PËRMASA MISTERIOZE 

Shkrimtari italian Dino Buzzati botoi disa artikuj për “Italinë misterioze”. Sot duket e pabesueshme që një gazetar të propozojë kësi temash. Mediat publikojnë rrëfime “të kapshme” për lexuesit. Në ekrane shfaqen të pispillosurit që i kushtojnë rëndësi dukjes dhe jo fjalës e mendimit. Më shumë spektakël, më shumë publik, më shumë zhurmë, më shumë reklama, më shumë fitime. Audiencën e tërheq budallallëku. Budallallëku është i popullarizuar, tha Borges-i.

“Njeriu modern” i beson botës së dukshme. Por, përtej të dukshmes është “bota tjetër”: e padukshme, e panjohur, e mistershme, e cila s’do t’ia dijë për shijen dhe skemat e epokës sonë. Ajo botë ndërlidhet me mitet që ndikojnë edhe te njeriu i kohës sonë. Pavetëdijshëm ose vetvetishëm.

Bota simbolike e misterioze përmban magji, orë, zana, shtriga, fantazma, djaj, parashikues, magjistarë, çudibërës. Kjo botë, që e trazon kureshtjen njerëzore, e josh edhe shkrimtarin, i cili ka “shqisë” të veçantë për të pranuar sinjale nga tjera përmasa, nga tjera hemisfera, nga tjera kohëra. Të largëta. Nga ex – nihillo.

Shkrimtari është si “njeriu i rrufeve”, NikolaTesla, i cili, madje, besonte se kishte ardhur nga gjithësia. Gjeniu e paratha se do të vinte dita kur njerëzit do të komunikonin me çdo cep të botës nëpërmjet një mjeti me madhësi ore, kurse transmetimi i energjisë pa tela do të bëhej jetik për njeriun. Tesla besonte se pranonte sinjale me origjinë të panjohur, prej një bërthame kozmike. Nga kjo bërthamë, sipas tij, njerëzit e merrnin dijen, fuqinë dhe frymëzimin.

Shkrimtari, nëpërmjet kësaj “shqise”, të pabesueshmen e bën të besueshme dhe të pamundshmen e bën të mundshme. Ai beson se tek e pabesueshmja ka shumëçka të besueshme, se te shajnia ka diçka reale. Mjafton të shikojmë më thellë e të mendojmë ndryshe nga çfarë na lejojnë shija dhe kallëpet e epokës, traditës, normës. Mjafton të dyshojmë. Dyshimi, që tiranit apo diktatorit i krijon paranojë dhe mund ta shpie drejt krimit, shkrimtarit i mundëson të zbulojë përmasa të tjera, deri atëherë të padukshme dhe të gjejë perla të fshehura në oqeanin e shpirtit të tij.

Rreth nesh ka shumëçka të mistershme, por shija e epokës mbetet e pa interesuar për to. Ajo kërkon gjëra të njohura. Dëshiron të dëgjojë refrene, të sheh atë që e ka parë shumë herë.

Nëse një gazetar sot do t’i propozonte redaktorit që të shkruante për gjëra misterioze, me siguri do të shihej si i lajthitur. Gazetarit i kërkohet që të shkruajë për gjërat, ngjarjet, dukuritë e njohura për të gjithë. Madje, të shkruajë sa më thjeshtë dhe të jetë “sa më i kuptueshëm”. Por, ka gjëra të mistershme që janë me shumë interes për jetën e kombeve. E mistershmja përherë e ka trazuar mendjen njerëzore.

Edhe pse “njeriu modern” tenton të desakralizojë gjithçka, thellë në vetvete i ka mbetjet e kohërave të shkuara. Njeriu nuk do ta desakralizojë dashurinë, dhembjen, trishtimin, mallin, brengën, lumturinë, sepse e përmbajnë të mistershmen, sepse janë të papërkufizuara. Në këtë pikë, “njeriu modern” vetëm bën kinse dallon nga njeriu i para disa mijëvjeçarëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button