Nëse përdoret në mënyrë transparente, inteligjenca artificiale premton zhvillim të mëtejshëm për të mirën e njerëzimit

Javën e kaluar në Dubai u vërtetua se kryerja e një operacioni laparoskopik me ndihmën e një roboti me inteligjencë artificiale (IA) jep rezultate më të mira se mënyra tradicionale, gjegjësisht humbja e gjakut zvogëlohet ndjeshëm dhe mundësohet shërimi më i shpejtë i pacientit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk

Edhe pse pothuajse 69 për qind e studentëve në botë mendojnë se disa profesione në të ardhmen do të merren dhe do të kryhen nga pajisjet e inteligjencës artificiale, ndërsa 63 për qind mendojnë se me gjasë këto janë profesionet e arkëtarit, shoferit dhe përkthyesi, shembulli i paradokohshëm i ndërhyrjes robotike tregon se bota nuk është aq larg ndryshimit të mënyrës së menaxhimit të profesioneve që përfshijnë kompetenca më të mëdha.

“Pyetja nuk është nëse ndonjë punë që e bëjnë njerëzit do të automatizohet, por kur”, thotë për Meta.mk, dr. Petre Lameski, docent dhe prodekan për mësimdhënie në Fakultetin e Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike.

Dr. Lameski shpjegon se përfitimet e përparimeve shkencore në fushën e inteligjencës artificiale do të mundësojnë punë që dikur kërkonte 20 ose 30 persona, të kryhet nga vetëm një person i cili do të merret me konfigurimin e makinave dhe monitorimin e proceseve.

“Pjesën fizike të punës do ta marrin përsipër makinat “inteligjente”. Disa muaj më parë pata mundësinë të vizitoja një fermë pothuajse plotësisht të automatizuar në Holandë. Një deri në dy persona janë fuqi punëtore e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë procesin e mbarështimit të 150 lopëve qumështore. Diçka që do të ishte e paimagjinueshme pa përdorimin e makinave inteligjente dhe automatizimit. Sigurisht që ky nivel automatizimi kërkon edhe sigurimin e logjistikës speciale dhe infrastrukturës shtesë”, thotë ai.

Dr. Petre Lameski është i angazhuar aktivisht në hulumtime në fushën e inteligjencës artificiale dhe aplikimin e saj në financa, mjekësi, ekologji dhe bujqësi. Përveç kësaj, ai punon në mënyrë aktive edhe si konsulent për zhvillimin e aplikacioneve që përdorin inteligjencën artificiale për kompanitë vendase dhe të huaja.

“Edhe përkundër kapaciteteve që kemi, fuqia punëtore në vendin tonë, e kjo me gjasë vlen për të gjithë rajonin, është ende mjaft e lirë që nuk të mos ketë interes të mjaftueshëm për automatizim me IA, kështu që ndoshta për shkak të kësaj kemi perceptimin se jemi duke mbetur prapa” – Dr. Petre Lameski, prodekan i FSHIIK-së.

Sipas tij, në një të ardhme të afërt, IA do t’i zëvendësojë ato profesione që janë më të lehta për t’u automatizuar, pra, siç shpjegon ai, profesionet ku proceset e punës janë të përsëritura dhe në një të ardhme më të largët do të zëvendësojë edhe profesionet më të komplikuara (siç është rasti në disa nga vendet më të zhvilluara), e madje edhe ato profesione që kërkojnë kualifikime të larta, si shkencëtarë, mjekë dhe inxhinierë.

Zhvillimi i pajisjeve të inteligjencës artificiale

“Tashmë ka dyqane në të gjithë Evropën ku numri i arkëtarëve është reduktuar në minimum duke i përdorur arkat që llogaritin automatikisht shumat duke i vendosur të gjitha produktet në një shportë. Aty ku këto sisteme janë të pranishme, rroga mesatare e arkëtarëve është mbi 2.000 euro. Automatizimi i proceseve, me apo pa IA, bëhet aty ku është me kosto efektive dhe siç e përmenda më herët, të gjitha profesionet që ekzistojnë sot do të automatizohen, me shumë gjasa duke përdorur AI”, thekson Lameski.

Si arsye për zëvendësimin e profesioneve me IA, ai e tregon shembullin e Britanisë së Madhe, ku siç thotë ai ka mungesë të kuadrove të caktuara.

“Me mungesë të personelit mjekësor dhe në përpjekje për të ulur kostot në sistemin e tyre shëndetësor, Britania e Madhe po investon seriozisht në përdorimin e robotëve që përdorin IA si zëvendësim për mjekët dhe infermierët në shëndetin publik”, thotë Lameski.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk mbetet pas vendeve tjera, përkundrazi, universitetet dhe institutet tona janë duke punuar në mënyrë aktive në hulumtime në fushën e inteligjencës artificiale.

“Si shembull do të veçoj FSHIIK-un si fakultet lider në fushën e IA-së në vend dhe në rajon. Një pjesë e mirë e profesorëve dhe asistentëve që punojnë në FSHIIK hulumtojnë në mënyrë aktive dhe të përkushtuar në këtë fushë. Gjithashtu, studentët që studiojnë në FSHIIK njihen me trendet dhe arritjet më të fundit në fushën e IA-së. Domethënë, në vendin tonë prodhojmë kuadro që mund të përballojnë të gjitha sfidat dhe që mund ta udhëheqin zhvillimin e IA-së në industrinë vendase”, thekson dr. Lameski.

Ndikimi i IA në sjelljen njerëzore

Lameski thekson se IA tashmë është përhapur rreth nesh dhe ne jemi mësuar me ndikimin e saj, aq sa nuk mund ta imagjinonim jetën tonë të përditshme pa atë që na e mundëson IA.

“Fushatat e partive politike që i analizojnë grupet e synuara dhe marrin vendime duke u bazuar në ato analiza, mundësojnë që AI të ndikojë drejtpërdrejt në vendimet tona politike. Kamerat e celularëve përdorin algoritme të IA-së për ta përmirësuar fotografinë që e bëjmë. Aplikacionet që matin aktivitetin përdorin sensorë në kombinim me algoritmet e AI për të klasifikuar aktivitetet tona (çiklizmin, ecjen, vrapimin etj.)”, thotë prodekani i FSHIIK.

Keqpërdorimi dhe kontrolli i pajisjeve të inteligjencës artificiale

Sipas Dr. Lameskit, kontrolli i IA-së mund të arrihet vetëm përmes rregullimit të përdorimit të IA-së dhe transparencës.

Do t’i krahasoja mjetet e mundësuara nga zhvillimi i AI-së me thikën si mjet në kuzhinë dhe thikën si armë në fushën e betejës. Diku këto mjete do të jenë të dobishme, e diku do të shkaktojnë dëm në varësi të aplikimit të tyre. Në fund të fundit mjeti përdoret nga njerëzit dhe përgjegjësia bie mbi ata që e përdorin atë – kështu e përshkruan dr. Lameski abuzimin e mundshëm të inteligjencës artificiale nga njerëzit.

Transparenca e IA-së ka shkaktuar mjaft interes në qarqet shkencore në periudhën e fundit dhe për studimin e saj janë ndarë shumë burime.

“Qëllimi është të bëjmë një makinë apo softuer që në të njëjtën kohë do të jetë mjaft efikas dhe i saktë në punën e tij dhe do të jetë në gjendje të japë llogari për punën e tij. Mjetet që përdorin IA edhe tani e bëjnë këtë, por e bëjnë atë në një gjuhë që vetëm inxhinierët dhe shkencëtarët mund ta kuptojnë. Po punohet intensivisht për të eliminuar këtë mangësi të IA-së. Mendoj se edhe politikat e rregullimit të IA-së do të shkojnë në drejtim të ndërtimit të sistemeve të bazuara në IA që janë transparente dhe vendimet e të cilave mund të shpjegohen”, thotë dr. Lameski.

Ai thekson se nevojitet rregullimi, i cili duhet të synojë parandalimin e aplikacioneve të dëmshme, të cilat njëkohësisht do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të inteligjencës artificiale.

“Po bëhet e pamundur të ndiqet zhvillimi i inteligjencës artificiale në atë masë sa që në të ardhmen do të jetë e nevojshme të trajnohet një inteligjencë artificiale që do të ndjekë zhvillimin dhe do ta përmbledhë atë për ne. Është interesante se tashmë ka metoda që e mundësojnë këtë”, thotë Lameski.

Ekzistojnë gjithashtu armë ushtarake që përdorin teknologji të IA-së dhe vendet shumë të zhvilluara tashmë janë në një garë për të krijuar armë të tilla më të përsosura.

“Përderisa disa vende e rregullojnë së tepërmi qasjen në të dhëna, vende të tjera po krijojnë risi mjaft të avancuara duke i përdorur të dhënat që i kanë në dispozicion, ndonjëherë duke i injoruar rregullat dhe normat etike”, nënvizon Lameski.

Njerëzit, pajisjet dhe makineritë që i përdorim, madje edhe vetë natyra përreth nesh, gjenerojnë një sasi të madhe të dhënash për çdo ditë.

“Ne mund t’i mbledhim dhe t’i regjistrojmë këto të dhëna dhe në bazë të tyre, duke përdorur metodat e ofruara nga IA, të dizajnojmë dhe t[ prodhojmë pajisje të ndryshme inteligjente nga të cilat do të përfitojmë ne dhe shoqëria jonë”, thekson dr. Lameski.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button