Përfundoi edicioni i katërt i festivalit më të madh në Kosovë dhe rajonin shqiptar, Sunny Hill (VIDEO)

Përfundoi edicioni i katërt i Festivalit Sunny Hill i cili u mbajt në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. Ky festival është festivali më i madh që organizohet në Kosovë dhe rajon. Dua Lipa së bashku me babin e saj, Dukagjin Lipa, e kanë shndërruar këtë festival në një traditë. Qëllimi i këtij organizimi është që të mblidhen para për fondacionin Sunny Hill, shkruan Portalb.mk.

Edicioni i parë i Sunny Hill u zhvillua në vitin 2018 dhe sipas organizatorëve kishte më shumë se 18,000 njerëz të cilët morën pjesë. Tani interesimi për të vizituar këtë festival rritet çdo vit e më shumë. Sipas lajmeve të fundit, këtë vit kishte rreth 20,000 vizitorë.

Organizimi i këtij viti le shumë për t’u dëshiruar nga vizitorët. Të rinjtë ishin të zhgënjyer nga organizimi. Nga hyrja në festival vërehej një fluks i madh njerëzish të cilët e bënin të vështirë depërtimin në festival. Kjo bëri që të gjithë të prisnin nga dy orë për t’u futur në festival. Duke vazhduar pastaj te pjesa e skenës e cila ishte e vendosur shumë poshtë dhe të gjithë kishin vështirësi për ta ndjekur performancën e këngëtarëve.

Foto: Ron Mirta | Festivali Sunny Hill
Foto: Ron Mirta | Festivali Sunny Hill

Nga ana e organizatorëve ishte thënë që nuk do lejohej depërtimi i veturave, por, kjo rregull nuk u zbatua, kështu duke e bërë të vështirë  që vizitorët të mund të arrinin deri te Parku i Gërmisë nga kolonat e veturave dhe më pas shumica e tyre duke u kthyer në këmbë poshtë në qytet.

Përskaj këtyre parregullsive, performancat e shkëlqyera të yjeve vendase dhe botërore bënë që të rinjtë të kënaqeshin në atmosferën e krijuar brenda festivalit. Në katër netët e festivalit artistët kryesorë të mbrëmjeve ishin Dua Lipa, J Balvin, Skepta dhe Diplo. Gjatë performancave të tyre artistët u siguruan që të lenin një shije të mirë te publiku.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit për herë të parë Sunny Hill Festival do të mbahet edhe në Tiranë nga 26 deri më 28 gusht. Kjo u vendos pas disa problemeve të cilat organizatorët hasën me lokacionin. Institucionet qëndrore dhe lokale bashkërisht shprehën gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Festivali Sunny Hill këtë vit udhëhoqi fushatën me moton “Më lër të lirë”. Fushata kishte për qëllim të sensibilizojë të gjitha vendet evropiane për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button