Maqedonia e Veriut kremton ditën e Ilindenit (FOTO)

Maqedonia e Veriut shënon sot 119 vjetorin e Republikës së Krushevës dhe mbledhjes së parë të KAÇKM. Me kryengritjen e Ilindenit dhe Republikën e Krushevës më 1903 dhe më pas edhe në Ilindenin e dytë më 1944 me mbledhjen e parë të KAÇKM-së u vendosën shtylat e republikës dhe të shtetit. Krerët e shtetit dhe funksionarët uruan me rastin e kësaj dite, shkruan Portalb.mk.

Kremtimi i festës filloi mbrëmë  në Krushevë, kur tradicionalisht, në organizim të Komunës së Krushevës, fillon manifestimi “Dhjetë ditët e Republikës së Krushevës”.

Ndërkaq sot filluan edhe aktivitetet tjera si vendosja e luleve para monumenteve historike në nder të kësaj dite.

Nën patronazhin e Presidentit Stevo Pendarovski, në kuadër të kremtimit sot, Nevena Nikolova Georgieva – Dunja u nderua, post mortem, me Urdhrin e Meritave Ushtarake, për guximin e saj të jashtëzakonshëm, sakrificën, vendosmërinë dhe për rolin udhëheqës në luftën antifashiste në lëvizjet punëtore dhe sindikaliste që janë angazhuar për drejtësi sociale.

Kërste Cërvenkovski u nderua pas vdekjes me Urdhrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për kontributin e tij të veçantë, strategjik, afatgjatë dhe unik në themelimin dhe zhvillimin e shtetit maqedonas dhe shoqërisë maqedonase.

Me medale për Trimëri u dekoruan: Nikolla Stojanovski, Jovan Veliçkovski, Trajanka Avramovska (post mortem), Ilija Dunovski, Nikolla Nikolloski, Cvetko Cvetkoski, Kadrija Xhaferi dhe Dafinka Bogoeva.

Foto: Kabineti i Presidentit

Më pas, Pendarovski u drejtua me fjalimin e tij për këtë festë ku mes tjerash theksoi edhe zhvillimet e fundit në rrugën eurointegruese të vendit dhe pikëpyetjet mbi identitetin maqedonas në këtë drejtim.

Më poshtë ju përcjellim disa sekuenca nga fjalimi i tij:

“Me këto dekorime ne sot në mënyrë simbolike përpiqemi të korrigjojmë disa padrejtësi historike. E para, është bërë me mos shpalljen e Nevena Georgieva-Dunja për hero kombëtar. E dyta, largimi i Kërste Cërvenkovskit nga jeta politika dhe publike për shkak të qëndrimeve të tij liberale dhe të politikave progresive. E treta, përpjekjet që të relativizohet rëndësia e LNÇ-së dhe ASNOM-it si lidhje kërthizë midis Ilindenit tonë të parë dhe të tretë.

Këtë akt e bëjmë në periudhën kur shteti ynë kush e di për të satën herë po përballohet me përpjekjet që t’i mohohet identiteti nacional i popullit maqedonas dhe të kontestohen karakteristikat e tij unike kombëtare.

Revolta e qytetarëve është e arsyetuar, sepse të gjitha sukseset si shtet i pavarur i kemi arritur nëpër rrugën më të vështirë, por, nuk heqim dorë nga qëllimi strategjik që të bëhemi pjesë e bashkësisë e cila me të gjitha mangësitë e veta, megjithatë, ka krijuar hapësirë ku njerëzit janë vetvetja dhe të lirë”, tha Pendarovski.

Foto: Kabineti i Presidentit

“Në suazat e përpjekjeve tona për integrim të tërësishëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kemi qëllim të vendosur t’i përmbushim të gjitha kushtet e kapitujve të negociatave evropiane, por nuk kemi qëllim me cilindo në vend të vlerave evropiane të bisedojmë për ripërtëritjen e koncepteve dhe ideve imperialiste të shekujve të kaluar.

Koncepti i Evropës së Bashkuar na jep shansin më të mirë ta përmbyllim zhvillimin e Maqedonisë së Veriut si republikë evropiane bashkëkohore. Këto përpjekje janë flijimi i brezit tonë për të rinjtë tanë dhe për të ardhmen e tyre. Por, që e gjithë kjo të mos shkojë kot, na pret një punë enorme e papërfunduar  në shtëpi ku duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë shtetin si të drejtë dhe progresiv në të cilin qytetarët maqedonas do të kenë jetë me dinjitet, arsim të mirë, shëndetësi cilësore dhe sistem efikas juridik që do të shkatërrojë krimin dhe korrupsionin.

Jam i vetëdijshëm se te një pjesë e qytetarëve ekziston frika se në rrugën drejt Evropës do të cenzurohet kujtesa jonë historike.

Por, nëse ne nuk do ta flisnim më të vërtetën historike ne do të bëheshim bashkëpjesëmarrës në krijimin e një padrejtësie të re historike. Pikërisht këto dekorime janë përgjigja jonë ndaj çdo përpjekje që të heshtet e vërteta. E vërteta historike nuk mund të ndryshohet me marrëveshje, as me protokoll sepse faktet e shkatërrojnë çdo konstrukt të imponuar.

Nuk duhet të kemi asnjë lloj frike. Nëse populli maqedonas nuk u është nënshtruar përpjekjeve për asimilim, denacionalizim dhe revizionizëm historik në periudhat kur nuk ka pasur të drejta dhe nuk ka pasur shtetin e vet, sot, kur kemi shtetin e vet, shanset për një gjë të tillë nuk ekzistojnë. Ndërsa detyra jonë është të kujdesemi që republikën tonë, të gjithë qytetarët e saj ta ndiejnë si atdheun e vet.”, tha mes tjerash Stevo Pendarovski.

Kovaçevski: Ilindeni është forca jonë për një Republikë të Maqedonisë së Veriut bashkëkohore, moderne, të zhvilluar ekonomikisht – evropiane

Me rastin e festës kombëtare 2 Gushti – Ditës së Republikës dhe Ilindenit, nën moton “Forca jonë për të ardhmen” këtë vit, presidenti i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski iu drejtua delegacioneve dhe qytetarëve të pranishëm në Meçkin Kamen në Krushevë.

“Të dashur njerëz liridashës, përparimtarë, luftëtarë, qytetarë: maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, serb, rom, boshnjak e të gjithë të tjerët – duke qëndruar pranë njëri-tjetrit, si populli i Ilindenit në 1903, si populli i Asnomit të vitit 1944 dhe sot, 2022 – në kohë të ndryshme, por së bashku përsëri dhe përsëri me të njëjtin synim para nesh – një të ardhme të ndritshme, siguri dhe perspektiva. Të udhëhequr nga lufta e përbashkët në të cilën u flijuan jetë për motrat dhe vëllezërit e të gjithë popujve të kësaj toke, ne jemi bashkuar nga të gjitha bashkësitë etnike dhe religjionet në një shoqëri të barabartë për të gjithë, pa përjashtim, të barabartë para ligjit, pavarësisht të kombësisë, gjinisë, racës, besimit. Ilindeni është forca jonë për të vazhduar ndërtimin e një shteti të përbashkët për të gjithë qytetarët, pa paragjykim ndaj askujt, dhe një shtet të integruar në Evropë dhe krah për krah me demokracitë e botës – dhe nga kjo – nuk do të ketë më kthim! Ka vetëm përpara”, tha Kryeministri.

Foto: Qeveria e RMV-së
Foto: Qeveria e RMV-së

Kovaçevski shtoi se për të gjitha këto, Ilindeni është forca jonë për të ardhmen! Ilindeni është ngulitur thellë në kodin tonë. Ilindeni është kodi ynë. Është një ide e bashkimit dhe progresit që ndërton ura. Është një ide që lidh! Nuk është një ide përçarëse! Është një ide që të gjithë e duan, jo të gjithë ata që e urren. Është një ide që zhvillon diçka, jo një ide që bllokon diçka. Është një ide që integron, jo një ide që izolon. Thelbi progresiv i idesë së Ilindenit jeton në çdo hap që hedhim dhe me çdo vendim që marrim si vend dhe si shoqëri.

“Meqë arritëm të bashkohemi pa dallim etnie dhe feje, është detyrë e përbashkët të bashkohemi pavarësisht nga përkatësitë politike. Ashtu si Ilindenët dhe Asnomët – le t’i vendosim prioritetet e shtetit para nesh. Ato prioritete – si në kohën e Ilindenit, ashtu edhe në kohën e ASNOM -it – dhe sot – janë përparimi i shtetit. Nuk ka prioritet më të madh shtetëror se rruga përpara, e cila sjell perspektivë për të ardhmen e të rinjve dhe përparim ekonomik për qytetarët. Kjo është e mundur me integrimin në familjen evropiane dhe bëj thirrje për bashkimin e brezave të sotëm në realizimin e këtij synimi strategjik shtetëror. Rrënjët e tij janë në Ilinden dhe prandaj le të jetë Ilindeni forca jonë për të ardhmen tonë. Është koha që dielli i ri i lirisë të lindë dhe të na ndriçojë rrugën që të shikojmë me guxim, me përkushtim dhe pa frikë nga e ardhmja dhe të realizojmë shpejt e me vendosmëri ëndrrën tonë, ëndrrën e Ilindenëve, të luftëtarëve të NOB-së. Është koha për fitore të reja, të përbashkëta. Nuk do të harrojmë kurrë kush jemi, nga vijmë dhe nga çfarë jemi krijuar, dhe kjo do të jetë forca jonë për të ecur përpara me guxim dhe për të hapur një kapitull të ri në historinë e Maqedonisë”, tha mes tjerash Kovaçevski.

Foto: Qeveria e RMV-së
Foto: Qeveria e RMV-së
Xhaferi: Kemi shtet të përbashkët dhe kemi përgjegjësi ta ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në fjalimin e sotëm në Qendrën Përkujtimore KAÇKM në Pelincë me rastin e kësaj dite theksoi se ngjarjet nga e kaluara na bindën se vetëm bashkimi kah shtëpia e përbashkët për të gjithë, me vizion të qartë, me mençuri dhe arsye është qëllimi i fundit i vetëm, natyror dhe i realizueshëm.

“Nëse sillemi me përgjegjësi dhe arsye ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve, me respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë, duke e pranuar shprehjen e veçorive dhe karakteristikave të çdo një bashkësie etnike, kulturën, gjuhën, veçoritë e identitetit si e drejtë natyrore, atëherë rruga kah e cila duhet të ecim është moti e determinuar, që nga ilindenasit e parë. Ato kanë qenë të vetëdijshëm se vetëm me tejkalimin e kornizës së ngushtë dhe egoiste, me hapjen e trurit dhe përqafimin e fortë të të mirave që i ofron vendi ynë, do të jemi shembull për vlerë të re dhe të shtuar në rajon dhe më gjerë. Shikuar në mënyrë objektive dhe me qëllim të sinqertë për të thënë gjerat ashtu siç janë, do e them atë që e kemi të gjithë të njohur, dhe kjo është se asnjë vend nuk hasi në pengesa më të mëdha se Republika e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Në këtë proces, për fat të keq, brehej shoqëria jonë, grupohej në taborë, në tradhtarë dhe patriotë, në evropianë dhe rusofilë, në albanofobë dhe bugarofilë, në komunjarë dhe vëmëroistë. Dhe kjo assesi nuk shkonte në favor të shtetit. Kjo assesi nuk shkonte në favor të bashkimit drejt qëllimit të përbashkët”, tha Xhaferi.

Ai porositi që të ndërtojmë shtet pa diskriminim, me respektimin e të drejtave dhe lirive të gjithë qytetarëve njëlloj, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, politike, pa dallim në gjini, status social dhe ekonomik.

Foto: Kuvendi i RMV-së
Foto: Kuvendi i RMV-së
Mickoski: Ideali për Maqedoninë dhe lufta për një të ardhme më të mirë janë dy gjëra për të cilat duhet të luftojmë paralelisht

Ditën e Ilindenit e uroi edhe kreu i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

“Ilindeni është dita më e ndritshme në historinë e Maqedonisë. Kjo ditë është simboli i luftës maqedonase për liri dhe shtet, ditë që lidh dy epope dhe një ideal, dhe ky është ideali i Maqedonisë së lirë dhe të pavarur.Brezat e bijve dhe bijave të Maqedonisë luftuan për të realizuar ëndrrën e lirisë. Sot, lufta është e gjallë, si kurrë më parë, sepse rrjeta dhe hijet e së kaluarës varen mbi të ardhmen. Ideali për Maqedoninë dhe kohezioni i përgjithshëm në atë luftë, që udhëhoqi paraardhësit tanë edhe në kohët më të vështira dhe më të errëta, duhet të vazhdojmë, që të mos bëhemi përsëri monedhë për përmbysjen e dëshirave hegjemoniste të Ballkanit. Ideali për Maqedoninë dhe lufta për një të ardhme më të mirë janë dy gjëra për të cilat duhet të luftojmë paralelisht, sepse apatia dhe varfëria që duan të na imponojnë është hapi i parë drejt shkatërrimit. Ne duhet t’i fitojmë këto beteja, të bashkuar pavarësisht nga përkatësia jonë etnike, fetare apo politike. Këto beteja do t’i bëjmë së bashku vëllazëror nën flamurin e Maqedonisë”, tha Mickoski.

Ahmeti: 119 vjet nga Krusheva e deri më sot, qëndruam bashkë mbi vlerat e lirisë, barazisë dhe paqes

Festën e Ilindenit e uroi edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

“Mbi frymëzimin e asaj kryengritje të përbashkët të vitit 1903, bashkë nuk lejuam as dekadencën tonë shoqërore, mposhtëm ideologji të përçarjes njëra pas tjetrës bashjë ne sistemet diskriminuese, për të ndërtuar me Marrëveshjen e Ohrit themelet e barazisë ashtu si i ka hije një vendi demokratik dhe si e nisëm 119 vjet më parë. Tani falë gjithë atyre proceseve të guximshme nëpër të cilat kaluam, jemi vend anëtar i NATO-s, shembull i proceseve të paqebërjes dhe të vendosur që këtë rrugëtim shekullor fitoresh ta vazhdojmë bashkë drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Gëzuar festën të gjithë qytetarëve të vendit”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Foto: Ministria për Sistem Politik

Uroi edhe Ambasada e SHBA-ve në vend

Për nder të Ilindenit, ambasadorja e SHBA-së në vend, Kate Burns, vendosi sot lule të freskëta në Qendrën Përkujtimore të ASNOM-it, njoftoi vetë ambasadorja Kate Byrnes në Twitter.

Për të përkujtuar Ilindenin, ambasadorja Byrnes vendosi sot lule të freskëta në Monumentin e Luftëtarëve të rënë në varrezat e Butelit. Përfaqësuesit e ambasadës iu bashkuan gjithashtu ceremonive zyrtare në Krushevë dhe Pelincë për të nderuar ata që luftuan për pavarësi”, njoftoi Ambasada e SHBA-ve në vend.

Foto: Ambasada e SHBA-ve në Shkup
Foto: Ambasada e SHBA-ve në Shkup
Pjesëmarrës në ceremoni edhe Ambasada Britanike në vend

Atasheu britanik i mbrojtjes, nënkoloneli Matthew Walker për ditën e Ilindenit vendosi kurora lulesh në Krushevë te varri i Nikolla Karev – monumenti i Kumbullës dhe monumenti i Meçkin Kamenit.

“Gëzuar Ilindenin – Ditën e Republikës”, uroi Ambasada Britanike në vend.

Për më tepër rreth agjendës së sotme dhe ceremonive të kësaj feste LEXO: Ku dhe si do të kremtohet Ilindeni, festa fillon sonte

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button