Në vendkalimin kufitar Tabanoc, është sekuestruar mbi 13 kilogram ar në vlerë 600 mijë euro

Gjatë kontrollit doganor të një autobusi për të hyrë në vend në vendkalimin kufitar Tabanoc në kufirin maqedonas-serb, dje janë zbuluar 13.3 kilogramë ar në vlerë prej mbi 600 mijë euro. Në mënyrë shtesë, tek shoferi i autobusit janë gjetur edhe 30 mijë euro, të cilat nuk ua ka deklaruar doganierëve. Autobusi që qarkullonte në linjën e rregullt Poreç – Gostivar, me targa të Gostivarit, ka mbërritur në terminalin kufitar rreth orës 09:00, por për shkak të disa dyshimeve është dërguar në terminalin doganor, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të ekzistimit të dyshimeve, autobusi me targa të Maqedonisë, i cili lëviz në linjë të rregullt nga Poreçi (R. Kroaci) për në Gostivar, së bashku me pasagjerët është drejtuar në terminalin doganor në vendkalimin kufitar. Gjatë kontrollit me skaner mobil, janë vërejtur parregullsi në konstruksionin e çatisë, ku janë gjetur bizhuteri të ndryshme dhe tjegulla ari në forma të rregullta dhe të parregullta”, thonë mes tjerash nga Drejtoria Doganore.

Derisa po zhvillohej e gjithë procedura në terminalin doganor, si dhe procedura policore pas zbulimit të mallit të paligjshëm, rreth 50 pasagjerë, mes të cilëve nëna me fëmijë, kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare për rreth 5 orë. Ata kanë reaguar ndaj sjelljes së papërgjegjshme të kompanisë, për këtë arsye kanë njoftuar se do të nisin procedurat ligjore për dëmshpërblim pas keqtrajtimit që kanë përjetuar gjatë udhëtimit.

“Duam t’u bëjmë thirrje të gjithë transportuesve, por edhe autoriteteve, veçanërisht në këto periudha me shumë të frekuentuara, që të kryejnë kontrolle më të shpeshta dhe çdo sjellje e tillë nga ana e një kompanie që duhet të garantojë sigurinë e udhëtarëve sanksionohet ashpër, pasagjerët të kompensohen në mënyrë adekuate, me shpresë se diçka e tillë nuk do të përsëritet më”, thuhet në njoftimin e udhëtarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button