Marrëveshja e Komunës së Tetovës me shoqatën për qentë endacak nuk do të mund të zgjidh plotësisht problemin

Problemi me qentë endacak në Komunën e Tetovës nuk do të zgjidhet plotësisht këtë vit. Marrëveshja e Komunës së Tetovës me “Amos Pet”, shoqatën e përzgjedhur për këtë problematikë parasheh që në 12 muaj të trajtohen vetëm 82 qen të shpëtuar nga rrugët, që është rreth 20% nga numri total i qenve që enden nëpër qytet. Deri më tani janë kapur dhe janë duke u trajtuar 25 qen endacak ndërsa qyteti ka rreth 500 qen endacak ku rreth gjysma e tyre janë të mëdhenj mbi 40 kilogram, shkruan Portalb.mk.

Pas disa zvarritjeve dhe muajsh pa përkujdesje, para dy javësh filloi me punë shoqata e cila merret me trajtimin e qenve endacak në Tetovë, ”Amos Pet”. Sipas tyre, marrëveshja me Komunën e Tetovës u arrit me përmes nismës “Më mirë për Tetovën”.

Kjo shoqatë njoftoi se deri më tani ka arritur të kapë dhe trajtojë 25 qen nga ato, disa kanë proces të gjatë rehabilitimi.

Kjo shoqatë publikoi edhe detaje specifike nga projekti i tyre, edhe atë:

  • “82 qen do të shpëtohen nga rrugët, do të vendosen në kujdestari (foster) ose strehimore private në pronësi të individëve të ndryshëm dhe përfundimisht do të vendosen në shtëpi të përshtatshme.
  • Ky projekt ka një kohëzgjatje prej 12 muajsh.
  • Për secilin qen komuna paguan 15.500 MKD (pa TVSH – sepse si shoqatë nuk i nënshtrohemi TVSH-së derisa të arrihet një shumë e caktuar) që në total për projektin është 1.271.000 MKD.
  • Shuma e mësipërme mbulon trajtimin nga veterineri (testet për sëmundjet më të zakonshme vdekjeprurëse, analizat e gjakut, vaksinat, mikroçipi, pasaporta, sterilizimi/kastrimi, trajtimi i parazitave të brendshëm (krimbat) dhe jashtëm (pleshtave/ rriqrave)). Çdo gjë më shumë, si p.sh. operimi i një koci të thyer, operacione të tjera përveç sterilizimit/kastrimit, ose një gjendje e përjetshme që ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm, do të mbulohet nga ne me ndihmën e donacioneve.
  • Trajtimi dhe socializimi mund të zgjasë nga 14 deri në 30 ditë në rastet më të lehta dhe me vite në rastet e rënda.
  • Të gjitha kafshët (me miratimin e komunës dhe në bazë të ligjit për mirëqenien e kafshëve) do të mikroçipohen në emrin tonë dhe kështu do të bëhen përgjegjësia jonë për tërë jetën e tyre ose derisa ato të adoptohen dhe të shkojnë në shtëpi permanente.
  • Komuna e Tetovës do të marrë një raport të detajuar për të gjithë 82 qent (për çdo qen veç e veç) në fund të projektit.”

“Meqenëse jemi shumë të suksesshëm në gjetjen e shtëpive për shumë kafshë të ndryshme, ne jemi të sigurt se secili prej këtyre qenve ka një shans të përjetojë gëzimet e jetës familjare me familjen e duhur. Përpara se kjo të jetë e mundur, ata të gjithë do të qëndrojnë në foster (individ që ofrojnë shtëpinë e tyre për këto kafshë përkohësisht) ose hapësira të ndryshme strehimore falë disa qytetarëve të përzgjedhur nga Maqedonia të cilët janë vullnetarë shumë entuziast për të na ndihmuar me përfundimin e suksesshëm të këtij projekti”, njoftuan nga Amos.

Qentë në Tetovë, foto: Amos Pet
Qentë në Tetovë, foto: Amos Pet

Është krijuar edhe linja SOS ku njerëzit mund edhe t’i paraqesin problemet e tyre me qentë endacak, konkretisht qytetarët mund t’i paraqesin rastet e tilla çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në orën 18:00 në këtë numër telefoni: +38971910855 ose në e-mail: [email protected].

Nga 1 janari deri më sot, më 8 gusht, sipas SPB Tetovë në rajonin e Tetovës dhe rrethinës janë regjistruar 41 raste ku qytetarët kanë qenë të sulmuar apo kafshuar nga qentë endacak.

Në vitin 2021 në SPB Tetovë kishte 113 raste të denoncuara për kafshim nga qentë endacak.

Kujtojmë që  shpresat ishin te ndërtimi i qendrës rajonale për strehimin e qenve endacak për tërë komunat e Pollogut, por e njëjta për momentin ka dështuar  pasi komuna e Bërvenicës refuzoi ndërtimin në territorin e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button