Kur humb Evropa, Maqedonia nuk fiton asgjë  

Në rrethana të zakonshme, zgjedhjet e javës së kaluar për Parlamentin Evropian do të kishin kaluar si një ngjarje tjetër e zbehtë në kontinentin që plaket shpejtë. Por, dalja a lartë e votuesve, rezultatet e partive anti-BE dhe ekstreme djathtiste e siguruan thyerjen e bezdisë – natyrshëm kur për herë të parë fitojnë edhe disa deputetë me ide fashiste. Ajo që është fatkeqe për kontinentin dhe demokracinë, njëherazi mund të kalojë në avantazh, nëse trajtohet si alarm për ndalimin e tendencës.

Në terma absolutë, partitë ekstreme, përfshirë edhe ato me ideologji të qartë neo-naziste kanë përfituar dukshëm. Rezultatet udhëheqëse të Frontit Nacional francez (FN) dhe Partisë për Pavarësi të Britanisë së Madhe (UKIP) janë sinjal i qartë që problemi i Evropës shkon përtej ideologjisë, ku disa parti e kundërshtojnë hapur idenë evropiane. Marrja e rrogës nga Parlamenti Evropian – ndërkohë që rreth 10% e deputetëve të zgjedhur synojnë ta zhbëjnë – është një prej rasteve të shumta të hipokrizisë së këtyre grupeve, idetë dhe veprimet e të cilëve janë edhe më të rrezikshme.

Papunësia, problemet e migracionit dhe lufta për pushtet mes nivelit nacional dhe Brukselit identifikohet si njëra prej arsyeve objektive për këto rezultate. Brengat e kuptueshme për mos-përjashtimin e qytetarëve në vendim-marrje në masë të madhe janë kidnapuar nga sharlatanë dhe grupe të dhunshme, që e shfrytëzojnë pakënaqësinë për synimet e krijimit të “Evropës së pastër”.

Organizimi aktual i BE-së, Parlamenti me pozitë të padefinuar dhe problemet në shtetet-anëtare japin plot baza për kritikë, që u materializua nga partitë anti-BE (si FN dhe UKIP). Megjithatë, oferta e partive të këtilla është larg zgjidhjeve reale për problemet; për tjerat si Jobbik (Hungari) ose Agimi i Artë (Greqi) as që bëhet fjalë, meqë udhëhiqen kryesisht nga injorantë të dhunshëm dhe zhurmshëm.

Për shembull, kur deklarohet që “problemi i migracionit në Evropë mund të zgjidhet për tre muaj”, propozim i themeluesit të FN-së, Jean Marie Le Pen, kjo jo vetëm që ta rikujton planin hitlerian për një “zgjedhje finale” të të padëshiruarve, por qëndron kryekëput kundër nevojës për rritje ekonomike.

Në botën reale, analizat demografike tregojnë qartë që BE në tërësi dhe veçanërisht vendet si Franca, do ta kenë të pamundur t’i ruajnë sistemet sociale pa forcë të huaj punëtore. Përkundër frikës dhe fushatës ku të këqijat i përshkruhen të huajve, një hulumtim i University College London ka konstatuar që në dhjetë vitet e fundit, imigrantët i kanë sjellë Britanisë përfitim financiar prej mbi 30 miliardë euro. Diçka e ngjashme pretendohet se është kuptuar nga votuesit holandezë, ku rënia e Partisë së Lirisë interpretohet si kuptim i rrezikut që vjen nga nacionalizmi ekstrem.

Për momentin, shumica parlamentare mbetet e njëjtë dhe asaj nuk i kanosen grupet e vogla, aktualisht të pakoordinuara. Andaj, në nivel evropian, rezultatet e javës së kaluar pritet të ndikojnë fillimisht në politik-bërjen brenda shteteve, drejt parandalimit të rritjes së mëtejshme të ekstremistëve.

Dyfishimi i deputetëve euro-skeptikë dhe pro-nazistë është problem për BE-në dhe rrezik për mbarë kontinentin. Megjithatë, problemi i BE-së nuk i zbutë dhe as nuk i arsyeton telashet e Maqedonisë.

Ajo që me siguri nuk do t’i ndihmojë Maqedonisë gjatë kësaj krize madhore, është vetë-arsyetimi se nuk kemi çka kërkojmë në BE si kjo. Populizmi që sot kritikohet me të drejtë, në Maqedoni është prezent që moti, së bashku me idetë fashiste që promovohen edhe nga zyrtarë të lartë në pushtet.

Kritikat për çdo aspekt të mundshëm, duke pretenduar se Maqedonia qëndron më mirë si ekonomi dhe shoqëri, krahasuar me ndonjë shtet të BE-së, janë po aq komike sa edhe deklaratat e porositura nga ndonjëri prej 766 euro-deputetëve, që na shiten si zëri evropian që jep mbështetje politike.

Parlamenti Evropian nuk ka peshë reale në vendimet mbi politikën e jashtme, si që ilustrohet edhe me rekomandimet e deritashme për hapjen e negociatave me Maqedoninë, që nuk u konsideruan asnjëherë nga vendim-marrësit e vërtetë në Bruksel. Me probleme bazike si liria e të shprehurit, sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit, Maqedonia aspak nuk duhet të brengoset për rezultatet e zgjedhjeve evropiane. Me këtë imazh, çështjet e këtilla do ta mbajnë vendin jashtë BE-së, madje edhe nëse të gjithë deputetët evropianë deklarohen për zgjerimin e BE-së dhe integrimin e Ballkanit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button