Pelosi: Përcaktimi i SHBA-ve për të ruajtur demokracinë në Tajvan mbetet i hekurt

“Përcaktimi i Amerikës për të ruajtur demokracinë, këtu në Tajvan dhe në mbarë botën, mbetet i hekurt”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, pas takimit me presidenten e ishullit, Tsai Ing-wen, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Sot bota përballet me zgjedhjen midis demokracisë dhe autokracisë”, tha Pelosi në një fjalim të shkurtër gjatë takimit me presidenten.

Pelosi theksoi se Tajvani gëzon mbështetje dypartiake në Kongresin amerikan dhe e vlerësoi demokracinë e ishullit.

Ajo mbajti fjalim edhe në Parlamentin e Tajvanit të mërkurën, ku bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit ndërparlamentar.

“Ne e përgëzojmë Tajvanin që është një nga shoqëritë më të lira në botë”, tha ajo në Parlament.

Pelosi u tha udhëheqësve të Tajvanit më 3 gusht se Uashingtoni nuk do të heqë dorë nga angazhimi ndaj ishullit vetëqeverisës, pavarësisht kundërshtimit nga Kina.

Kina, që e konsideron Tajvanin si një provincë të saj, menjëherë e dënoi vizitën e Pelosit, duke thënë se seriozisht rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit.

Megjithëse Pelosi nuk tha se Uashingtoni do ta mbronte Tajvanin ushtarakisht, ajo theksoi se Kongresi është “i përkushtuar ndaj sigurisë së Tajvanit, në mënyrë që ishulli të jetë në gjendje të vetëmbrohet”.

Si përgjigje ndaj vizitës, Pekini paralajmëroi për ushtrime të shumta ushtarake rreth ishullit dhe lëshoi një sërë deklaratash të ashpra pasi delegacioni mbërriti më 2 gusht në kryeqytetin tajvanez, Taipei.

Presidentja tajvaneze falënderoi Pelosin për mbështetjen e saj prej dekadash për Tajvanin dhe i ndau asaj medaljen “Urdhri i Reve të Bukura”.

“Përballë kërcënimeve ushtarake të shtuara qëllimisht, Tajvani nuk do të tërhiqet”.

“Ne do të mbështesim me vendosmëri sovranitetin e kombit tonë dhe do të vazhdojmë të mbajmë vijën e mbrojtjes për demokracinë”, tha Tsai.

Presidentja Tsai tha më vonë në një konferencë për media se “stërvitjet ushtarake janë përgjigje e panevojshme”.

Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton Tajvanin në 25 vjetët e fundit. Ajo udhëtoi për në Tajpei nga Malajzia.

Arsyet e vizitës së Nancy Pelosit në Tajvan

Në një opinion të publikuar në Washington Post, Pelosi ka treguar arsyet e vizitës së saj në Tajvan dhe menjëherë pas arritjes në këtë shtet ajo vlerësoi angazhimin e Tajvanit për qeverisje demokratike, ndërsa kritikoi Kinën se ka rritur në mënyrë dramatike tensionet me Tajvanin në vitet e fundit.

Ajo tha se Akti i Raporteve me Tajvanin, dokument i nënshkruar 43 vjet më parë, përcakton angazhimin e Amerikës për një Tajvan demokratik, “duke siguruar kornizën për raporte ekonomike dhe diplomatike që do të forcohej shpejt në një partneritet kyç”.

Pelosi tha se ky dokument përfshin “betimin solemn” të SHBA-së për të mbështetur mbrojtjen e Tajvanit. Sipas këtij akti, Uashingtoni e konsideron se çdo përpjekje për të përcaktuar të ardhmen e Tajvanit me mjete të tjera, përveç atyre paqësore, do të ishte “një kërcënim për paqen dhe sigurinë në Paqësorin Perëndimor dhe do të paraqiste shqetësim të madh për SHBA-në”.

Sipas saj, SHBA-ja duhet ta kujtojë këtë betim teksa demokracia e Tajvanit tani po kërcënohet nga Kina.

Pekini ka shtuar patrullimet me avionë vëzhgues, avionë bombardues dhe avionë të tjerë luftarakë, tha Pelosi. Po ashtu ka kryer dhjetëra sulme kibernetike ndaj agjencive qeveritare tajvaneze dhe po u bën presion shteteve në botë që të shkëpusin raportet me ishullin.

Në opinionin e publikuar në Washington Post, Pelosi përmendi “shtypjen brutale” të Kinës ndaj disidencës në Hong Kong dhe trajtimin e myslimanëve ujgurë dhe minoriteteve të tjera, që SHBA-ja i cilëson si gjenocid.

“Ne nuk mund të qëndrojmë pa vepruar teksa Partia Komuniste Kineze e kërcënon Tajvanin dhe demokracinë”, tha Pelosi.

Ajo tha se përderisa Rusia po vazhdon “luftën e paramenduar dhe ilegale ndaj Ukrainës, duke vrarë mijëra persona të pafajshëm – përfshirë fëmijë – është thelbësore që Amerika dhe aleatët ta bëjnë të qartë se ne kurrë nuk do të dorëzohemi para autokratëve”.

Pas vizitës në Tajvan, Pelosi do të vizitojë Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Kronologjia e tensioneve Kinë-Tajvan

Tensionet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara u rritën për shkak të vizitës në Tajvan të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Kina tha se kjo vizitë “cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial” të saj, teksa Pelosi shprehu solidaritetin amerikan me popullin tajvanez.

Në këtë tekst ju sjellim një kronologji të tensioneve midis ishullit vetëqeverisës të Tajvanit dhe fqinjit të tij, Kinës.

1949: Ndarja

Komunistët e Mao Zedongut morën pushtetin në Pekin në tetor të vitit 1949, duke mposhtur në luftën civile partinë nacionaliste Kuomintang të Chiang Kai-shek (KMT).

Pas kësaj, nacionalistët e KMT-së u larguan në ishullin e Tajvanit dhe formuan Qeverinë e tyre në Tajpei në dhjetor të po atij viti, duke shkëputur kontaktet me Kinën.

Më 1950, Tajvani u bë aleat i Shteteve të Bashkuara, që ishte në luftë me Kinën komuniste në Kore. SHBA-ja dislokoi flotën e saj në Ngushticën e Tajvanit për të mbrojtur aleatin e saj nga ndonjë sulm i mundshëm.

1971: Pekini merr ulësen në OKB

Në tetor të vitit 1971, Pekini mori ulësen e Kinës në Kombet e Bashkuara, që më herët mbahej nga Tajpei.

Më 1979, Shtetet e Bashkuara zyrtarisht shkëputën raportet me Tajvanin dhe vendosën raporte diplomatike me Pekinin.

Uashingtoni shprehu mbështetjen për politikën “Një Kinë”, që thotë se Tajvani është pjesë e Kinës, por Pekini mban raporte tregtare dhe ushtrake me Tajpein.

1987-2004: Përmirësimi i raporteve

Në fund të vitit 1987, banorëve të Tajvanit për herë të parë iu lejua që të vizitonin Kinën. Kjo mundësoi që familje të tëra të ribashkoheshin.

Më 1991, Tajvani shfuqizoi qeverisjen nën masa të jashtëzakonshme, duke i dhënë fund në mënyrë të njëanshme gjendjen e luftës me Kinën.

Bisedimet e para të drejtpërdrejta midis palëve u mbajtën në Singapor dy vjet më vonë.

Por, më 1995 Pekini pezulloi bisedimet, në shenjë proteste ndaj vizitës në SHBA të presidentit të atëhershëm të Tajvanit, Lee Teng-hui.

Më 1996, Kina testoi raketa në Tajvan, me qëllim që të pengonte votuesit që të merrnin pjesë në zgjedhjet e para demokratike presidenciale të këtij ishulli.

Në zgjedhjet e vitit 2000, KMT për herë të parë humbi pushtetin në Tajvan. Në vitet pasuese, lidhjet ekonomike midis dy palëve u përmirësuan.

2005-2015: Kërcënime dhe bisedime

Në mars të vitit 2005, Pekini miratoi një ligj që autorizon përdorimin e forcës nëse Tajvani shpall pavarësinë.

Në prill të vitit 2005, kreu i KMT-së, Lien Chan, realizon një vizitë historike në Pekin për bisedime me udhëheqësin kinez, Hu Jintao.

Në vitin 2008, Kina dhe Tajvani rinisin bisedimet në nivelin e lartë pasi Ma Ying-jeou nga KMT-ja zgjidhet president, me një platformë me qasje miqësore ndaj Pekinit.

Në vitin 2010, dy palët nënshkruajnë Marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit gjithëpërfshirës ekonomik dhe më 2014 Tajvani dhe Kina mbajnë bisedimet e para midis dy qeverive, që nga ndarja e ishullit.

2016: Përfundon ‘muaji i mjaltit’

Në janar të vitit 2016, Tsai Ing-wen, nga Partia për Përparim Demokratik – parti që tradicionalisht avokon për pavarësi nga Kina – u zgjodh presidente e Tajvanit.

Në qershor të po atij viti, Kina ndërpreu të gjitha komunikimet me Tajvanin, pasi Qeveria e re tajvaneze nuk pranoi që ta njohë politikën e Pekinit “Një Kinë”.

Në dhjetor të vitit 2016, Donald Trump, që sapo ishte zgjedhur president i SHBA-së, veproi në kundërshtim të politikës diplomatike prej dekadash të SHBA-së dhe zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten tajvaneze, Tsai.

Në janar të vitit 2019, lideri i Kinës, Xi Jinping, paralajmëroi se bashkimi i Kinës dhe Tajvanit është një çështje “e pashmangshme”.

2021: Tensionet SHBA-Kinë

Në vitin 2021 avionët e ushtrisë kineze kryen qindra fluturime në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Në tetor, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja do ta mbrojë Tajvanin nëse Kina e sulmon ishullin. Por, këto komente më pas u tërhoqën pjesërisht nga Shtëpia e Bardhë.

Presidentja tajvaneze, Tsai konfirmoi se në Tajvan gjenden një numër i vogël i trupave amerikane për të ndihmuar në trajnimin e forcave tajvaneze.

2022: Tensionet rriten për shkak të vizitës së Pelosit

Më 23 maj, presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje Perëndimit që të ketë një pozicion të fortë kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe të pengojë Kinën që të marrë me forcë Tajvanin. Ai përsëriti qëndrimin se SHBA-ja do ta mbrojë Tajvanin në rast të një pushtimi kinez.

Më 2 gusht, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, nisi vizitën në Tajvan, pavarësisht paralajmërimeve të Kinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button