Në Maqedoni, 17 mijë persona mbetën pa punë gjatë pandemisë

Në pandeminë e kovid-it, përfshirë janarin e vitit 2021, 17 mijë persona humbën punën, ndërsa janë dorëzuar 1.202 dorëheqje dhe 1.770 vende u mbyllën. Kështu tregon raporti i Entit shtetëror për revizion (EShR), i cili thotë se shteti jo vetëm që ka humbur 23 milionë euro, por nuk ka të dhëna të sakta se kush sa ka kthyer nga paratë e destinuara për ndihmë, transmeton Portalb.mk.

Mbi 6000 punëtorë dhanë dorëheqje vetë dhe 7.000 nuk iu vazhduan kontratat e punës me afat të caktuar. Më shumë se 100 punëdhënës nuk e kanë paguar pagën minimale për 435 punëtorë, edhe pse për këtë kanë marrë ndihmën shtetërore prej 6.317 denarë.

Arsyet e joefikasitetit të ndihmës shtetërore, sipas Entit shtetëror është mungesa e planifikimit të mirë dhe mungesa e kontrollit në terren. Inspekcioni ka hyrë vetëm nga një herë, edhe atë në çdo të 200-tën kompani.

Ndryshe projekti “Aktivizimi i grupeve të cënueshme në tregun e punës”, i cili realizohet prej dy vitesh, sipas të dhënave të Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV), janë përpunuar 3.075 plane individuale për aktivizim të qytetarëve.

Në periudhën kur filloi të zbatohej ky projekt, në shtator 2019, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vend ishin 13.361 të papunë dhe 47.434 qytetarë joaktivë që përfitonin ndihmë sociale. Numri në dy vitet e ardhshme rritet ndjeshëm dhe në vitin 2020 dyfishohet numri i të papunëve që përfitojnë ndihmë sociale, pas së cilës në vitin 2021 ishin 26.964 persona të papunë dhe 52.445 persona joaktivë nga kjo kategori.

Sipas Agjencisë për punësim, në periudhën dyvjeçare nga fillimi i programit janë aktivizuar 1400 persona, të ndarë në dy programe përmes të cilave realizohet projekti. Gjegjësisht, 1.108 persona ishin pjesë e Programit të këshillimit dhe mentorimit, ndërsa 329 ishin përfshirë në programe dhe masa aktive punësimi, si subvencionimi i pagave, trajnimi për profesionet që kërkohen në tregun e punës dhe praktikimi.

Nga APRMV thonë se Programi për këshillim dhe mentorim synon të motivojë përfituesit e ndihmës së garantuar minimale, dhe përmes këshillimit, inkurajimit dhe mbështetjes, duke filluar nga procesi i aktivizimit, të kontribuojë në përfshirjen e tyre më të lehtë në tregun e punës.

Nga aty, interesin e dobët dhe mbulimin minimal ia atribuojnë pandemisë kovid-19, por pohojnë se po punojnë vazhdimisht në gjetjen e mënyrave të reja për të tërhequr qytetarët për të hyrë në shërbimet që i ofron projekti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button