Dy dekada

Marrëveshja kornizë e Ohrit, e nënshkruar me 13 Gusht, 2001, këto ditë po bën plot 21 vjet të ekzistencës së saj. Me fjalë tjera, ajo ka arritur moshën e pjekurisë së plotë, nëse të njejtën do ta llogaritnim si një individ tani më të pjekur, që është i gatshëm të përballet me sfidat e jetës. Mund të thuhet që marrëveshja ka pasur një fëmijëri dhe rini të vështirë, me shumë telashe dhe me shumë pengesa të cilat është dashur t’i kalojë një nga një. Për ata që e kuptojnë rëndësinë e saj, kjo marrëveshje ka mundësuar që një shtet të mbijetojë dhe të bëhet më i fortë dhe më i qëndrueshëm.

Pas kësaj periudhe njëzetenjëvjeçare, është interesante të kujtohemi sa shumë skepticizëm dhe mosbesim kishte ndaj kësaj marrëveshje me të cilën përfundoi një konflikt i armatosur. Rrallë ka ndodhur që një dokument të demonizohet deri në atë shkallë sa të perceptohet si shkrepsa që përfundimisht do ta ndezë gjithë shtetin dhe do ta shkatërrojë atë. Frika është emocion i fuqishëm, veçanërisht kur një komunitet duhet t’i fitojë të drejtat që i takojnë për të qenë njeri dhe për ta kultivuar identitetin e vetë. U deshën vite të tëra dhe tejkalim i shumë sfidave që kjo Marrëveshje të zbatohet, dhe edhe sot e kësaj dite ende mund të dallohen vende ku e njëjta nuk aplikohet në tërësi.

Duke qenë se Marrëveshja Kornizë e Ohrit u përgatit dhe u nënshkrua në një proces politik të mbikëqyrur dhe të lehtësuar nga partnerët ndërkombëtarë, si dhe duke qenë se kjo marrëveshje arriti që të ofrojë një zgjedhje reale të problemeve ndëretnike që sollën deri te konflikti i vitit 2001, e njëjta paraqet objekt studimi për shumë autorë të fushës së demokracisë konsensuale dhe interkulturalizmit.

Ajo që mund të thuhet tani, pasi kanë kaluar dy dekada nga nënshkrimi i saj, është se kjo Marrëveshje përgjithmonë e ndryshoi konceptin e funksionimit të shtetit dhe e bëri atë t’i zbatojë principet e një demokracie parlamentare ku ka mekanizma për të mbrojtur komunitetet jo-shumicë në vend dhe ku atyre u sigurohet ambient për t’u zhvilluar dhe për ta kultivuar identitetin etnik, brenda një shteti unitar. Skepticizmi që ishte aq i vrullshëm në vitet e para të zbatimit të kësaj marrëveshje u tregua të ishte i pakuptimtë dhe i paarsyeshëm. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut shqiptarë etnikë por edhe komunitetet tjera arritën të akomodohen në strukturat të cilat paraprakisht për ta ishin të paarritshme për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm në të cilin hasnin. Gjërat që para njëzet viteve as që mund të merreshin me mend dhe ishin objekt i intervenimeve të dhunshme policore, sot janë gjëra më se normale, aq normale sa nuk vihen re në realitetin e përditshëm.

E megjithatë frika nuk u shua tërësisht, por e njëjta vazhdoi të mbijetojë dhe të adaptohet në kushtet e reja. Gjatë këtyre njëzet viteve, jo vetëm politikanë të etnitetit maqedonas por edhe intelektualë të ndryshëm, vazhduan të përhapin frikë duke shpërndarë dizinformata se ndarja sapo nuk ka ndodhur, shteti sapo nuk është shkatërruar dhe identiteti maqedonas sapo nuk është zhdukur, e gjithë kjo për fajin e shqiptarëve. Bile përhapen edhe teza të tilla nga akademikë të mbingarkuar me ndjenja shovene se maqedonasit etnikë konsiderohen si pakicë në shtetin e tyre dhe nuk janë sa duhet të mbrojtur në krahasim me shqiptarët. Ky kompleks i viktimës për të cilin kam diskutuar edhe herë të tjera, e mban të ngujuar një pjesë të konsiderueshme të popullit maqedonas në vendnumërim dhe nuk lejon që të përparojë më tej, i çliruar nga frika. E megjithatë, e dimë shumë mirë që gjërat më të mira na presin matanë frikës, të cilën për të mirën e përgjithshme, bëjmë mirë ta tejkalojmë sa më parë.

Marrëveshja e Ohrit është dokument tejet i rëndësishëm që duhet shikuar si i tillë nga të gjithë etnitetet që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Ky dokument e garanton tërësinë territoriale të shtetit dhe bën vend që të ndihen të sigurt të gjithë qytetarët dhe etnitetet që jetojnë aty. Marrëveshja quhet kornizë, sepse përmban një kornizë të të drejtave që duhet të sigurohen, ndërsa kur ka vullnet të mirë për një interkulturalizëm të mirëfilltë, mirëqenia e përgjithshme dhe toleranca ndëretnike mund të shkojnë larg edhe përtej asaj kornize. Është koha të kuptohet një herë e mirë që kjo marrëveshje e ka bërë shtetin më të fortë dhe të jetueshëm për të gjithë. Është koha një herë e mirë të tejkalohet frika dhe të arrijmë të jetojmë sipas vlerave demokratike te të cilat të drejtat e njeriut nuk konsiderohen si ëmbëlsirë, ku po mori dikush një copë, mbetet më pak për tjetrin. Është koha që diversiteti brenda një shteti të shihet si vlerë dhe jo si mallkim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button