Gjashë vite nga vërshimet katastrofike në Hasanbeg të Shkupit

Banorët e Shkupit, gjegjësisht vendbanimet Hasanbeg, Stajkovcë, Straçincë, Rashtak dhe Haraçinë përjetuan katastrofën natyrore me përmasa shkatërruese dhe fatale pasditën e 6 gushtit 2016, njofton Portalb.

Si pasojë e vërshimeve humbën jetën 22 persona, gjithashtu mbetën të shkatërruara shumë shtëpi, biznese, e dëme të tjera materiale.

Njerëz të shumtë dolën për të ndihmuar në teren, për pastrim të shtëpive dhe kërkimin e personave të zhdukur.

Hasanbegut pas vërshimeve i erdhën në ndihmë shtete të ndryshme të rajonit dhe pjesën më të madhe të dëmit material pothuajse e kompensuan.

Pas këtyre vërshimeve banorëve e lagjeve të lartpërmendura u janë nevojitur disa muaj që t’i kthehen jetës normale.

Gjatë 24 orëve më 6 gusht të vitit 2016 në Shkup kanë rënë 92,9 litra shi në një metër katror, ndërsa gjatë dy orëve të para nga fillimi i motit të lig ka pasur mbi 800 vetëtima.

Moti i lig dhe vërshimet e ujit kanë shkaktuar rrëzim të drunjve, ndërsa shtëpitë kanë mbetur pa energji elektrike. Rreth një mijë qytetarë janë evakuuar gjatë natës së 6 gushtit.

Qytetarët nga mbarë vendi të koordinuar nga Kryqi i Kuq, Shtabi i krizës dhe institucionet kompetente në ditët në vijim janë solidarizuar për grumbullimin e ndihmës më të domosdoshme për të pësuarit. Tetë gushti i vitit 2016 është shpallur Ditë zie në Republikën e Maqedonisë.

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike në raportet për motin e lig informoi se në Zajçev Rid – stacionin kryesor meteorologjik në Shkup, është shënuar intensitet rekord për reshje pesëorëshe të shiut prej 84,5 milimetra.

“Fenomen i llojit të posaçëm meteorologjik që ka zgjatur disa orë me regjenerim të vazhdueshëm dhe formim të vatrave të stuhishme, edhe pse sipas shtegut të lëvizjes, parashikimi ka treguar se duhet të kalojë në afat të shkurtër. Intensiteti rekord i motit të ligë që e ka kapluar luginën e Shkupit është me mundësi të paraqitjes prej 0,1 për qind ose një herë në njëmijë vite”. Kështu DPHM e sqaroi parashikimin e motit që e goditi luginën e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button