RMV, harxhimet e jetesës në korrik u rritën me 1.9 për qind në muaj, me 16 për qind në nivel vjetor

Harxhimet e jetesës në korrik krahasuar me qershorin e këtij viti janë rritur me 1.9 për qind, ndërsa çmimet me pakicë për 2.5 për qind. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, harxhimet e jetesës muajin e kaluar ishin më të larta për 16 për qind, ndërsa çmimet me pakicë për 14 për qind, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikave, transmeton Portalb.mk.

Rritje të harxhimeve të jetesës në korrik krahasuar me muajin paraardhës është shënuar te buka dhe drithërat me 4,8 për qind, djathi dhe gjiza me 4,5 për qind, qumështi me 3,6 për qind, frutat e freskëta dhe të ngrira me 2,9 për qind, mishi me 1.8 për qind. Te sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe produktet e ëmbëltoreve, rritja është me 1.1 për qind.

Në korrik gjithashtu, rritje të harxhimeve të jetesës është vërejtur edhe në transportin ajror të pasagjerëve me 36,5 për qind, aranzhimet turistike me 11,3 për qind, energjinë elektrike 9,9 për qind, riparimin e aparateve të amvisërive me 8,8 për qind, shërbimet e akomodimit me 5,9 për qind, riparimin pajisjeve audio-vizuale, fotografike dhe informative me 5 për qind, materiale të tjera të shtypura me 3,3 për qind, restorante, kafene dhe të ngjashme me 3,1 për qind.

Rritje ka edhe motoçikletat me 2,7 për qind, sallonet e parukerive dhe qendrat e bukurisë me 2,6 për qind, pajisjet elektrike për higjienën personale me 2,5 për qind, shërbimet në shtëpi dhe shërbimet e amvisërive me 2,4 për qind, biçikletat me 2,3 për qind, karburantet e lëngëta shtëpiake, lëndët djegëse të ngurta me 1,8 për qind, veglat e vogla dhe shtesa të tjera me 1.6 për qind.

Në shërbimet e mirëmbajtjes dhe riparimit të vendbanimit, harxhimet e jetesës janë rritur me 1,5 për qind, produktet shtëpiake – jo të qëndrueshme, kafshët shtëpiake dhe produktet e ngjashme me 1,4 për qind, riparimet e mobiljeve, pajisjet e shtëpisë dhe mbulesat e dyshemeve me 1,2 për qind, gazi për amvisëri me 1,1 për qind, pjesët rezervë dhe mjetet me një për qind, sendet e tjera personale me 0,8 për qind.

Rënie e indekseve të harxhimeve të jetesës në korrik 2022, krahasuar me muajin paraardhës, është shënuar te perimet e freskëta dhe të ngrira, përveç patateve dhe frutave të tjera me rrënjë me 6,4 për qind, peshku dhe prodhimet e detit me 1,8 për qind dhe vaji e yndyra me 1,6 për qind.

Në korrik gjithashtu, rënie të indeksit të harxhimeve të jetesës vërehet edhe te qiratë aktuale të paguara nga qiramarrësit me 2,7 për qind, produktet e tjera mjekësore me 1,7 për qind, automjetet me 0,9 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button