Qyteti i Shkupit refuzoi të ndërtojë transportin e shpejtë me autobus, me ribalancimin u tërhoqën paratë për transport të ri publik

Ishte planifikuar që ky lloj transporti të bëhet transport publik alternativ, më i shpejtë dhe më me kapacitet në Shkup, i cili duhej të ketë një rrugë të veçantë lëvizjeje përgjatë bulevardeve të Shkupit. Gjithashtu, me projektin do të bliheshin autobusë të rinj, ekologjikë me gjatësi 18 metra, do të ndërtoheshin 21 stacione autobusi për udhëtarët përgjatë gjithë itinerarit, si dhe 2 terminale në Gjorçe Petrov dhe Novo Lisiçe. Me zbatimin e BRT-së, pritej që koha e udhëtimit me transport publik në Shkup të përgjysmohej nga 70 minuta në 35 minuta, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Meta.mk njoftojnë se Qyteti i Shkupit, në krye me kryetaren Danela Arsovska, për arsye të paqarta ka refuzuar të zbatojë projektin për transport të shpejtë me autobus në Shkup, pa sqaruar pse refuzon të vendosë një sistem të ri transporti që do të ulte turmat nëpër qytet.

“Mjetet e parapara në buxhetin e Ministrisë së transportit dhe lidhjeve janë tërhequr me ribalancin e buxhetit që deputetët votuan në Kuvend. Ende është e paqartë pse Qyteti i Shkupit refuzoi mjetet e pakthyeshme prej 70 milionë euro nga Qeveria për një projekt që do të nënkuptonte sistem transporti të shpejtë, të sigurt dhe më ekonomik për shkupjanët”, thonë nga Ministria e Transportit dhe lidhjeve.

Meta.mk të premten e kaluar dërgoi pyetje edhe në qytetin e Shkupit lidhur me realizimin e transportit të shpejtë me autobus, por deri më sot nuk kanë marrë përgjigje për pyetjet e parashtruara. Ndër të tjera, kanë pyetur autoritetet e qytetit se për çfarë është rënë dakord në negociatat me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për të cilat vetë kryetarja Arsovska në qershor të këtij viti tha se janë zhvilluar në periudhën e kaluar.

Kryetarja Arsovska në një deklaratë për media në qershor të këtij viti tha se po zhvillohen bisedime dhe kur të përfundojnë do ta informojë opinionin. Ajo nuk tha se për çfarë ishin ato bisedime dhe nëse kjo do të thotë se do të vazhdojë projektin për ndërtimin e linjës së parë BRT në Shkup.

“Ne në mënyrë aktive punojmë në çdo gjë që është në interes të qytetarëve dhe në interes të reformimit të sistemit të autobusëve dhe transportit publik në Shkup. Në këtë moment jemi në bisedime dhe negociata, në momentin e parë kur do të kemi diçka për të njoftuar publikun, do ta bëjmë”, tha Arsovska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në qershor.

Meta.mk pyeti edhe nëse dhe kur do të mbahet referendumi paramenduar që e paralajmëroi kryetarja, si opsion pas marrjes së detyrës në fund të vitit të kaluar, në të cilin qytetarët e Shkupit do të vendosin për ndërtimin e transportit të shpejtë me autobus. As për këtë pyetje nuk arriti përgjigje.

Ndryshe, pas shpalljes së tenderit ndërkombëtar në tetor të vitit të kaluar, më 14 dhjetor 2021, përfundoi faza e parë e procedurës së tenderit për ndërtimin e linjës së parë të transportit me autobus të shpejtë – BRT nga Novo Lisiçe në Gjorçe Petrov. Procedura e tenderit, e cila u publikua në faqen e BERZH-it, parashikonte që kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në tender duhet të dorëzojnë ofertat e tyre parakualifikuese në Qytetin e Shkupit.

Mirëpo, në dhjetor të vitit të kaluar, Qyteti i Shkupit njoftoi se procedura e tenderit është ndërprerë dhe për këtë arsye nuk është pranuar asnjë ofertë nga kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në ndërtimin e projektit.

Tenderi pasoi pas nënshkrimit të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në prill të vitit 2021 për marrjen e kredisë prej 70 milionë euro për ndërtimin e dy linjave BRT në Shkup. Projekti BRT u shqyrtua dhe u vlerësua pozitivisht nga BERZH për zbatimin e tij, ndërsa huamarrja e vendit u votua edhe nga deputetët në Kuvendin e RMV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button