Përballë pasqyrës së një gruaje

Pasqyra e madhe përballë, e pamëshirshme, sikur kërkon me padurim shfaqjen e përditshme të striptease-t që ajo i bën, sa herë kthehet nga puna. Ashtu dhe sot, derisa hiqte nga trupi i lodhur rrobat e punës, copë më copë, shtresë më shtresë, deri te zbulimi i tërësishëm, shumë më shumë se që do të donte ndoshta. Me heqjen e rripit, beli lëshohet në liri, për të çformësuar siluetën e përmbledhur që e heq zvarrë jashtë shtëpisë. Flokët e përzdredhura i mbledh shkujdesshëm në një krehër, dhe i përvishet punës në orarin e dytë…tani në shtëpi. Dhe, nuk dëgjon as edhe një rrapëllimë duarsh a duartrokitjesh. Me zbërthimin e pullave një nga një, dalin në pah ato që me lehtësi fshihen dhe nuk i sheh dot bota. Për ngushëllim, i thotë vetvetes: “Ani, të çarat, të varurat dhe shenjat janë aty. Po ajo që të tjerët nuk dinë, s’më lëndon dot”.

Në një nga ato herët kur takonte mikeshat për shfryrje dhe mbushje energjie, njëra po i thoshte se si po i rrinte burri mbi kokë, sa herë që ajo shtonte dy a tre kilogramë më tepër. Tjetra ndërkaq po i tregonte se sa orë në ditë po i kalonte në palestër, dhe që burri i saj as edhe një herë të vetme nuk e komplimentonte – nëse jo për dukjen e përmirësuar, atëherë të paktën për vullnetin që ajo gjen të fus me zor në agjendën ditore ushtrimet fizike! E prapë, një tjetër ndan me to se sa e pavërejtur i dukej tani vetvetja, që burri i saj moti kishte reshtur së vërejturi peshën kokëforte, me të cilën ajo luftonte tash e sa vite. Ndërkaq e fundit, pa bëza, drejtonte supet, për te zbuluar me krenari muskujt e fortë gur, ngjashëm me skulpturat olimpike në Greqinë antike!

Secila nga to, me buzëkuq ose jo, shikonin vetën në pasqyrë shpesh, ndoshta më shpesh sa që duhej. Refleksioni megjithatë nuk iu buzëqeshte. Fshiheshin vazhdimisht pas fëmijëve, shalleve laramanë, ose edhe fotove të bëra nga beli e sipër. Që në mëngjes fusnin me ankth shputat në taket e larta, për të reflektuar vetëbesim dhe për të treguar pushtetin. Asnjëherë nuk ndaleshin te buzëqeshja, te shpirti që vente në lëvizje ato trupa. Te trupat që pastaj kishin dhuruar jetë. Te ato vetë që ishin aq të adhuruara dikur në epsh të pandalshëm, sa për të ngjizur foshnjat. Te ato trupa vigane, që duronin orë të tëra dhimbjesh, për të “qit” në dritë fëmijët. Dhe këtu ishte madhështia.

Por e tërë kjo madhështi shkonte dëm se ato nuk kishin sytë për t’a parë. Ishin lidhur nyje pas pritjeve dhe mureve që vet kishin ngritur rreth vetes, sa nuk shihnin dot veten për ato që ishin. Dhe këtu nuk kishin faj as burrat, shefat, a shitëset e dyqanit, që sigurisht nuk çanin kokën dot as për taket, aksesorët apo buzët e zhytura në shkëlqyes të lloj- llojshëm. Ishin vetë ato, në secilin që fajësonin.

Literatura, qoftë fiktive ose dhe nga ato doracakët vetë-ndihmues, thith miliona dollar nga vajzat dhe gratë e shkreta anë e kënd botës me premtimin për t’i bërë ato më të dëshirueshme, më të mira, thjeshtë si një copë mishi që vlen për tregun kërkues. Por kjo ndodh vetëm pse vajzat dhe gratë e lejojnë një gjë të tillë. Reklamat në billborde gjigante, edhe në pamje të zmadhuar, të “nxjerrin” sytë me trupa të njomë, të rreshkët nga dielli, madje edhe për të shitur produkte që fare s’kanë të bëjnë me njeriun. Dhe ne magjepsemi, e “çartemi” nga dëshira për t’u dukur si ato.

Po, barku mund të ishte edhe më i përmbledhur, po dhe balli do të mund të ishte më i sheshtë, e një hundë Helene do të më bënte bukuroshe, por ama ku është fundi? Kur do të na duket vetja tamam? Kur do të kënaqemi me veten në pasqyrë, aq shumë sa për t’a prishur qetësinë e dhomës me duartrokitjet që i japim vetes?!

Natyra është e bukur pse nuk e mban dert se si e shohin të tjerët. Në harmoni kryen funksionet e veta, derisa të tjerët mrekullohen me të.

Prandaj, derisa të mbathim taket në mëngjes, të njëjtat t’i kemi dhe në mendje. Se je e bukur dhe e mirë aq sa i lejon vetes të jesh. Të tjerët shohin atë që do ti të shohin dhe pikë. Ji e mirë për veten se do të jesh pastaj dhe për të tjerët. Duaje, ruaje dhe vlerësoje veten. Arritja në këtë pikë ku t’i pëlqen atë që sheh, nuk është fare larg. Po pret, mu aty, në pasqyrën që të shikon përballë!

Lajme të ngjashme

Back to top button