fbpx

Nuk dihet kur do të largohet objekti i spitalit modular në Tetovë, ka një vit që rikujton tragjedinë e zjarrit (VIDEO)

Së shpejti do të bëhet një vit nga tragjedia e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën14 persona, ndërsa objekti i djegur nuk është larguar ende. Autoritetet shëndetësore për Portalb.mk thonë se në procedurë është mbledhja e ofertave për largimin e mbetjeve. 

Për shumë qytetarë ky objekt është shndërruar në një makth dhe ngjall kujtime të trishtuara sa herë që e shikojnë. Ndërkaq, aty kalojnë edhe fëmijë të lagjeve të cilët edhe futen e luajnë në të, gjë që nuk është e sigurt. Sot, afër objektit të djegur parkohen edhe veturat ndërsa në një cep më tutje shihet një mini-deponi me mbeturina.

Ministria e Shëndetësisë (MSh) dhe Spitali i Tetovës thonë se objekti do largohet së shpejti, por pa precizuar afat konkret.

“Tashmë ka përfunduar faza e vlerësimit të vlerës, e cila është kryer muajin e kaluar. Aktualisht është duke u zhvilluar procedura e ankandit e përcaktuar me ligj për mbledhjen e ofertave për heqjen e pjesëve të mbetura të ndërtesës”, thanë nga MSh dhe Spitali i Tetovës.

Kujtojmë që Prokuroria u ka dhënë pëlqimin institucioneve për largimin e mbetjeve të objektit.

This slideshow requires JavaScript.

 

Prokuroria Themelore Publike ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave fizik dhe një personi juridik për rastin e djegies së spitalit.

Raportohet që bëhet fjalë për ish-drejtorin e spitalit, drejtori i shëndetësisë, udhëheqësi i qendrës për kovid, dhe Spitali i Tetovës si subjekt juridik, por zyrtarisht nuk konfirmojnë emrat.

“Prokuroria Publike edhe në këtë, si në çdo rast tjetër në të cilin vepron, mbron prezumimin e pafajësisë dhe nuk e publikon identitetin e të dyshuarve apo të akuzuarve. Pas ngritjes së aktakuzës, rasti vijon procedurën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Tetovë”, thanë nga Prokuroria.

Dy të parët akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për – Krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

I akuzuari i tretë për veprën penale Mos respektimi i rregullave shëndetësore gjatë epidemisë sipas nenit 206 paragrafi 1 të Kodit penal.

Personi juridik akuzohet për veprën penale- Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 288 dhe Mosveprimi sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë sipas nenit 206.

Prokuroria e Tetovës ka ngritur akuzë në Gjykatën e Tetovës por e njëjta pritet të procesohet pas 15 gushtit kur gjykatësit kthehen nga pushimi, dhe të vazhdohet më tej me procedurat tjera.

“Mënyra se si ka nisur zjarri është përcaktuar nga ekspertiza e ekspertëve vendas dhe gjermanë, gjetjet e të cilëve janë publikuar nga prokuroria gjatë procedurës”, përfunduan nga Prokuroria.

Raporti i krim-teknikës kishte vlerësuar që zjarri është shkaktuar nga një lidhje e shkurtë e qarkut elektrik ku ishte i lidhur defibrilatori.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button