Femicidet janë produkt i heshtjes së shoqërisë dhe mosbesimit ndaj institucioneve në Maqedoninë e Veriut

Femicidi i 46-vjeçares nga Negotina e plotëson statistikën jashtëzakonisht negative sipas të cilave më shumë se 80% e viktimave në vend nuk kanë raportuar më parë dhunë në institucionet kompetente. Mos raportimi i dhunës dhe trajtimi joadekuat nga institucionet në rastet e dhunës në familje, në bazë gjinore, i rrisin drejtpërdrejt gjasat që dhuna të kulmojë me vrasje, raportoi Komiteti i Helsinkut. Femicidi, si një nga shkaqet më të shpeshta të vdekjes së parakohshme të grave në nivel global, në shumicën e rasteve shkaktohet nga një person me të cilin viktima është ose ka qenë në marrëdhënie të partneritetit, sikurse në rastin e gruas nga Negotina, e cila ka vdekur pasi partneri i saj e ka sulmuar dhe e ka rrahë brutalisht.

Shkalla e lartë e mosbesimit në veprimet e institucioneve kompetente, përfshirë policinë, qendrat e punës sociale dhe gjyqësorin, ndikon dukshëm që qytetarët të de-motivohen për të raportuar dhunën. Kësaj mund t’i shtohet edhe vetëdija e ulët e qytetarëve se çdokush e ka për detyrë të denoncojë dhunën, ndërkohë që dominon pikëpamja se raportimi i dhunës nga pozita e palës së tretë është ndërhyrje në jetën e dikujt tjetër.

Përkundër faktit se Ligji i ri për Parandalim dhe Mbrojtje nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje është miratuar më shumë se një vit më parë, ende nuk janë miratuar të gjitha aktet nënligjore dhe procedurat operative të nevojshme për zbatimin e suksesshëm të tij. Femicidi ende nuk njihet si vepër penale më vete në Kodin tonë Penal, si formë më e rëndë e vrasjes kur kryhet gjatë dhunës në familje. Megjithatë, problemi më i madh nuk është legjislacioni i cili vitet e fundit është përafruar me standardet ndërkombëtare, por zbatimi joadekuat i tij nga institucionet kompetente.

Çdo vdekje tragjike e një gruaje vetëm për shkak se është grua na lë me të ndjenjën  e hidhur se të gjitha përpjekjet e sektorit civil për t’u marrë me këtë problem (ndërgjegjësimi, mbështetja e viktimave të dhunës dhe avokimi për ndryshime sistematike) janë thjesht të pamjaftueshme nëse ato nuk shoqërohen me një veprim më të gjerë institucional dhe social. Dhuna në familje dhe dhuna në bazë gjinore nuk është çështje private.

Ne presim që institucionet të kryejnë punën e tyre në lidhje me trajtimin e mëtejshëm të rastit, por ajo që tregon ky dhe shumë raste të tjera është nevoja që institucionet të fillojnë punën në kuadër të rolit të tyre parandalues ​​për mbrojtjen nga dhuna në bazë gjinore, me qëllim që këto raste të mos kenë përfundime të këtilla fatale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button