RMV, të miturit të kyçur në internet më shumë se pesë orë në ditë

Tridhjetë e nëntë për qind e të anketuarve të përfshirë në një anketë të Agjencisë për Komunikime Elektronike thanë se të miturit në familjet e tyre shpenzojnë mesatarisht më shumë se pesë orë të të kyçur në internet, raporton Alsat, transmeton Portalb.mk.

“Përafërsisht gjysma e të anketuarve ose 46.3 për qind e dinë se ekziston program për kontroll prindëror që do të sigurojë internet të sigurt për personat nën 18 vjeç. Prej tyre, vetëm 10.2 për qind e kanë instaluar tashmë një softuer të tillë, ndërsa nga ata të anketuar që nuk e kanë instaluar një softuer të tillë dhe e dinë se ekziston, rreth 61 për qind do ta instalonin. Rreth 10 për qind e të anketuarve që kanë qëndrim pozitiv ndaj instalimit të softuerit për kontroll prindëror e dinë se ku mund ta gjejnë”, qëndron në gjetjet kyçe të Raportit vëzhgimin e opinionit publik për mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve elektronike.

Në katër vitet e fundit, theksohet në gjetje, është vërejtur trend në rritje në numrin e familjeve ku qasja në internet përdoret edhe nga të miturit. Në vitin 2022, rreth 43.2 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se të miturit përdorin internetin në familjet e tyre, ndërsa te 85.6 për qind e tyre të miturit përdorin internet çdo ditë.

Sipas anketës, numri i përdoruesve të shërbimit të internetit në familje është rritur nga 79 për qind në 89 për qind në pesë vitet e fundit. Nga të anketuarit që kanë qasje në internet në familjet e tyre, vetëm 29.5 për qind e dinë shpejtësinë e lidhjes në internet që duhet të ofrohet nga operatori, dhe 76.8 për qind e tyre konsiderojnë se e marrin shpejtësinë dhe sasinë e pritur nga ofruesi i internetit.

Siç thuhet në gjetje, në katër vitet e fundit ka rritje të numrit të të anketuarve që janë përballur me një lloj problemi gjatë përdorimit të internetit në shtëpi, pra në vitin 2022 vetëm 29 për qind e të anketuarve nuk kanë pasur problem me lidhjen e tyre të internetit në shtëpi. Problemet më të shpeshta me internetin janë shpejtësia e paqëndrueshme e lidhjes (34.2 përqind), ndërprerjet/mosdisponueshmëria e shërbimit (30.6 përqind) dhe problemet me pajisjet teknike.

Për shkak të ndërprerjeve apo mosdisponueshmërisë së shërbimit në 12 muajt e fundit, 38.4 për qind e amvisërive kanë kontaktuar ofruesin e internetit dhe për 55.7 për qind e tyre problemi që kanë raportuar është zgjidhur në të njëjtën ditë.

“Rreth 27 për qind e amvisërive me qasje në internet janë ankuar me telefon tek ofruesi i tyre dhe 30.7 për qind e të anketuarve janë shprehur se janë plotësisht të kënaqur me përgjigjen që kanë marrë nga  provajderi. Vetëm 1.6 për qind e amvisërive me akses në internet i dërguan ankesë me shkrim ofruesit të internetit”, theksohet në disa prej gjetjeve kyçe të anketës.

Anketa është kryer nga 13 prilli deri më 15 mars të këtij viti në një kampion përfaqësues të rastësishëm prej 1.100 të anketuarve të moshës 18 vjeç e lart, mes përdoruesve të cilitdo prej shërbimeve të komunikimit elektronik: telefonisë fikse, telefonisë celulare, internetit dhe televizion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button