Pendarovski me rastin e Ditës evropiane të përkujtimit të holokaustit ndaj romëve: Është shqetësuese që padrejtësitë historike ndaj romëve janë ende të gjalla

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka dërguar mesazh me rastin e 2 gushtit – Ditës evropiane të përkujtimit të holokaustit ndaj romëve, transmeton Portalb.mk.

“Duke kujtuar dhe nderuar miliona viktima të Luftës së Dytë Botërore, nuk duhet të harrojmë më shumë se 4300 fëmijë, gra dhe burra romë që u ekzekutuan në kampin nazist në Aushvic-Birkenau. Në atë periudhë të tmerrshme të historisë, ishin në fuqi ligje që zhvlerësonin jetën njerëzore dhe dinjitetin e natyrshëm të grupeve të ndryshme, përfshirë romët. Ideologjia e asaj kohe lejonte shfrytëzimin e punës së tyre, eksperimente çnjerëzore mjekësore, sterilizime të detyruara dhe në fund vrasje masive në kampet e vdekjes”, tha Pendarovski.

Ai kujtoi se gjatë Luftës së Dytë Botërore mbi 500.000 romë u vranë në të gjithë Evropën dhe Ballkanin, duke theksuar se është shqetësuese që padrejtësitë historike ndaj romëve janë ende të gjalla – mohimi i gjenocidit kundër tyre, racizmi, gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit, intensiteti i të cilave po rritet edhe në shoqëritë moderne demokratike.

“E gjithë kjo i shtyn romët në margjina dhe e shtyn luftën për të drejtat dhe liritë e tyre njerëzore. Romët janë pjesë e pandashme e mozaikut social maqedonas që ndan aspiratat dhe sakrificat në luftën për një shoqëri të lirë. Ajo bashkëjetesë duhet të vazhdojë në frymën e solidaritetit, humanizmit dhe respektit të ndërsjellë. Le të kujtojmë faktet historike për të keqen më të madhe në historinë e njerëzimit përmes dëshmive personale të të mbijetuarve. Por është detyra jonë dhe përgjegjësia jonë e përbashkët historike dhe civilizuese që publikisht t’i kundërshtojmë fenomenet e tilla, në mënyrë që tragjeditë e Luftës së Dytë Botërore të mos përsëriten kurrë”, theksoi Pendarovski në mesazh.

Me rastin e Ditës evropiane të përkujtimit të holokaustit mbi romët, në kabinetin e Presidentit u mbajt një ceremoni përkujtimore gjatë së cilës u mboll një pemë në oborr dhe nu vendos një pllakë përkujtimore me mbishkrimin “Në nderim dhe kujtim të viktimave rome gjatë Lufta e Dytë Botërore”. Në aktivitetin përkujtimor u lexuan dëshmitë e pjesëtarëve të mbijetuar të komunitetit rom nga Lufta e Dytë Botërore.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button