Kundër ‘’ideologjisë së konsumit”

“Disa humbje janë fitore të vërteta, ndërsa disa fitore janë më të turpshme se humbjet.”

-Liebknecht

Libri Mbi mjerimin e jetës studentore (1966), një pamflet i botuar para pesë dekadash e gjysmë, kritikon kolektivet studentore si Provos (Holandë), Komiteti i Njëqindëshit (Mbretëri e Bashkuar), atë të Berkeley-it, Kaliformi (ShBA) për faktin që kanë luftuar çështje specifike si armët bërthamore, racizmi dhe censura para se të kritikojnë sistemin si një e tërë.

Është një kritikë sociale ultramajtiste, me frymëzim kryesisht marksist, një kritikë totale e shoqërisë bashkëkohore, e shtetizmit spektakolar modern qoftë policentrik (demokraci liberale) apo monocentrik (diktaturë e partisë). Në veçanti është kundër shtetizmit kapitalist i cili duhet të zëvendësohet nga rendi pa klasa dhe pa shtet.

Kritika në fjalë është bërë në “epokën e artë” të shtetit kejnsianist të mirëqenies sociale, të cilën situacionistët e konceptuan si pikën kulmore të zhvillimit të shoqërisë kapitaliste të shndërruar në shoqëri konsumi. (Dedej, 2022)

Është ky një manifest i një rinie disidente i inspiruar nga aktualiteti i atëhershëm nihilist, i epokës së zgjerimit të kohës së lirë tepër të mërzitshme të konsumatorit; të kontrollit në rritje të çdo aspekti të jetës së përditshme nga ana e forcave të policisë psiko-humaniste; dhe të mbijetesës ekonomike të një njësie familjare që e ka humbur të gjithë domethënien.

Atëbotë rininë e kanë tërhequr për në sferën e konsumit motorat, kitarat elektrike, veshjet dhe disqet, sot IPhone, Instagram, BMW, Nike, … Si atëherë si sot, në shekullin XXI duket se rinia është “konsumatore e manipulueshme”.

Sipas Khayatit, fetishizmi i mallrave të konsumit masiv mbetet pengesa thelbësore drejt emancipimit total dhe ndërtimit të lirë të jetës sociale. (f. 61) Ndërkohë qytetarët duhet të asgjësojnë pseudonevojat dhe dëshirat false të cilat sistemi i fabrikon përditë për të ruajtur fuqinë e vet, për ruajtur dominimin mbi masat. Nga ana tjetër duhet ringjallur dhe përmbushur dëshirat reale që sot janë të nëndheshme, që nga spektakli janë rrasur në qoshet e errëta të të pandërgjegjshmes revolucionare.

Nëse nuk rebelohet rinia universitare dhe proletariati, në skenë do të dalin provot pseudo-revolucionarët e vetëcilësuar si provokatorë të rendit ekzistues, do të shfaqen liderë që sajojnë ideologjinë pa vlerë të të ashtuquajturit provotariat që e zëvendëson proletariatin pasiv dhe “borgjez” që ende adhurohet nëpër faltoret e errëta majtiste (f. 39). Provot na duhen por pa liderët dhe ideologjinë e tyre. Nëse duam ta ndryshojmë botën, duhet hequr qafe ata të cilët kënaqen duke e pikturuar me të bardhë, pra botën duhet paraqitur dhe parë atë ashtu siç është.

Ideologjia situacioniste tërheq vërejtjen që organizatat studentore të mos shkasin në botën e mbyllur të sekteve, të mos përdorin drogërat ngase konsumimi i tyre është shprehje e mjerimit. Revolucioni nuk pranon interesa parciale, ai duhet të realizohet nga të gjitha viktimat e shtypjes së padrejtë dhe tiranisë së tregut (f. 43). Mashtrimi dhe gënjeshtra janë mjete të papërshtatshme për organizatat dhe lëvizjet shoqërore. Sapo një organizatë që pretendon të vërtetën shoqërore të përvetësojë gënjeshtrën si taktikë, karriera e saj revolucionare përfundon.

Sipas Khayatit, komodifikimi i jetës, fetishizmi i famshëm dhe feja e spektaklit mbeten pengesa thelbësore drejt emancipimit total dhe ndërtimit të lirë të jetës sociale. Në këtë drejtim shfrytëzohet edhe mbizhvillimi: për të shpikur forma të reja të shtypjes, që proletarin e bëjnë një njeri që nuk ka fuqi për përdorimin e jetës së vet. Njeriu duhet të ketë dëshira reale përmbushjen e të cilave duhet ta synojë, duhet të ketë si objektiv shkatërrimin e spektaklit dhe të aparatit tërësor të shoqërisë së mallit.

Të kontekstualizojmë: A kemi kritikë sociale në mesin tonë? A kemi organizata studentore aktive që vigjilojnë mbi zhvillimet akademike dhe shoqërore në përgjithësi? Po ndonjë projekt revolucionar? Dikur rinia studentore shqiptare ka sfiduar një shtet titan si Jugosllavia? Sot? Faktet empirike flasin se kemi një rini studentore të tëhuajësuar nga sistemi i mallit: në universitet vihet me rroba dhe makina firmato, jeta studentore sillet rreth kafesë dhe ndejave, spektakleve, byfetë dhe amfiteatrot janë shndërruar në pasarela dhe vetëm një minoritet i shkëlqyer ka mendjen te arsimi dhe libri.

Janë komodifikuar edhe diplomat dhe certifikatat, kredencializmi është ideologji e shkollarizmit të sotëm. Kemi nevojë për rikthim të dinjitetit të arsimit dhe të studentit, të ndërgjegjes për ndryshime, të asaj kritike, të shpëtimit të rinisë nga të qenët “gjahtarë notash”, “mall politik”, “mall mode”. Studentët duhet të mendojnë me kokën e vet; ata janë subjekte, ata munden. Just do it!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button