Shkup, paraburgim për një person i cili dy herë e ka rrahur dhe lënduar ish-bashkëshorten në sy të fëmijëve të mitur

Prokuroria Publike e Shkupit hapi hetim dhe kërkoi masën e paraburgimit për një 42-vjeçar i cili e sulmoi dy herë, e plagosi dhe e kërcënoi se do ta vriste ish-bashkëshorten në sy të fëmijëve të tyre të vegjël. Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë ushtrimit të dhunës në familje, i arrestuari ka kryer veprën e vazhdueshme penale – Lëndim trupor nga neni 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 dhe në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Më 10 korrik, para një objekti në bulevardin “Jane Sandanski” në Shkup, i dyshuari ia ka kthyer ish-bashkëshortes dy fëmijët e mitur për të cilët kishin marrëveshje për kujdestarinë. Fillimisht ai ka insistuar që të ngjitet në banesë dhe të bisedojë dhe pasi viktima nuk e ka lejuar, i ka zënë rrugën para hyrjes dhe ka nisur ta godasë me grushte në kokë, duke i shtrënguar qafën dhe duart. Thirrja e viktimës për ndihmë është dëgjuar nga tre taksistë, të cilët e kanë tërhequr të dyshuarin. Gruaja e sulmuar më pas ka denoncuar ngjarjen në polici.

Më 4 gusht dhunuesi i ka shkuar në punë viktimës. Fillimisht e ka sulmuar verbalisht, e ka kërcënuar dhe e ka ofenduar. Pasi është larguar, ka vazhduar ta kërcënojë përmes telefonit se nëse pajtohet të qetësohen, do të hyjë në banesën e prindërve të saj dhe do t’i vrasë të gjithë. E shqetësuar për sigurinë e fëmijëve dhe prindërve të saj, viktima ka denoncuar sërish ngjarjen në polici.

Pasditen e së njëjtës ditë, i dyshuari ka marrë vajzën e mitur nga kopshti dhe ka shkuar në banesën e prindërve të viktimës. Kur fëmija ka hyrë në shtëpi, babai i viktimës i ka kërkuar të dyshuarit të largohej, por ai ka filluar të godasë në mënyrë agresive në derën e përparme dhe është përpjekur të hyjë me forcë. Viktima dhe babai i saj kanë tentuar ta mbajnë të mbyllur derën dhe nga shtytja kanë marrë lëndime fizike – gërvishtje dhe prerje. Pasi kanë arritur të mbyllin derën, autori, duke shpërfillur faktin se ishin sërish të pranishëm fëmijë të mitur, ka vazhduar t’i kërcënojë se do t’i vriste dhe të sillej në mënyrë agresive. Viktimat kanë lajmëruar policinë, e cila e ka gjetur të dyshuarin para banesës dhe e ka ndaluar.

“Prokurori publik kompetent ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë se i dyshuari mund të arratiset, kështu që në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka paraqitur propozim për caktimin e masës së paraburgimit”, thonë nga Prokuroria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button