Krimi dhe dënimi

Një familje po shijonte në qetësi ditët e pushimit të verës, pranë bregdetit, buzë valëve ngjyrë turkuaz, ku luante edhe vogëlushja e tyre shtatëvjeçare, gëzimi i jetës së tyre. Papritmas, brenda vetëm disa çastesh, kjo ditë e qetë e pushimit u kthye në një makth të vërtetë. Një mjet lundrues ku vozitësi e kishte humbur kontrollin, para syve të prindërve e goditi vogëlushen e tyre dhe jeta e saj u shua, ashtu si pahiri, për një çast të vetëm. Brenda pak sekondash, nuk u shua vetëm jeta e vogëlushes, por edhe vullneti për të jetuar i tërë familjes së saj. Kryersi i kësaj vepre makabre që për momentin i shënohet pakujdesisë së tij, ka emër, mbiemër dhe profesion. Ai është komesar policie.

Një vepër makabre penale e cila do të duhet të gjykohet me gjakftohtësi dhe kokë të ftohtë. Një vepër penale e tmerrshme, e kryer në flagrancë, nga person që duhej ta zbatojë ligjin dhe jo ta thejë atë. Një vepër e frikshme penale me pasoja shumë të rënda jo vetëm për viktimën direkte por edhe për shumë të tjerë. Një krim i llahtarshëm që jo vetëm e ngrys një ditë të bukur plot diell por përmbyt shumëçka tjetër.

Askush nuk dëshiron të jetë në lëkurën e prindit që në ato momente e ka humbur thesarin e vet më të çmuar, atë që asnjë pasuri mbi tokë nuk mund ta zëvendësojë. Askush nuk arrin ta kuptojë dhimbjen e thellë dhe shkatërruese të atyre momenteve. Askush nuk mund ta përfytyrojë atë pikëllim që nuk do të mbarojë kurrë, edhe pasi të ketë mbaruar procedura penale dhe dënimi të jetë dhënë, sado i ashpër qoftë ai.

Çdo krim ka dënimin e shënuar në Kodin Penal. Për çdo vepër penale ka rregulla si duhet matur dënimi dhe sa duhet të zgjasë ai. Njerëz racionalë vendosin për këto dënime në bazë të fakteve dhe dëshmive, si dhe në bazë të ndjenjës për drejtësi. Kryersi i kësaj vepre të frikshme penale, që me pakujdesinë dhe arrogancën e tij gabimisht kishte llogaritur se mund të kontrollojë gjithçka, do të përballet me pasojat dhe shpresoj që do të marë dënimin e duhur, ashtu si e përcakton ligji për këto raste me pasoja kaq të rënda.

Por disa krime thjesht nuk kanë dënim të mjaftueshëm, dhe aty gjithçka humb kuptimin. Disa krime janë aq të rënda sa nuk i mban peshorja e drejtësisë.

Sa vite burg vlen jeta e fëmijës që u shua atë ditë në bregdet? Çfarë do të ndodhë pas atyre viteve burg, a do të kthehet sërish fëmija t’i përqafojë qoftë edhe për një herë të fundit prindët e vet? Ka humbje që krijojnë zbrazëti të tilla që nuk plotësohen me asnjë dënim dhe me asnjë kompenzim. Ka humbje të tilla që krijojnë boshllëk të madh si një nga ato vrimat e zeza në univers. Dhe në një vrimë të tillë të zezë humbet edhe krimi edhe dënimi edhe drejtësia.

Ka dhimbje që nuk shuhen kurrë, ka humbje që i gjasojnë humnerës, ka zbrazëti që nuk plotësohen asnjëherë. Për fat të keq, ka edhe mësime që nuk mësohen dhe gabime që përsëriten. Le të jetë ky rast një mësim për të gjithë të tjerët, që në të ardhmen të shërbejë për të parandaluar dëme që asnjëherë nuk mund të kompenzohen dhe krime të tjera për të cilat nuk ka dënim që e kënaq drejtësinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button