RMV, rritja e taksave do të shkatërrojë kompanitë që mezi mbijetuan nga kriza me kovid

Në vend se t’i ndihmojë kompanive të ngrihen në këmbë, në këto kohë krize, qeveria po u imponon taksa të reja, ankohen biznesmenët. Të tjerë, nga ana tjetër, thonë se ato para duhet të shpenzohen për zhvillimin ekonomik. Nëse blejmë vetëm paqe në shtëpi, nuk kemi bërë asgjë, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Ngarkesat e reja tatimore vetëm do të shkatërrojnë kompanitë që ende nuk kanë dalë nga kriza e koronës, ankohen biznesmenët pas reformave të paralajmëruara tatimore me të cilat shteti duhet të mbledhë të paktën 54 milionë euro të tjera nga qytetarët dhe ekonomia. Të tjerë, megjithatë, thonë se më e rëndësishme është se për çka do të shpenzohen ato para. Nëse do të investohet për zhvillimin e ekonomisë, biznesi do të paguajë edhe më shumë, por nëse thjesht arnohen vrima, atëherë nuk kemi bërë asgjë, thotë biznesmeni Menderes Kuçi.

Ministria e Financave paralajmëroi reforma tatimore në tatimin mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat, përmes të cilave në buxhet do të grumbullohen 54 milionë euro shtesë. Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se nuk është planifikuar rritje e tatimit, por zgjerim i bazës tatimore. Kjo do të thotë se gjërat që nuk janë tatuar më parë tani do të taksohen ose do të hiqen disa lehtësime tatimore.

Tatimi progresiv ende është çështje e hapur, për të cilën do të diskutohet.

Biznesmeni Mirçe Çekrexhi thotë se do të jetë goditje e madhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Në këtë kohë krize, në vend që t’iu ndihmojë kompanive të dalin nga kriza dhe të fillojnë të punojnë produktivitet më të madh, shteti ka vendosur t’i rëndojë edhe më shumë dhe mendoj se ky është gabim i madh. Disa do të pushojnë punëtorët, disa do të rrisin çmimet, nëse tregu i pranon nuk mund të thuhet se të gjithë do të reagojnë njësoj”, thotë Çekrexhi.

Nga ana tjetër, biznesmeni Menderes Kuci thotë se nuk do të ketë pushime nga puna, sepse kompanive u mungojnë punëtorë. Ata që krijojnë profit duhet të paguajnë edhe tatimin, kjo nuk është e diskutueshme, thotë ai.

“Nëse qeveria i shpenzon ato para për diçka që do të motivojë zhvillimin e ekonomisë, atëherë është diçka tjetër, por nëse duan të arnojnë vrimat dhe të blejnë paqe në shtëpi, atëherë nuk është e drejtë, sepse ato masa nuk do të japin fryte. “, thotë Kuçi.

Me ndryshimet që duhet të hyjnë në fuqi nga fillimi i vitit të ardhshëm, parashikohet heqja e përjashtimit nga tatimi në bazë të fitimit të ri investuar. Do të tatohen edhe donacionet në sport. Lehtësimi i taksave ofrohet vetëm për ri-investimet në energji, transformimin digjital dhe agjendën e gjelbër.

Po hiqen edhe lirimet tatimore për shtyllën e tretë pensionale, sigurimin e jetës dhe sigurimin shëndetësor privat për punëtorët, gjë që nuk ka qenë deri më tani.

Gjithashtu është duke u konsideruar tatimi i përfitimeve jofinanciare nga kontratat menaxheriale.

Do të fillojë aplikimi i taksës prej 1 për qind për kompanitë e vogla që kanë fitim deri në 6 milionë denarë në vit dhe të cilat deri më tani ishin të liruara nga ky obligim.

Gjithashtu parashikohet të paguhet taksë 10 për qind për interesat e depozitave të kursimeve, përmes së cilës do të mblidhen edhe 7 milionë euro të tjera.

Pas shtatë vitesh, qeveria po rikthen idenë që ata që punojnë honorar të paguajnë kontributet e pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore.

Gjithashtu po mendohet të rritet pragu deri në të cilin paguhen kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe pensionale. Tani, personat me paga jashtëzakonisht të larta, pavarësisht nga të ardhurat, paguajnë kontribute me maksimum 16 paga mesatare.

Parashikohen edhe ndryshime në TVSH, pra heqja e disa normave preferenciale dhe lirime nga taksat.

Ndryshe, në fillim të muajit gusht Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbajtur seancën e 67-të ku u miratua edhe propozim-koncepti për reformat tatimore.

Ministria e Financave i propozoi këto draft-koncepte, në përputhje me Strategjinë për reforma në sistemin tatimor (2021-2025), përmes së cilës planifikohet një sistem më efikas, transparent, të drejtë dhe bashkëkohor, duke u bazuar në teknologjinë digjitale dhe inovacione. Në këto reforma planifikohet edhe përfshirja e “tatimit ekologjik”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button