Maqedonia e Veriut më së paku mbledh tatime, alarmoi ministri duke paralajmëruar reforma tatimore fillimisht në tri fusha

Ministria e Financave ka filluar debatin publik për reformën tatimore, duke zhvilluar dhe paralajmëruar takime me grupet e përfshira, ndërsa ka sqaruar që përmes debatit publik do të vendoset per (mos) realizimin e tatimit progresiv në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, vlerëson se përmes sistemit tatimor të ri do të krijohet rritje ekonomike dhe standardi i jetesës së qytetarëve, ndërkohë alarmoi që ‘gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit Maqedonia e Veriut ka pasur realizimin më të ulët të të hyrave tatimore krahasuar me BE-në dhe Ballkanin Perëndimor’.

“Lidhur me anën e të hyrave në financat SMART nevojitet përmirësim të arkëtimit, përfshirje më të madhe tatimore, për të pasur hapësirë ​​fiskale për politikat që stimulojnë rritje më të lartë ekonomike në periudhë afatmesme. Sigurimi i të hyrave nga burime të sigurta nënkupton stabilitet dhe shmangie të politikës fiskale prociklike dhe rritjes së borxhit public”, vlerësoi Besimi.

Besimi theksoi nevojën për formalizimin e sektorit joformal, si një mekanizëm ku të gjithë do të paguajnë tatim. Paralajmërohet që reforma tatimore do të zbatohet në faza dhe fillimisht është planifikuar të zbatohet në fushën e tatimit mbi fitimin, tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.

Ajo që propozohet si zgjidhje në reformën tatimore është tatimi i interesit të depozitave me 10 për qind, heqja e përjashtimit tatimor në bazë të fitimeve të riinvestuara dhe pagesa e sigurimeve shëndetësore dhe pensionale për honorarët.

“Nëse, për shembull, kam 100 mijë denarë në bankë me dy për qind interes vjetor, do të thotë se kam dy mijë denarë fitim në vit. Dhe tani do t’i paguaja shtetit taksë prej 10 për qind, që do të thotë 200 denarë në vit ndaj shtetit”, sqaroi Besimi.

Nga tatimi mbi fitimin dhe të ardhurat personale pritet të derdhen në buxhet 54 milionë euro.

“Esenca e reformës tatimore që planifikojmë bazohet në rritjen e bazës tatimore, pa rritur normat tatimore. Në mënyrë të përshpejtuar do të zbatohet edhe Plani aksional për luftimin e ekonomisë joformale, që do të thotë rritje shtesë e bazës që i nënshtrohet tatimeve”, paralajmëroi Besimi.

Ndryshe, në fillim të muajit gusht Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbajtur seancën e 67-të ku u miratua edhe propozim-koncepti për reformat tatimore.

Ministria e Financave i propozoi këto draft-koncepte, në përputhje me Strategjinë për reforma në sistemin tatimor (2021-2025), përmes së cilës planifikohet një sistem më efikas, transparent, të drejtë dhe bashkëkohor, duke u bazuar në teknologjinë digjitale dhe inovacione. Në këto reforma planifikohet edhe përfshirja e “tatimit ekologjik”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button