Gjykata mbron dhunuesin, jo viktimën: Mbrojtje urgjente për nënën nga Gostivari nga ish – partneri i saj polic

Organizatat qytetare, anëtare të Platformës për Barazi Gjinore, kanë reaguar ashpër ndaj mosveprimit të institucioneve kompetente në lidhje me personat që përballen me dhunën në familje, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Fjala është për Elena Jovicoska nga Gostivari, 27 vjeçare, nënë e një fëmije të mitur, e cila ka pesë vite që përballet dhe ka duruar dhunë në familje nga ish-partneri i saj, përkundër faktit se e ka raportuar rregullisht në institucionet kompetente. Ndaj autorit, i cili është edhe punonjës policie, ka gjashtë procedime penale aktive, por rruga deri te drejtësia për Elena Jovicoskën ka rezultuar e pasuksesshme, për shkak të vendimit të vetëdijshëm të gjykatës për të mbrojtur autorin, e jo viktimën. e cila jeton çdo ditë nën stres dhe frikë për jetën e saj. Përveç Elenës, dhunë fizike pëson edhe familja e saj, sidomos babai i saj i moshuar, por kjo padyshim që nuk është aspak e rëndësishme për gjykatën në Gostivar. Ndonëse ndaj autorit janë ngritur procedura gjyqësore, për të njëjtat shqiptohen dënime të ulëta, të papërshtatshme për krimet që personi i kryen. Ashtu ndodh që dënimet janë me nga disa muaj burg, me çka vërtetohet faktin se gjykata e mbron autorin e dhunës dhe jo viktimën. Është e rëndësishme të theksohet këtu se, aktgjykimet janë shfuqizuar në vazhdimësi nga Gjykata e Apelit të Gostivarit, ashtu që autori mbetet i pandëshkuar dhe kështu bëhet viktimizimi dytësor për ata që e raportojnë dhunën në familje”, reagojnë organizatat e shoqërisë civile.

Sipas Rrjetit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, gjykime të tilla absurde, me të cilat mbrohen autorët e dhunës në familje e rrisin mosbesimin tek institucionet dhe kontribuojnë që personat të cilët vuajnë dhunën në familje të mos e raportojnë atë në institucionet kompetente. Përveç kësaj, në rastin konkret, autori i krimit është punonjës policie, gjë që e ngre shkallën e seriozitetit, pasi MPB punëson persona të cilët në vend se t’i mbrojnë qytetarët janë autorë të krimeve.

“Si vërtetim i kësaj është edhe një video e regjistruar nga kamerat e sigurisë brenda ambienteve të gjykatës, e publikuar në rrjetet sociale. Në këtë incizim shihet qartë sulmi fizik nga autori- polic dhe babai i tij, gjithashtu punonjës policie, si dhe nga nëna e autorit, ndaj Elenës dhe babait të saj. Për këtë sulm konkret, Elena dhe babai i saj kanë pësuar lëndime të rënda, por autori është dënuar me vetëm katër muaj burg, ndërsa babai i autorit ka marrë vetëm dënim me kusht. Në regjistrimi shihet qartë se as policia gjyqësore nuk ka ardhur të mbrojë Elenën dhe babanë e saj, edhe pse sulmi fizik ka ndodhur në një institucion publik, me çka është prishur edhe rendi edhe qetësia”, theksojnë organizatat e shoqërisë civile. Në reagimin e tyre ata kanë theksuar se autori edhe në vitin 2017 e ka kërcënuar drejtpërdrejt jetën e Elenës dhe familjes së saj me një armë të rrezikshme, për të cilën ekziston audio incizim, por gjykata në vendimin q[ e ka marrë vlerëson se regjistrimi audio për kërcënim me armë të rrezikshme nuk mund të jetë provë në procedurë dhe arsyeton se i akuzuari si polic ka ditur të trajtojë armën dhe ka mundur ta kontrollojë veprimin e tij, si dhe se nuk është vërtetuar se në cilin drejtim është shkrepur plumbi.

“Dëshirojmë të rikujtojmë gjykatën se sipas nenit 80 të Ligjit për Policinë, përdorimi i mjeteve të shtrëngimit është vetëm kur puna policore nuk mund të kryhet në asnjë mënyrë tjetër. Me këtë, në asnjë ligj nuk lejohet përdorimi i armëve me qëllim të marrjes në shenjë dhe kërcënimit të jetës së qytetarëve.

Ose më konkretisht, nëse ndonjë punonjës policie është i autorizuar të përdorë një armë, ai nuk mund ta përdorë atë për të ushtruar dhunë në familje. Përkundrazi, gjatë kryerjes së dhunës në familje, arma duhet të konfiskohet menjëherë dhe punonjësi i policisë duhet të dërgohet në ekzaminim të detyrueshëm psikiatrik dhe psikologjik, përkatësisht këshillim me psikolog, sipas nenit 31 paragrafi 2 dhe nenit 31- paragrafi 1.

Vallë kërcënimet me jetë nuk janë të rëndësishme për gjykatën? A është e informuar gjykata se ky është parim kushtetues i ngritur në gradën më të lartë”, kanë theksuar nga Rrjeti Kombëtar për Mbrojtje të Grave nga Dhuna në Familje.

Gjithashtu, ata konsiderojnë se në rastin konkret janë përmbushur, karakteristikat ligjore të krimeve të lëndimit të rëndë trupor të kryera gjatë dhunës në familje sipas nenit 131 të Kodit Penal dhe rrezikimit të sigurisë sipas nenit 144 të KP.

“Duke pasur parasysh faktin se këto krime kryhen gjatë akteve të dhunës në familje, dhe vetë kryesi është person që është kthyer nga burgu i cili i ka kryer këto vepra disa herë, apelojmë në Gjykatën e Apelit të Gostivarit që t’i vlerësojë detyrimisht si rrethana rënduese me rastin e caktimit të dënimit, sepse vetëm në atë mënyrë gjykata do të mund të nisë nga një pikënisje e saktë në procesin e vlerësimit përfundimtar të dënimit. Nga sa u tha më lart, kërkojmë që Gjykata e Apelit në Gostivar ta shqyrtojë seriozisht këtë rast dhe mbi të gjitha t’i përmbahet parimit të kujdesit të duhur në përputhje me Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje dhe Konventës së Stambollit dhe në atë mënyrë sjellë aktgjykim me të cilin autori-polici do të dënohet me dënimin më të rëndë”, janë të prerë nga Platforma për Barazi Gjinore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button