Inteligjenca artificiale: Një mjet modern i epokës digjitale për zhvillimin e shoqërive dhe qytetërimit

Që nga shfaqja e kompjuterëve, njerëzit janë magjepsur nga ideja se një ditë ata mund të bëhen më të zgjuar se ne. Një bisedë e publikuar në internet disa javë më parë i shtyu njerëzit të besonin se një e ardhme e tillë mund të ishte më afër nga sa e imagjinonim. Një transkript i një bisede midis një inxhinieri njerëzor dhe inteligjencës artificiale “Lambda” e cila me sa duket ka mendime, e madje edhe ndjenja të veta, është rasti më i fundit që ka ngritur pluhur në botë rreth zhvillimit të Inteligjencës Artificiale (IA) dhe deri ku ka përparuar ajo, shkruan Portalb.mk.

Inxhinieri i punësuar në Google i cili e publikoi transkriptin online u vendos në pushim të detyruar dhe kompania tha se po e pezullonte atë për shkak të publikimit të informacionit konfidencial.

Platformat e mediave sociale, aplikacionet celulare, automjetet autonome, pajisjet inteligjente në shtëpi – IA ka qenë pjesë e mjedisit tonë prej vitesh, duke e bërë jetën e përditshme më të lehtë për njerëzit në mbarë botën. Por, megjithëse pothuajse secili prej nesh mban inteligjencën artificiale në xhepin e vet, të futur në celularët tanë dhe i kërkon ndihmë prej saj për çdo ditë – përgjigje në pyetje ose udhëzime për lëvizjen dhe orientimin – pakkush e kupton në të vërtetë se çfarë është inteligjenca artificiale, si funksionon ajo dhe sa është e arsyeshme frika se ajo mund të bëhet më e zgjuar se ai që e përdor dhe e kontrollon atë.

Meta.mk” bisedoi me dr. Hristijan Gjoreski për zhvillimin e IA-së, por edhe se ku gjen aplikim ky sistem në botë dhe në vend. Gjoreski është docent në Fakultetin e Elektrikoteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FETI) në UKdheM dhe drejton ekipin e Inteligjencës Artificiale në Emteq, Angli.

Interesi i tij është inteligjenca artificiale dhe mësimi i makinës, të aplikuara në krijimin e sistemeve inteligjente, pajisjeve inteligjente që vishen – syze inteligjente, byzylykë inteligjentë. Ai ka marrë pjesë në më shumë se 15 projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe aktualisht është drejtues i projektit evropian “WideHealth“. Ai është autor i më shumë se 80 publikimeve shkencore, 19 prej të cilave janë në revista ndërkombëtare me faktor ndikimi.

Dr. Hristijan Gjoreski, Docent në FETI (UKdheM) / foto: arkivi personal

Çfarë është Inteligjenca Artificiale (IA)?

Nëse nisemi nga vetë emri, “Inteligjenca Artificiale” (IA) do të ishte çdo inteligjencë që nuk është natyrore. Më pas duhet të përkufizohet termi inteligjencë natyrore – që nuk është aq e thjeshtë. Prandaj, këndvështrimi dhe shpjegimi im për IA është i njëanshëm drejt përkufizimit inxhinierik, domethënë krijimit të sistemeve inteligjente që do të na ndihmojnë në jetën e përditshme dhe do ta bëjnë jetën tonë më të lehtë – përkatësisht, AI është një mjet modern i epokës digjitale, me të cilat do ta çojmë përpara shoqërinë, zhvillimin dhe qytetërimin, përmes zhvillimit të sistemeve kompjuterike të zgjuara dhe inteligjente. Prandaj, Inteligjenca Artificiale është një disiplinë moderne shkencore, e cila shfaqet dhe zhvillohet me zhvillimin e elektronikës dhe shkencave kompjuterike. Jam i sigurt se nëse pyesni një filozof, psikolog apo shkencëtar njohës (kognitiv), ata do t’ju japin një këndvështrim dhe përkufizim të ndryshëm të termit inteligjencë artificiale.

Termi IA u prezantua për herë të parë nga prof. John McCarthy me kolegët e tij në vitin 1956 në SHBA. Që atëherë, IA si shkencë është ndjekur nga shumë polemika dhe mistere pikërisht për shkak të emrit.

Ekziston një thënie e famshme pikërisht nga profesor John McCarthy se “Në momentin që gjëja fillon të funksionojë, askush nuk e quan më IA“. Në një farë mënyre, është sikur ne duam që IA të jetë diçka për të cilën të përpiqemi dhe asnjëherë nuk do ta arrijmë. Në fakt, kudo që aktualisht përdorim IA, përdorim shprehje të ndryshme, kështu që në vend të IA, përdorim fjalë si “i zgjuar”, “inteligjent” ose “autonom”.

Nuk mund të flitet për IA pa përmendur Alan Turingun, i cili është babai i shkencës kompjuterike dhe, indirekt, i IA-së. Mendimet e para për makinat që do të llogarisin dhe mendojnë vijnë pikërisht nga Alan Turing. Ai përcaktoi gjithashtu testin e famshëm Turing për IA, i cili teston nëse një person mund të dallojë nëse është duke shkruar me një person tjetër apo me një makinë (dmth. IA). Sipas tij, nëse arrijmë në një fazë ku njeriu nuk do të ishte në gjendje të dallonte nëse pala tjetër që shkruan është njeri apo makinë, atëherë kemi arritur në IA.

Njerëzit zakonisht kanë një pikëpamje të shtrembëruar kur bëhet fjalë për IA, më së shumti për shkak të filmave që e trajtojnë këtë temë, gjegjësisht asociacioni i tyre i parë janë robotët që duken, flasin, mendojnë dhe funksionojnë si njerëzit. Por, për momentin, IA dhe njerëzit që punojnë në këtë fushë nuk synojnë këtë, dhe në të ardhmen e afërt, domethënë me teknologjinë dhe algoritmet aktuale – kjo nuk është e mundur.

Prandaj, duhet të ndalojmë së menduari për robotët kur flasim për IA, por asociacioni i parë duhet të jetë softueri, domethënë algoritmet inteligjente, pajisjet inteligjente, sistemet inteligjente.

Sa e zhvilluar është IA sot?

Aktualisht jemi në një fazë ku IA është në të vërtetë Inteligjenca e Makinerisë, pra inteligjenca e kompjuterëve, e sistemeve kompjuterike dhe sensorëve – pra inteligjenca e të dhënave të mbledhura nga këto sisteme. Kjo IA, e cila krijon algoritme dhe sisteme që punojnë vetëm për një detyrë specifike, quhet Inteligjencë artificiale e ngushtë. Aktualisht jemi në epokën e kësaj AI – domethënë, IA që mund të luajë shah, IA që mund të parashikojë problemet e makinerive para se të ndodhin, IA që mund të njohë aktivitetet tona dhe të numërojë kaloritë tona, IA që mund të drejtojë makinën dhe të ngjashme.

Faza tjetër do të ishte Inteligjenca artificiale e përgjithshme – e cila përkufizohet si një inteligjencë që është po aq e zgjuar sa edhe njerëzit. Kjo do të thotë, të mos kemi IA dhe algoritme për secilën detyrë veç e veç, por që ato të mund të jenë algoritme të përgjithshme që do të përshtaten me detyra të ndryshme, për shembull – IA që di të drejtojë një makinë, di të luajë shah.

Faza përfundimtare do të ishte Super Inteligjenca Artificiale – Artificial Super Intelligence – e cila përkufizohet si një IA që është shumë më e zgjuar se njerëzit.

Nëse pyesni se si do të dukej një IA të drejtojë një automobil, asociacioni i parë për shumicën e njerëzve do të ishte një robot që drejton një automobil – por, në fakt vetë automobili është një IA. Ne tashmë kemi sot automobila komerciale (jo vetëm prototipe) që mund të ngasin vetë më shumë se 90% të kohës (kryesisht në autostrada dhe në rrugë të shënuara mirë), dhe kjo në fakt, është një shembull i shkëlqyer i IA në praktikë – janë sensorët, të dhënat dhe algoritmet që e drejtojnë automobilin.

Ku përdoret Inteligjenca Artificiale, ku gjen zbatim në jetën dhe funksionimin e përditshëm të njerëzve?

Algoritmet e sotme të IA (Inteligjenca e Makinerisë) janë kudo rreth nesh, veçanërisht në botën digjitale – me çdo përdorim të telefonit celular, kompjuterit, automobilit, orës inteligjente, pajisjeve inteligjente të shtëpisë. Një nga algoritmet e para të suksesshme të IA pa të cilin ne nuk mund të funksionojmë sot është filtri i e-mailit për mesazhe të padëshiruara (spam). Shumica prej nesh as që jemi të vetëdijshëm se mbi 85% e të gjitha mesazheve janë të padëshiruara (spam), dhe të cilat nuk arrijnë fare në kutitë tona mbërritëse (inbox) falë algoritmeve të IA.

Sot ne jemi dëshmitarë të aplikacioneve shumë të avancuara të IA në jetën tonë të përditshme, siç janë asistentët personalë digjitalë (Apple Siri, Google Assistant) të cilët, me ndihmën e algoritmeve të zgjuara të IA, janë në gjendje të njohin atë që e themi/kërkojmë dhe më pas të kryejnë një detyrë specifike (të caktojnë një takim, të krijojnë një ngjarje në kalendarin tonë, të dërgojnë një mesazh) dhe në fund të na përgjigjen me zë njerëzor. Këta asistentë inteligjentë tashmë janë të aftë të “dëgjojnë dhe kuptojnë” në një gjuhë dhe të përgjigjen në një tjetër – duke mundësuar kështu komunikimin midis njerëzve që kuptojnë dhe flasin gjuhë të ndryshme.

Ndoshta IA më e avancuar që e kemi dhe që e zhvillojmë sot është IA që mund të drejtojë automobila në mënyrë të pavarur. Tashmë po shohim automobila komerciale (Tesla) që janë në gjendje të ngasin vetë (në kushte të caktuara) me ndihmën e IA dhe një mori sensorësh dhe kamerash. Ekzistojnë gjithashtu automobila prototipe me IA që në mënyrë plotësisht të pavarur i drejton ato, që tregojnë rezultate të shkëlqyera, por ato janë ende në zhvillim. Me gjasë, shumë shpejt do të na duhet t’i ndryshojmë ligjet dhe rregullat e drejtimit të automjeteve, në mënyrë që të përshtatemi më mirë me automjetet autonome.

A vendos dhe a kontrollon dikush se si (do të) zhvillohet IA?

Si çdo disiplinë shkencore, drejtimi i zhvillimit përcaktohet nga njerëzit që punojnë me IA, d.m.th. shkencëtarët, studiuesit, inxhinierët, entuziastët. Por, aktualisht IA është në një fazë në të cilën mund t’i dëmtojë njerëzit dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Megjithëse bëhet fjalë vetëm për sisteme kompjuterike, algoritme, softuer dhe të dhëna, vendimet e marra nga IA mund të kenë pasoja të fuqishme për të cilat duhet të jemi të vetëdijshëm (për shembull, një aksident i shkaktuar nga një automjet autonom – IA). Dhe kjo është arsyeja pse së fundmi ne kemi parë gjithnjë e më shumë debate dhe diskutime rreth futjes së rregullave dhe normave etike në IA.

Një shembull i tillë janë automjetet autonome, të cilat drejtohen nga IA. Ka një debat që inkurajon zgjidhjet ligjore dhe rregullat, për atë se kush duhet të fajësohet nëse ka një aksident që përfshin një automjet autonom të drejtuar nga IA. Ka shumë çështje që kërkojnë vëmendje, p.sh. çka nëse sensorët/kamerat dështojnë, çka nëse algoritmi i vendimmarrjes është programuar gabimisht, çka nëse automjeti tjetër i drejtuar nga njeriu e ka shkaktuar aksidentin, etj.

Një shembull tjetër i tillë janë avionët autonome të armatosur, të cilët do të përdoreshin për qëllime ushtarake. Aktualisht e kemi teknologjinë për një avion të tillë të pajisur me armë për të njohur një cak (njeriun) dhe për ta eliminuar atë cak. E vetmja gjë që e pengon zhvillimin dhe përdorimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie është etika dhe rregullat që i vendosim ne si njerëz.

Në fakt, disa vite më parë pati një protestë publike nga pothuajse të gjithë shkencëtarët e botës që punojnë me IA (përmes debateve, letrave etj.) për të ndaluar dhe për të mos financuar hulumtime të tilla për të shmangur abuzime të tilla në të ardhmen.

Ky rast të kujton shumë hulumtime bërthamore para Luftës së Dytë Botërore, qëllimi kryesor i të cilave ishte hulumtimi për marrjen e energjisë në një mënyrë efikase dhe të lirë – por të gjithë e dimë se si ato hulumtime u shndërruan në prodhimin e bombave bërthamore. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm me IA dhe sistemet inteligjente që i krijojmë, dhe të mendojmë se çfarë pasojash mund të shkaktojnë nëse ka ndonjë gabim apo abuzim.

Deri ku është zhvillimi i IA në Maqedoni?

IA në vend është më e përfaqësuar në qendrat shkencore dhe hulumtuese, si p.sh. universitetet. Mund të konfirmoj me siguri se disa fakultete të UKdheM punojnë me IA, duke përfshirë Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FETI), ku jam edhe docent. Aktualisht, FETI është udhëheqëse e projektit Evropian të Binjakëzimit – “WideHealth”, në të cilën së bashku me partnerët e huaj punojmë në aplikimin e IA në shëndetësinë elektronike.

Përveç qendrave shkencore dhe hulumtuese, kohët e fundit kemi gjithnjë e më shumë kompani të TI-së që formojnë ekipe të vogla që punojnë në aplikimin e algoritmeve të IA në të dhënat (Data Science).

Konkretisht, unë dhe ekipi im bashkëpunojmë me një kompani angleze – Emteq, për të cilën ne zhvillojmë një IA që është e vendosur në syze inteligjente, të cilat me ndihmën e sensorëve të vendosur në syze, i njeh aktivitetet, shprehjet e fytyrës dhe emocionet e personit që i mban ato dhe në këtë mënyrë ndihmon në aktivitetet dhe nevojat e përditshme. Tani për tani ne kemi syze prototip me të cilat mbledhim të dhëna në FETI, i analizojmë të dhënat dhe i krijojmë këto algoritme të IA, të cilat shumë shpejt do të kenë zbatim në jetën tonë të përditshme.

Gjithashtu, me ndihmën e Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT), një numër i mirë i startup-eve të vogla mbështeten dhe punojnë me aplikimin e IA në industri.

FIZhT gjithashtu filloi një iniciativë për të krijuar një Strategji Kombëtare për IA, në të cilën marrin pjesë disa profesorë, inxhinierë dhe përfaqësues të industrisë dhe të sektorit joqeveritar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button