RMV, këtë dimër do të kursejnë vetëm të pasurit, ndërsa të tjerët në ndërtesat “me vrima” do të ngrijnë

Ka interes për kursimin e energjisë, por mundësi për ta bërë këtë kanë vetëm të pasurit, tregojnë përvojat e kompanive që punojnë në fushën e efikasitetit energjetik. Regjistrimi tregoi se vetëm 34% e ndërtesave kanë fasada me efikasitet energjetik, 11% e apartamenteve kanë instalime për sisteme diellore, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Çmimi i energjisë po rritet, autoritetet thonë se po e ndjekin me vëmendje situatën, ndërsa qytetarët kanë frikë se a do të mund këtë dimër t’i ngrohin shtëpitë në të cilat gjysma e nxehtësisë humbet dhe pa mundësi për të instaluar sisteme diellore. Grupi i fundit i të dhënave nga regjistrimi i vitit të kaluar, i publikuar javën e kaluar tregoi se vetëm 34% e ndërtesave në vend kanë fasada me efikasitet energjetik dhe mezi 11% e apartamenteve kanë një lloj instalimi për kolektorë diellorë, që nuk është gjithmonë funksional.

Shkupjani Rubin Iliev, para një muaji vendosi një fasadë energjetike në shtëpinë ku jeton. Ai thotë se vendimin e kishte marrë shumë kohë më parë, por kishte pritur kohë më të mira. Vendimtare ka qenë se materialet i ka blerë vitin e kaluar, kur çmimet kanë qenë shumë më të ulëta dhe lehtësues ka qenë edhe fakti që ai dhe familja e tij kanë kompani ndërtimi.

Ai thotë se këtë verë e ka vërejtur mirë dallimin me dhe pa fasadë. Nëse vitin e kaluar kondicioneri ka punuar rregullisht, këtë vit në periudhën më të nxehtë është aktivizuar vetëm dy herë. Është i bindur se kursimet do të jenë të mëdha edhe këtë dimër, aq më tepër që çmimi i energjisë elektrike po rritet. Megjithatë, Iliev është i sinqertë, nëse do t’i duhej të ndërtonte fasadë me çmimet aktuale, ai me siguri do të kishte hequr dorë nga ideja, ashtu siç bëjnë shumë klientë të tij të mundshëm.

“Po heqin dorë sepse çmimet janë të larta” edhe ata që ishin të interesuar, ose ishin në faza më të avancuara të negociatave. Pra, tashmë gjithçka është anuluar. Tashmë pesëshja (trashësia e fasadës) është 30 euro për katror, ​​me tetë do të ishte mbi 33 euro, me dhjetë mbi 35, me materiale standarde. Nëse përdoren materiale më cilësore, sigurisht që do të jetë 20-30 për qind më e shtrenjtë. Pra çmimi u rrit shumë në krahasim me vitin e kaluar, për 50% e më shumë”, është i brengosur Iliev.

Supozon se investimi do të kthehet brenda 7 deri në 10 vjet, duke konsumuar dukshëm më pak energji elektrike falë fasadës së re. Kursimi i tillë bëhet edhe më i rëndësishëm, po të kihet parasysh se vendi është i varur nga importi i energjisë elektrike, ndërkohë që prodhimi i energjisë elektrike në objektet shtetërore brenda një dekade është përgjysmuar.

Efikasiteti energjetik privilegj i atyre që kanë para

Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave, që janë grumbulluar gjatë regjistrimit të fundit treguan se komunat Tetovë, Gostivar, Tearcë, Zhelinë, Vrapçisht dhe Bërvenicë kanë përqindjen më të lartë të ndërtesave me efikasitet energjetik. Janë ndër vend  e paktat ku numri i ndërtesave me fasada me efikasitet energjetik është më i madh se ato pa izolim të tillë. Nga komunat e Shkupit, situata më e mirë është në Karposh, më e keqja në Shuto Orizarë.

Sipas profesorit Konstantin Dimitrov, tashmë është tepër vonë për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të reduktuar humbjen e nxehtësisë në shumicën e shtëpive në Maqedoni. Thotë se efikasiteti energjetik është privilegj i atyre që kanë para, “kurse populli nuk ka para”.

“Në Maqedoni në këtë drejtim, në këtë moment për këtë dimër, nuk mund të bëhet pothuajse asgjë në domenin e objekteve që, thënë në mënyrë vulgare, janë me vrima. Kështu, gjithçka që vendosni në shtëpi për t’u ngrohur kalon nëpër mure shumë shpejt në vend që ta mbajë dhe t’ju ngrohë për një periudhë më të gjatë kohore. Nuk mundet tani, si dhe nuk ka aq para, ndoshta as aq shumë njerëz, për të bërë izolim plotësues nga jashtë të një pjese të madhe të ndërtesave të banimit”, shpjegon profesori.

Thotë se kjo është një çështje që duhet zgjidhur në afat të gjatë, por thekson gjithashtu se “prioritetet e qeverisë janë të tjera, jo në efikasitetin energjetik”. Prandaj ai është i prerë se masat urgjente për instalimin e më shumë sistemeve diellore para se të vijë dimri do të ishin dobi e madhe.

Njëfarë progresi është bërë me Rregulloren e re për Burimet e Rinovueshme që u miratua në qershor, me të cilën iu mundësua të gjitha familjeve të mund të prodhojnë energji elektrike me fotovoltaikë në çatitë e tyre, që është një hap përpara nga të ashtuquajturit kolektorë diellorë që përdoreshin për ujë të nxehtë. Mirëpo, përkundër paralajmërimeve për lehtësimin e procedurave, profesor Dimitrov shpreh indinjatë për shkak të pengesave të shumta për ngritjen e një sistemi të tillë.

“Dispozitat ligjore janë orientuara kundër familjeve dhe shtetit. Kufizime, probleme jonormale administrative dhe befas e shihni që për të nisur procedurën, për të marrë leje ju duhet një vit dhe deri sa ta vendosësh sistemin ka ikur dimri”, thotë Dimitrov.

Për sistemet diellore ka interes, por nuk ka para

Këtë vit munguan subvencionet e Ministrisë së Ekonomisë për një pjesë të shpenzimeve për sistemet e kolektorëve diellorë si dhe për instalimin e dritareve PVC apo të aluminit në amvisëri. Në vend të kësaj ka ardhur paraljmërimi për subvencione për instalimin e fotovoltaikëve, por ende nuk ka njoftim publik. Nga Ministria e Ekonomisë, duke iu përgjigjur REL-it, sigurojnë se kjo do të ndodhë në gusht.

“Mjetet për realizimin e këtij programi janë në shumë prej 60.000.000 denarë dhe do të përdoren për kompensimin e një pjese të shpenzimeve për blerjen dhe instalimin e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike për konsum individual për amvisëri, në objektin te të cilat kanë të drejtë pronësie apo shfrytëzimi deri në 30%, por jo më shumë se 62.000 denarë për amvisëri për vitin 2022”, sqarojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Për momentin, shtojnë ata, në kuadër të Buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë nuk janë planifikuar masa të tjera.

Në ndërkohë, interesimi i qytetarëve për sistemet diellore po rritet, por askush nuk i blen, thotë Ilija Çulev, pronar i një kompanie që në këtë fushë punon gati 30 vjet. Vërejtja e tij është se këtë vit tregu është tërësisht i çrregulluar. Çmimet e tyre janë 30 për qind më të larta krahasuar me vitin e kaluar.

“Interesimi është rritur, rreth 100 persona telefonojnë në ditë, por kur e dëgjojnë çmimin, heqin dorë, sepse nuk ka mbështetje nga shteti, nuk ka lehtësime, gjithçka është e importuar, TVSH-ja është 18% për shumicën e pjesëve dhe investojnë vetëm më të pasurit”, thotë Çulev.

Ai shton se problem serioz është edhe blerja dhe furnizimi nga Gjermania. Pra, nëse vitin e kaluar porositë kishin ardhur për 10 ditë, këtë vit thotë se presin edhe 6 muaj. Për ta bërë problemin edhe më të madh, ai thotë se këtë vit dolën në treg qindra kompani të reja për sisteme diellore dhe fotovoltaike “që sjellin çdo gjë dhe gjithçka”, ndaj shpreh shqetësimin se problemet në këtë sektor veç sa të fillojnë të shfaqen.

“Njerëzit e shikojnë vetëm çmimin dhe pritet se do të ketë probleme, zjarre… Sistemet fotovoltaike janë shumë specifike dhe pres që këto dy-tre vite të ketë shumë njerëz të mashtruar, që tregu të stabilizohet më pas”, thotë Çulev.

Të dhënat e fundit të ESHS-së për banesat në vend treguan se më së shumti instalime për kolektorë diellorë, gjegjësisht në më shumë se një të katërtën e banesave, ka vetëm në Negotinë, Koçan, Krushevë, Prilep dhe Probishtip.

Paraljmërimet se dimri do të jetë i vështirë vijnë nga të gjitha anët, por tani për tani ka vetëm thirrje të vakëta nga autoritetet për kursime dhe mesazhe qetësuese se energji elektrike ka dhe se nuk do të ketë kufizime. Prandaj, derisa vendet evropiane po bëjnë gara për të kursyer energjinë, në vendin tonë nuk ka ende asnjë haber për masa anti-krizë që po paralajmërohen prej muajsh. Për ta qenë ironia më e madhe, prej vitesh shteti nuk e ka realizuar as detyrimin ligjor për të rinovuar ndërtesat që në pronësi të saj, me çka do të harxhohej më pak energji elektrike nëpërmjet izolimit të fasadave të tyre.

Bashkimi Evropian po bën një hap të madh përpara. Plani është që deri në vitin 2050, ndërtesat në bllok të kenë konsumin e energjisë afër zero, pasi ajo po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë dhe ndotë nëse përdoren lëndë djegëse fosile.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button