33 shqiptarë u larguan nga puna nga “Higjiena Komunale” në Shkup, paralajmëruan padi

U përjashtuan nga puna 33 punonjës shqiptar në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” në Shkup nga drejtoresha e sapo emëruar Maznena Koseva. Mos vazhdimi i kontratave të punës, nxiti reagim të punësuarve, të cilët akuzojnë institucionin se “hakmarrja” është bërë për pazare politike dhe jo për parregullsi në punë, transmeton Alsat.

Punonjësit e ndërmarrjes thonë se kanë qenë në krye të detyrës dhe kjo mund të vërtetohet përmes evidencave, dorëshkrimit të punëtorëve dhe kamerave të sigurisë, ngaqë qëllimisht nuk u kanë dhënë kartela elektronike për “check-in” në punë.

“Duam të njoftojmë opinionin se gjitha vendet e punës nga largimi ynë do të mbushen me militant partiak sepse ky edhe ishte qëllimi tyre. Sipas Ligjit për sistematizim, ‘Higjiena Komunale’ ka edhe shumë pozita tjera bosh, veç këtyre që kanë mbetur nga largimi ynë, që do të thotë se arsyetimi i drejtoreshës se ishim të parregullt dhe të panevojshëm vetëm se na hap neve rrugën ligjore për të kërkuar të drejtën tonë!”, thuhet në Letrën e hapur të ish të punësuarave në N.P. Higjiena Komunale.

Sipas kësaj letre të hapur, të punësuarit e përjashtuar nga puna, janë duke u përgatitur për padi penale.

Nga ana tjetër, N.P. “Higjiena Komunale” Shkup kumtoi se ka ngrit masë disiplinore ndaj të punësuarës së tyre Ana-Marija Brangjolica, e cila sipas tyre ka shkaktuar incidentin me gazetarët një ditë më parë.

“33 personave të punësuar përmes Agjencisë për punësim të përkohshëm në Ndërmarrjen publike Higjiena Komunale Shkup, të cilët kanë marrë paga me muaj e vite dhe nuk kanë shkuar në punë, pas përfundimit të kontratave të njëjtat nuk u janë vazhduar”, thonë nga N.P. “Higjiena Komunale” Shkup.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska tha se në vend të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat për punësime të bashkësive tjera etnike, e kanë për bazë metodën e balancuesit. Ajo mohoi ankesat e të punësuarave se nuk u dhanë pajisje e duhura për punë.

“Gjithkund ku ekzistojnë kësi raste devijuese të personave, të cilët nuk paraqiten në vendet e tyre të punës dhe nuk i kryejnë detyrat e tyre të punës, kjo nuk do të thotë vetëm që nuk vijnë e shkojnë në punë. Ka një numër të madh të njerëzve, të cilët vijnë rrinë 8 orë dhe asgjë nuk bëjnë. Ne flasim për ata që nuk i kanë kryer detyrat dhe gjithashtu as që janë paraqitur në punë”, deklaroi Arsovska.

Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive i përgënjeshtroi pohimet se të punësuarit nga NP “Higjiena Komunale – Shkup” që janë larguar nga puna, janë punësuar sipas Programit K5, Programit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, gjegjësisht ajo që është lëndë e reagimit tonë.

“Në mënyrë plotësuese, ju njoftojmë se plani për shpërndarjen e të punësuarve sipas Programit K5 është realizuar me sukses.  Sipas këtij plani të përgatitur nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë shpërndarë gjithësej 1.349 nëpunës administrativ, prej të cilëve për 1.023 nëpunës administrativ transferi është realizuar, ndërsa për 137 nëpunës tjerë administrativ procedura është në vijim e sipër.  Gjithashtu, Ju informojmë se për 162 nëpunës administrativë marrëdhënia e punës është ndërprerë për arsye të ndryshme, pra pension, dorëheqje nga punonjësi ose punëdhënësi etj. Pra, mbeten edhe 27 nëpunës administrativë të cilët janë në fazën e shpërndarjes varësisht nevojave të institucioneve dhe në korrelacion me aftësitë e tyre të punës”, njoftuan nga Ministria për Sistem Politik.

Arsovska nuk deshi të komentojë se sa është përqindja e të punësuarve jo maqedonas në Qytetin e Shkupit. Por, u zotua se do të rishikojë marrëveshjet në gjitha ndërmarrjet dhe drejtoritë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button