ARS: Të rinjtë duhet të përfshihen në krijimin e Strategjisë së re Kombëtare për Rininë

Agjencia për Rini dhe Sport (ARS), në konferencën e sotme për shtyp, njoftoi se do të krijohet Strategji e re Kombëtare për Rininë përmes së cilës, siç bëhet me dije, do të përcaktohen parimet dhe udhëzimet bazë për përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve në vend gjatë pesë viteve të ardhshme, raportoi Meta, përcjell Portalb.mk.

Në konferencën që u organizua me rastin e fillimit të javës së rinisë, përfaqësuesit e pranishëm u bënë thirrje të rinjve që të marrin pjesë në përgatitjen e strategjisë së re, e cila, siç u tha, duhet të përmirësojë politikat publike që drejtpërdrejt kanë të bëjnë me të rinjtë, veçanërisht në fushën e punësimit, arsimit, shëndetësisë dhe përfshirjes sociale.

“Tashmë kemi zhvilluar një metodologji për krijimin e Strategjisë Kombëtare për Rininë, kemi hedhur bazat dhe pres që deri në fund të vitit të kemi versionin fillestar të strategjisë, i cili do të pasohet nga një Plan Veprimi për vitin 2023. Në të njëjtën kohë, procesi është plotësisht gjithëpërfshirës dhe transparent. Qëllimi ynë është të dëgjojmë zërin e të rinjve, t’i njohim angazhimet e tyre, t’i nxisim që të jenë palë aktive në krijimin e proceseve të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e tyre”, tha drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsovski.

Nga ARS informojnë se Strategjia Kombëtare për Rininë 2023-2027 do të përmbajë shtatë fusha kryesore tematike, përkatësisht: pjesëmarrjen e të rinjve, informimin e të rinjve, punën me të rinjtë, arsimin, kulturën, shëndetësinë, sipërmarrësinë dhe sigurinë (dhuna).

“Dokumenti do të përfshijë edhe fusha të tjera, për të pasqyruar nevojat reale të të rinjve. Procesi i krijimit të Strategjisë Kombëtare do të jetë i hapur për pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara, me respektim të plotë të parimeve të barazisë, mos – diskriminimit dhe gjithëpërfshirjes”, thonë nga ARS.

Iniciativa u përshëndet nga zëvendës shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Xhef Goldstajn, i cili e theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në përgatitjen e strategjisë së re kombëtare.

“Askush nuk i kupton problemet dhe sfidat me të cilat përballen të rinjtë në vend më mirë se ju. Ne duhet t’ju dëgjojmë, ndërsa ju me idetë tuaja kreative duhet të jeni pjesë e rëndësishme e zgjidhjeve të këtyre problemeve dhe sfidave”, porositi ai.

Në kuadër të shënimit të 12 gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, ARS do të organizojë një konferencë ndërkombëtare rinore “Rinia në Ballkanin e Hapur – shanse dhe perspektiva të sigurta për përparim të sigurt në rajon” dhe dhënien e një çmimi për pjesëmarrjen e të rinjve.

Bartëse e aktivitetet për përgatitjen e strategjisë është Agjencia për Sport dhe Rini, kurse procesi do të zhvillohet me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Fondit për popullsinë i KN (UNFPA).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button