BDI në vend të “mbrojtjes” kërkon “arsimin”!

Është arritur marrëveshje për platformën e qeverisë me të cilën në katër vitet e ardhshme do të duhet të punojnë partnerët qeveritar VMRO DPMNE dhe BDI, ka thënë sekretari gjeneral i BDI-së, Abdilaqim Ademi, duke shtuar se bisedimet po shkojnë në fazë të re, kurse së shpejti do të dihen edhe emrat konkret për funksionet përkatëse.
Shanset janë të mëdha që BDI dhe VMRO DPMNE t’i mbajnë ministritë e deritanishme, përveç mbrojtjes. Në këmbim të mbrojtjes BDI insiston ta marrë Ministrinë e Arsimit, por VMRO DPMNE ende taktizon duke theksuar se edhe për ata kjo ministri është shumë e rëndësishme.

“Zhurnal” mëson se 80% e programeve të BDI-së në platformën parazgjedhore në të cilën ishin të përfshirë 1081 projekte është bërë pjesë e programit të qeverisë për periudhën 4 vjeçare.

Në bisedimet e deritanishme nuk është biseduar për gjuhën shqipe, zgjedhjen e presidentit të shtetit ose statusin e ish ushtarëve të UÇK-së, por që partitë i kanë afruar projektet të cilat i kanë ofruar në fushatën zgjedhore.

Nga BDI pohojnë se nuk do të lëshojnë pe në marrjen e Ministrisë së Arsimit pasi Mbrojtja, nga e cila heqin dorë, ka rëndësi të madhe.

Në Ministrinë e Arsimit dhe të Shëndetësisë ka potencial më të madh për punësime dhe patjetër këtu të ketë baraspeshë, njëra ministri t’i kalojë BDI-së dhe tjetra VMRO DPMNE-së, transmeton zhurnal.

Nga ana tjetër partia e Gruevskit nuk dëshiron të largohet nga ministria e arsimit, pasi do të ndryshohen shumë emra të shkollave si dhe të barazohet mësimi i gjuhës shqipe me atë maqedonase. BDI ka konfirmuar se nuk do t’i marrë Drejtorinë për të ardhura publike (DAP), Drejtorinë për siguri dhe zbulim (DSZ), Doganën dhe Agjencinë për rrugë, ndërsa BDI në eshalonin e dytë mund të marrë pozitën e drejtorit të Byrosë për siguri publike.

Nëse Gruevski nuk e lëshon edhe këtë pozitë, atëherë BDI do të kërkojë ndonjë pozitë udhëheqëse në polici. Mësohet se nuk do të ketë ndryshime edhe në funksionerët për resorët e eurointegrimeve, Marrëveshjes së Ohrit, drejtësinë dhe Ministrisë së Ambientit.

I vetmi ndryshim mund të ndodhë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ku ministër ishte Tahir Hani dhe në Ministrinë e Ekonomisë ku ministër deri më tani ka qenë Valon Saraçini.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button