Trukimet “kërcënojnë” Botërorin

Ende pa nisur dhe trukimet fillojnë të njollosin Botërorin. Shefi i Sigurisë së FIFA-s, Ralf Mutschke në një intervistë dhënë për BBC ka pranuar se po bëhen përpjekje nga ana e bastvënësve për të trukuar ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik në planet.

Sipas Mutschkes, ka pasur disa përpjekje për të trukuar pikësëpari ndeshjet miqësore, që paraprinë kompeticionin, ku është nën hetim ndeshja mes Nigerisë dhe Skocisë, e përfunduar me rezultatin 2-2 dhe gjatë së cilës madje, futbollistët nigerian realizuan dhe një autogol në portën e tyre, transmeton Supersport.

Sipas drejtuesve të Interpolit, kjo e fundit nuk mund të garantojë pastërti të plotë gjatë zhvillimit të kompeticionit dhe pse po punohet shumë që futbollistët të mos kenë influencë nga jashtë për të mundësuar manipulimin e ndeshjeve.

Mutschke ka bërë të ditur se ka pasur përpjekje për t’i ofruar lojtarëve të caktuar shuma rreth 20 mijë Dollarë për të trukuar ndeshjet e kombëtareve të tyre. Mutschke theksoi se duhet patur kujdes mbi të gjitha nga mënyra e lojës së handikapit aziatik, pasi duke luajtur në këtë lloj forme bastvënësit nuk kanë nevojë të korruptojnë një skuadër të tërë, por një ose dy futbollistë apo qoftë dhe gjyqtarin.

Për këtë arsye është punuar shumë me arbitrat e përzgjedhur që të mos bien pre e provokimeve. Sipas Mutschkes bastet ku mund të synohet më shumë manipulimet janë ato të numrit të golave, sipër ose poshtë 3 golave ose duke synuar kahun e rezultatit me ato skuadra që kanë pak pritshmëri për rezultate, ose me ekipet që në takimet e fundit në grup nuk kanë më objektiva për të realizuar.

Gjithsesi në fund të deklaratës së tij shefi i sigurisë në FIFA-s, theksoi se shanset për t’u trukuar ndeshjet e Botërorit janë të pakta por jo të pamundura.

Lajme të ngjashme

Back to top button