Gjakovë, Vetëvendos!

Gjakova – Fusha e Jakut: dhe i errët i zbutur nga tre lumenj, e nga prurje djersësh e lotësh të banorëve të vet, nga qeshje, e gjak grash e burrash, e hapa fëmijësh, e tinguj dasmash, një rrëfim i pazbërthyeshëm, si njeri në dashuri që vallëzon me duart hapur rrugëve të ngushta me kalldrëm.

Më kujtohet si vrapoja verës për Carshinë e Madhe, rruga që e kish lidhur dikur këtë qytet me dritën e Shkodrës, me shtresa gurësh të trashë e të lëmuar, të zbardhur nga shekujt. Dimrit i këpusja kandilat e akullit e vendosja topa dëbore mbi ta, si akullore. Aroma e bukës taze nga furra e Bicurrit. Aroma e bujashkave, e drurit ende të gjallë, e ngjyrave të vajit. Në mëngjes, këmbanët e kishave, thirrjet e myezinëve, në një qytet të harruar nga zoti. Arkivolat, tabutet, teneshiret, djepat, në radhë për t’i pritur e përcjellur shpirtërat e këtij qyteti, të stivuar nga maja e lartë e qiellit deri poshtë tek unë, nipi i zdrukthtarit. Lulet e nuancave të së kuqes – atëhere s’kishe emra për bourgogne e ocra – e gjethet e të blertave mbi qershi të etur, e ylli përmbi, e eh, tash është për merak. Qindarkat në një enë të vogël, shko Shqiptar e blej pak. Llokumi e kafja për myshteriun, që kuvendonte me gjyshin, për punët e shtëpisë, për babën plak që bënte të fala, për vajzën që i kish lindur, po shyqyr gruaja shpëtoi. Gjyshi e mjeshtrat e myshterinjtë, që mblidheshin rreth mangallit me thëngjill e flisnin me zë të ulët, ndërsa ne fëmijët përvidheshim jashtë, e derdhnim ujë me kova mbi kalldrëm, për të rrëshqitur në akull. O zni Sakip, na e thyen qafën në akull more. Cka?! Nc nc nc këqyri dilidreqnit – pa eja mër këtu, përnjëherë! E uji i nxehtë në kova, e akulli shkrirë, e akulli i thyer.

Thonë që nuk ekziston më kjo Gjakovë, por ah sa gabim janë. Ekziston brenda meje e teje. E shoh, e takoj gjithmonë, sa herë që jam aty. Mundohem të mos e shfaq kur flas me tjerët, por e ndjej fuqishëm, në cdo pore të trupit. Shoh tjera dyqane tash, quhen Reifeisen e TEB e ku di unë, por unë, me sytë e shpirtit, i shoh ende trerët e tjegullat e mocme, i ndjej aromat, i dëgjoj zërat e harruar. E mbahem fort, në pikë të verës, që të mos rrëzohem në akull.

Dua të ta them këtë, që ta kuptosh se pse e do njeriu vendlindjen e vet, edhe kur rron larg – sidomos kur rron larg. Nuk luan rol nëse është i lumtur atje, nëse ka karrierë, ka jetë me fëmijë e veturë e rehati e siguri – të gjitha mund t’i ketë. E prapë të ketë mallë për vendlindjen e vet: se e do një kohë unike që nuk i kthehet, e i dhimbsen të ardhmet që nuk ndodhën.

Vendlindja është unë është vendlindja, diku në një qoshk të zemrës. Ky është shkaku, nëse ke pyetur ndonjëherë athua përse, pashallarët shqiptarë që sundonin Liban e Jemen ndërtonin ura, kroje e xhade në dheun e vjetër, e mërgimtarët nga Misiri e Rumania e Zvicra më vonë e tashti Italia e Greqia ndërtonin shtëpi në vendlindje. Natyrisht, është edhe malli i familjarëve, kuptohet, dëshira t’u ndihmohet mishit e gjakut tim, lojaliteti i natyrshëm me ta. Por. sikur do të të rrëfejë cdo mërgimtar, është edhe ca më shumë se aq: është lojaliteti me fëmijën brenda vetes.

Dua që ta kuptosh mirë këtë. E ta dish që, kur të lutem ty si gjakovar, dil me bacën e voto për VV!, nuk të them pse kam interes. Mua këtu në Stokholm do të më varrosin edhe kur të vdes, pranë fëmijëve të mi. Por të them dil e voto për VV!, se ashtu më duket që e laj borxhin ndaj vetes fëmijë. Ndaj atyre të ardhmeve që nuk m’u realizuan mua – por që uroj nga zemra të të realizohen ty, e fëmijëve tu një ditë, e nipave e mbesave mbas tyre.

VV! ka në Gjakovë kandidatë të mirë.

Driton Çaushi17

Arbërie Nagavcii32

Gezim Rexha70

Xhevdet Pozhari105

Nëse je lodhë edhe ti – dil e vvoto.

#melëvizjen35

Lajme të ngjashme

Back to top button