Richard Kremer: Kundërshtimet për propozimin francez janë rezultat i emocioneve – në planin afatgjatë do të jetë i mirë për qytetarët

Kundërshtimet për pranimin e propozimit francez janë për shkak të emocioneve të shtuara për momentin. Por në planin afatgjatë, mendoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ta vlerësojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, që është një trajektore e natyrshme ku vendi po lëviz aktualisht. Nuk është e mundur të specifikohet se çfarë do të ndodhë më pas dhe sa do të zgjasin negociatat, thotë Richard Kremer, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor nga organizata “Aleanca SHBA-Evropë” në Uashington në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Ai përshëndeti hapin politik përpara që pas 17 vitesh marrje të statusit kandidat, Maqedonia e Veriut filloi negociatat e anëtarësimit dhe shprehu kënaqësinë që Shqipëria është në një pako me Maqedoninë e Veriut.

“Ç’pritet më tej? Kjo është pyetja 64.000 dollarësh, siç themi ne. Kjo duhet të kishte ndodhur shumë më herët, në nëntor 2019. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë aspiruar prej kohësh për në BE dhe të dyja vendet janë të orientuara drejt demokracive perëndimore, jo regjimeve autoritare,” thotë Kremer.

Ai nuk sheh asnjë problem në organizimin e ndonjë referendumi për çështje të rëndësishme, por thekson se Maqedonia e Veriut ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, platforma e së cilës thekson fillimin e negociatave me BE-në.

“Kishte kompromise. Bullgaria duhej të bënte lëshime, po ashtu edhe Maqedonia e Veriut. Kështu bëhet përparim. Jo të gjithë janë gjithmonë të lumtur përmes kompromisit, por ky është thelbi i negociatave. Kundërshtimet për pranimin e propozimit francez janë për shkak të emocioneve të shtuara për momentin. Por në planin afatgjatë, mendoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ta vlerësojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, që është një trajektore e natyrshme ku vendi po lëviz aktualisht”, shton Kremer.

Sipas tij, parashikimet e disa analistëve janë të realizueshme, se deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të bëhen pjesë e familjes evropiane.

“Është e realizueshme. Ka një përgjithësim se ekziston shqetësimi për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Por kryeministri shqiptar Edi Rama tregoi se edhe pse nuk mund të shtypet plotësisht, ka progres në këtë fushë. E njëjta gjë po ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut. Sundimi i ligjit, qeverisja e përgjegjshme dhe transparente, organizimi i zgjedhjeve të ndershme dhe të lira do të ishin komponentë të dëshirueshëm të një vendi demokratik. Do të ishte frymëzuese për aspirantët e tjerë të BE-së në rajon”, shton Kremer.

Analisti amerikan paralajmëron gjithashtu se rajoni është i prekshëm nga përhapja e propagandës ruse vetëm nëse qytetarët besojnë në dezinformata të ndryshme, burime informacioni të paverifikuara dhe të dyshimta.

“Ajo që shohim në Bullgari, Bosnjë dhe kudo në Ballkanin Perëndimor, dezinformata të tilla ruse dhe lajme të rreme nuk kalojnë në mesin e banorëve të Ballkanit, me përjashtim të Serbisë, ku ka mbështetje të vazhdueshme publike për Rusinë, edhe përkundër luftës brutale dhe të paprovokuar kundër popullit ukrainas”, vlerësoi Kremer.

Për sa kohë që SHBA do të vazhdojë të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të bëhen demokraci të konsoliduara të tregut të lirë dhe të hapur, thotë ai, do t’i ndihmojë ata të integrohen më lehtë në BE.

“Një përfitim indirekt, më tepër se një imponim i drejtpërdrejtë, duhet të jetë angazhimi i Shteteve të Bashkuara nga çdo administratë në Uashington ndaj Ballkanit”, shtoi Kremer.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button