fbpx

Serbia vazhdon t’i rehabilitojë kriminelët e luftës në pozita të larta

Shteti që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian vazhdon t’i rehabilitojë gjeneralët serbë, nën përgjegjësinë e të cilëve kanë ndodhur krime gjatë luftës në Kosovë dhe në hapësirat e tjera të ish-Jugosllavisë, raporton Koha.net. Së fundi, Bozhidar Deliq, gjenerali në pension që ka udhëhequr një brigadë gjatë luftës në Kosovë, ku ndodhën krimet më të rënda kundër shqiptarëve, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Analisti Branislav Kërstiq thotë se pushteti në Serbi po dëshmon se nuk ka ndryshuar qasjen e aplikuar nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1999.

“Parimi negativ i përzgjedhjes së personave nga pushteti në Beograd bëri që mafia dhe kriminelët të bëhen pjesë e majës së shtetit. Në skenën politike serbe, por edhe në Listën Serbe në Kosovë, patologjia e qeverisjes së Vuçiqit duket qartë dhe po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Serbia është thellësisht e helmuar nga nacionalizmi serbomadh, feja e rreme dhe iluzionet, dhe kam frikë se do të mbetet e tillë në zemër të Evropës”, tha Kërstiq.

Ky veprim ka alarmuar aktivistët e të drejtave të njeriut në Serbi dhe në Kosovë.

Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka thënë për televizionin publik se zgjedhja e Deliqit i përshtatet kornizës politike të vendit.

“Bozhidar Delliq ka qenë në zonën e Prizrenit, Rahovecit, Suharekës, Dragashit. Një numër i madh i krimeve kanë ndodhur në ato komuna. Janë dokumentuar mbi dy mijë civilë të vrarë, janë gjetur mbetje mortore të më shumë se 450 të vrarëve. Këto janë arsye të mjaftueshme që prokuroria të merret seriozisht dhe të ngritë aktakuzë, por asgjë nuk ndodh dhe nuk pritet”, tha Kandiq.

Bozhidar Delliq i takon partisë së djathtë NADA, derisa më herët ka qenë anëtar i partisë radikale dhe i Partisë Progresive të Vuçiqit.

Figura kryesore politike e ushtarake në Serbi sot janë eksponentë të regjimit të Millosheviqit, i cili ishte përgjegjës për luftërat në ish-Jugosllavi.

Presidenti aktual, Aleksandër Vuçiq, ka qenë ministër i Informacionit, ndërsa kryetari i deritashëm i Kuvendit, Ivica Daçiq- zëdhënës i Millosheviqit.

Janë edhe një varg ish-gjeneralësh të dënuar dhe të dyshuar për pjesëmarrje në krime, të cilët vazhdojnë të lartësohen e rehabilitohen nga shteti serb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button