RMV, përforcohen inspektimet për çmim “më korrekte” të peletëve dhe drurit për ngrohje

Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) për një javë ka zbuluar shtatë parregullsi tek tregtarët me peletë, në mbikëqyrjet e përforcuara inspektuese në virgjile të sezonit të ri të ngrohjes, shkruan REL, njofton Portalb.

Drejtoresha e ISHT-së Aneta Simeska Dimoska informoi se nga 22 deri më 28 korrik të këtij viti kanë kryer 131 mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese të tregtarëve me peletë në gjithë territorin e shtetit gjatë të cilëve është konfirmuar se çmimi shitës i peletëve lëvizë nga 15 deri në 26 denarë për kilogram, me marzhë prej 8 deri në 65 për qind, dhe nga 220 deri në 390 denarë për thes prej 15 kilogramëve, gjegjësisht marzhë prej 10 deri në 40 për qind varësisht nga lloji i peletëve.

Rezerva e përgjithshme e peletëve të cilën e kanë konfirmuar inspektorët është 5.696.600 kilogramë, ndërsa kapacitet prodhues ka pasur tek tetë subjekte.

“Në këtë periudhë kohore gjatë mbikëqyrjeve inspektuese janë konfirmuar gjithsej shtatë parregullsi, për çka janë shqiptuar sanksione adekuate në pajtueshmëri të madhësisë së subjektit”, tha Simeska Dimoska.

Në vend ka tetë kompani për prodhim të peletëve të cilët plotësojnë rreth 20 për qind të nevojave të tregut vendor. Madje 80 për qind e nevojave plotësohen nga importi.

“ISHT edhe në vazhdimësi kryen mbikëqyrje të të gjithë prodhimeve për të cilët në pajtueshmëri të metodologjisë së rrezikut konfirmohet se duhet të jenë lëndë e mbikëqyrjes. Për drurin për ngrohje kemi vepruar së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Inspekoratin Shtetëror të Punës me ç’rast kemi konstatuar edhe parregullsi, por kjo punohej në kontinuitet edhe sipas denoncimeve nga qytetarë gjatë marsit, prillit dhe majit. Për peletë vazhdimisht punohej dhe ishin lëndë e mbikëqyrjes në planin për marsin lidhur me cilësinë dhe deklaracionet”, saktësoi Simeska Dimoska.

Nga Ministria e Ekonomisë informojnë se vitin e kaluar nga vendi janë eksportuar 550.085 kilogramë peletë në vlerë prej 103.704 euro. Në gjysmën e parë të këtij viti janë eksportuar 237.330 kilogramë peletë në vlerë të përgjithshme prej 49.787 euro.

Krahas kësaj, janë eksportuar edhe 22.700 kilogramë drunj për ngrohje ose 28,4 metra në kub në vlerë prej 2.012 euro. Leje ka për eksport të gjithsej 96.000 kilogramë, gjegjësisht për 120 metra në kub, por pritjet janë se nuk do të realizohet për shkak të ndalesës për eksport nga ana e Qeverisë prej para një muaji me qëllim që të mbrohet tregu nga mungesa e këtyre energjenseve.

Nga Qeveria paralajmëruan se publikisht do t’i publikojnë firmat të cilat qëllimisht fshehin peletë dhe drunj për ngrohje dhe krijojnë krizë artificiale. Një pjesë e këtyre problemeve do të zgjidhen me ligj të ri për marrëdhënie korrekte në ekonomi i cili është në përgatitje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button