Mos u besoni danajve edhe kur ju japin dhurata

Kështu u tha Laokoonti të vetëve para mijëra vitesh, kur ata vendosën ta fusin Kalin brenda mureve të Trojës, të cilin grekët kubarë e lanë para portës si punë peshqeshi dhe bënë sikur hoqën dorë nga vazhdimi i luftës pushtuese në të cilën u derdhën lumenj gjaku nga të dyja palët.

Natyrisht, po ta kishte dëgjuar turma Laokoontin, danajt e pabesë do ta kishin vështirë ta mposhtin Trojën, ta rrënojnë atë me themel dhe të therrin e pjekin trojanët në mënyrën më barbare të mundshme.

Të mençurit morrën mend nga ngjarjet e këtilla dhe nuk u besuan kurë dhuratave armike. Në sajë të kësaj vigjilence ata krijuan shtetet e tyre, që i forcojnë dhe i ruajnë si sytë e ballit, sepse Mëmëdheu është një, si Nëna. Jo rastësisht e kanë pagëzuar me emrin e saj. Të tillët  madje i kanë zgjeruar dhe zgjerojnë kufijtë e atdheut në llogari të budallenjëve dorëlëshuar. Ata kanë rritur numrin e njerëzve dhe kanë kultivuar me sistem dashurinë ndaj  gjuhëve, kulturave, traditave të bukura dhe gjithë tipareve që e bëjnë identitetin e një bashkësie njerëzish.

Ne ndërkaq, përkundër të dhënës se konsiderohemi si njëra ndër etnitë më të lashta të Djepit të kulturës evropiane, nuk morrëm mësim nga fjala e urtë ë popullore: Besnik bëhu po besë mos zë!, që ndoshta është nëna e thënies së Laokoontit për danajt e pabesë. Ne, si rrallë kush, nuk kemi mësuar gjë nga pësimet historike, ndaj kemi mbetur tek vargu emblematik i poetit Sabri Hamiti: Përsëritja përsëritet përsëri, që rrëfen më qartë se gjithë historitë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e vrarë nga kanibalët e politikave tona qorre, që po boshatisin me ritëm tmerrues Shqiptarinë.

Shi për këtë, nëse nuk lind një Promete për t’na i hapur sytë ta kuptojmë llofkën në të cilën na ka kllumur hira e etnisë, nëse nuk lind një Skënderbe i ri, për të cilin Sami Frashëri thoshte: Vetëm një Skënderbe ka punuar për Shqipërinë dhe vetëm Ay është me të vërtetë mburje për Shqiptarët…; nëse nuk lind një reformator që do ta shërojë shoqërinë shqiptare nga iletet kronike dhe do të vë në këmbë të shëndosha ligjin, politikën, ekonominë, arsimin…, Shqiptaria do të shndërrohet më shpejt se na e merr mendja në tokë merra, kurse shqiptarët në rajë të nëpërkëmbur nga i rrjepti e i shqepti.

Kjo mund të ndodh për shkak se ne vazhdojmë të besojmë armiqtë shekullorë. Për ne nuk qe boll që brenda një periudhe 150 vjeçare më shumë se gjysma e territoreve shqiptare iu dhurua fqinjëve nëpërka me vendime konferencash e kongresesh famëkëqia, ndaj e vazhduam mekamin e dhurimit të pjesëve të mbetura edhe në shekullin XXI, duke u falur danajve (armiqve) tanë copa toke e deti dhe trashëgimi të paçmueshme shpirtërore e materiale.

Bie fjala, me ndihmën ruse Mali i Zi na e morri Ulqinin, Tivarin, Plavën, Gucinë…, kurse Gjetobashomujët e sotëm që qeverisin Shqiptarinë, përkundër përkrahjes nga aleatë të fuqishëm që përpiqen t’na ndihmojnë të ecim përpara, i falën asaj edhe disa mijëra hektarë tokë, se është shtet i vogël, se është gjynah dhe e kemi fqi.

Po me ndihmën ruse, Serbia përzuri me dhunë shtazarake mijëra shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit, rrënoi e dogji qindra katunde dhe 4-5 qytetete më numër të konsiderueshëm shqiparësh, si: Nishi, Vranja, Leskoci…, zaptoi për një shekull Kosovën, Luginën, Maqedoninë e Veriut…, kurse disa Gjetobashomujë të Shqiptarisë janë të gatshëm t’ia falin sot edhe Veriun e Kosovës tani më shtet të pavarur, e më pastaj ndoshta dhe një dalje në detë, një port detar, sa ta fusin pak kokën brenda shtëpisë sonë…, se na vin shumë gjynah për serbët, të cilët, të paktën që nga Garashanini e këndet, e kanë qejf Adriatikun dhe sigurisht ëndërrojnë ta fitojnë nëpërmjet profkës Ballkani i hapur, pa u ndeshur më me Lumnjanët dhe fiset tjera “të egra” shqiptare…

Greqia që gjithashtu mbiu në tokat e vaditura me gjak shqiptarësh, posa iu dha rasti, vrau dhe përzuri përsijeta çamët nga vatrat shekullore, kurse parësia hajdute e shtetit shqiptar, pa pikë dhimbje lejoi shndërrimin e varreve të shqiptarëve në varre ushtarësh grekë, me të cilët danajt e Laokoontit vizatojnë hartën e Vorio Epirit dhe rrumbullakësojnë para hundëve tona leshatake Megali Idenë e ëndrrave të tyre. Sipas të gjitha gjasave, në pronësi të danajve kubarë do të kalojnë së shpejti dhe disa milje të detit Jon me sasira të stërmëdha nafte, se gjynah, ua kemi dhënë besën prej vitesh dhe kojshi i kemi.

Po më e keqja mund të ndodhë pas këtyre dhuratave të turpshme për ne, sepse, siç flitet, mu para anëtarësimit të Shipërisë në BE, danajt e pabesë do t’i vënë në ankand asetet e Shqiptarisë nëpërmjet kushtëzimeve të reja, ndoshta për aneksimin e Himarës bashkë me vendbanimet tjera ku një pjesë e shqiptarëve të tjetërsuar qe 30 vjet me pagat 50-eurëshë të Heladhës, përkulen para dhuratave të danajve. Ndoshta do t’ia falin edhe perlën natyrore të quajtur Syri i Kaltër, se gjynah, u duhet për ujë të pijshëm dhe për të freskuar bythën me shenjtëritë tona.

Dhe, për habinë e habive të botës, shumë “burrështetas” dymetroshë shqipfolës me alamet llaçkash për të sharë në mënyrën më banale hajdutët e partive të tjera, para kolegëve serbë e grekë, shndërrohen në peshq pa gojë, qëndrojnë gatitu me kulet poshtë, janë inferiorë dhe të gatshëm të shesin me çmime idiote Atdheun e shqiptarëve, sepse ndryshe si do ta bëjnë vuçiqët Botën serbe, si to ta sendërtojnë danajt Megali Idenë , si do të zmadhojnë gjukanoviqët Malin e Zi, si do të vazhdojnë t’na llogarisin edhe më tej albanofobët e RMV-së jo si etni autoktone, po si përqindje?

Së këndejmi mos t’ju duket e rastit interesimi i sllavëve dhe grekëve për të blerë patundshmëri dhe për të ndërtuar objekte hotelierike në bregdetin atraktiv shqiptar, në një kohë kur bijtë e shqipes ikin nga sytë këmbët nga Atdheu i tyre i vetëm, jo për punë qejfi, po për të siguruar egzistencën e familjarëve të tyre, hisen e të cilëve e hanë hajdutët e politikës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button