, Regjistri Qendror dorëzon njoftim për ndryshimin në MPB, Kadastër dhe Entin e Statistikave.

Ky do të ishte proces normal, por autoritetet komunale shpesh këtë proces nuk e respektojnë, në fakt sipas një prezantimi të Agjencisë së Kadastrës ku gjatë vitit 2018-të kanë mbajtur një punëtori për vendosjen e Regjistrit të Adresave në Republikën e Maqedonisë, 40% e komunave të vendit tonë nuk kanë vepruar sipas obligimeve ligjore për t’i transferuar të dhënat te Regjistri Qendror.

Qytetarët e paguajnë mungesën e interoperabilitetit mes institucioneve

Pavarësisht se në Maqedoninë e Veriut ekziston Platforma e Interoperabilitetit apo ndërlidhjes, sipas të cilës organet shtetërore, institucionet dhe kompanitë e biznesit duhet shkëmbejnë të dhëna mes tyre, kjo në praktikë funksionon pjesërisht. Ndryshimi i emrave të rrugëve, duke mos i përditësuar regjistrat, qytetarëve u shkakton kokëdhembje shtesë, ekspozohen ndaj procedurave administrative dhe duhet të enden nëpër sportele për të nxjerrë “vërtetime” për të cilat harxhojnë para.

Ana tjetër e medaljes është se këto ndryshime, i detyrojnë qytetarët të ngatërrohen në procedura burokratike, ku institucionet u kërkojnë qytetarëve “vërtetime” për të dëshmuar se rruga që e kanë në një dokument të caktuar e ka ndryshuar emrin. Problemi thellohet pasi që ndodh kur, një rrugë ka pësuar ndryshime disa herë dhe këto ndryshime komunat ndodh që nuk i paraqesin në Regjistrin Qendror apo nuk i përditësojnë regjistrat e tyre. Thënë me gjuhën popullore, emrat i ndryshojnë për populizëm, ndërkaq qytetarët heqin pastaj të zinjtë e ullirit për t’i shkatërruar nyjat e burokracisë administrative.

Në fakt, Kadastra nuk është e lidhur edhe me Regjistrin e Adresave të Regjistrit Qendror, e regjistri qendror nuk është i lidhur me regjistrat e adresave të komunave.

Agjencia e Kadastrës posedon regjistër grafik për emrat e rrugëve dhe numrat e shtëpive, e cila paraqet plotësim me të dhëna gjeohapësinore të të dhënave që Agjencia sipas detyrës zyrtare i merr nga Regjistri i Emrave të rrugëve dhe numrave të shtëpive që udhëhiqen në Regjistrin Qendror.

Kjo mungesë e ndërlidhjes, u krijon edhe probleme shtesë në rastet kur ndryshohen emrat e rrugëve, pasi që qytetarët nëse duan t’i regjistrojnë pronat e tyre me emrin e ri, për këtë vetë duhet të angazhohen dhe të paguajnë.

Emrat e rrugëve, Agjencia për Kadastër dhe Patundshmëri i regjistron në fletëpronësi të patundshmërive vetëm në bazë të dorëzimit të bazës juridike e cila lëshohet nga organet përkatëse. Sipas Kadastrës, nëse për një patundshmëri nuk dorëzohet e dhënë për emrin e rrugës dhe numrin, në fletëpronësi hapësira me emrin e rrugës do të jetë e zbrazët.

Nëse një qytetarit i është ndryshuar emri i rrugës ku banon dhe nëse ai dëshiron që t’i përditësojë të dhënat në fletëpronësinë e tij, ai duhet që fillimisht të shkojë në komunën ku jeton, të marrë vërtetim se është ndryshuar emri i rrugës dhe pastaj të shkojë në Kadastër. Për çdo ndryshim duhet të paguhet nga 300 denarë, ndërkaq afati për nxjerrjen e dokumentit është 7 ditë.

“Vërtetim” për dokumente identifikimi, vetëm kur ndryshohet numri i shtëpisë

Dokumentet e identifikimit dhe udhëtimit, pra letërnjoftimi apo pasaporta vlejnë deri në afatin e skadencës, pavarësisht nëse ndryshohet emri i rrugës. Nga MPB për Portalb.mk kanë shpjeguar se vetëm në rast se komunat e ndryshojnë numrin shtëpiak, atëherë qytetarët duhet të dorëzojnë vërtetim nga komuna.

Për dallim prej Kadastrës, Ministria e Punëve të Brendshme është e lidhur me Regjistrin Qendror të Popullatës, ku mes tjerash, janë të vendosura edhe regjistrat e rrugëve dhe adresave.

Ndryshe, në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit  me qytetarë kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button