Dua Lipa mori titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës

Këngëtarja Dua Lipa është shpallur Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës. Këtë e bëri të ditur presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, transmeton Portalb.mk.

Presidentja njoftoi se Dua Lipa nderon vendin çdo kund ku ajo shkel dhe performon.

“Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falenderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë”, njoftoi Osmani.

Foto: Faqja zyrtare e Vjosa Osmanit
Foto: Faqja zyrtare e Vjosa Osmanit

Ajo e konsideron Dua-n si ikonë e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës.

“Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill”, tha Osmani.

Foto: Faqja zyrtare e Vjosa Osmanit
Foto: Faqja zyrtare e Vjosa Osmanit

Dua Lipa është një nga këngëtaret më të suksesshme dhe më të kërkuara të muzikës për momentin në të gjithë botën. Ajo është me prejardhje nga Kosova. Aktualisht ajo gjendet në Prishtinë, ku mbrëmë edhe performoi në festivalin Sunny Hill.

“Është një ëndërr e madhe për mua që të jem këtu me ju sonte, të realizoj një festival të këtillë me familjen time, shoqërinë dhe të gjithë organizatorët e tjerë”, u shpreh Dua Lipa dje gjatë performances së saj.

Festivali filloi dje dhe to të zgjas deri të dielën.

Ky festival gjithashtu është duke udhëhequr një fushatë me moton “Më lër të lirë”. Fushata ka për qëllim të sensibilizojë të gjitha vendet evropiane për liberalizimin e vizave për Kosovën.

LEXO: Dua Lipa në Sunny Hill: Është një ëndërr e madhe e imja që ta realizoj këtë festival

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button