Shqipëri-Spanjë, grup të përbashkët kundër krimit

Vizita e parë zyrtare e Kryeministrit spanjoll në Tiranë u kurorëzua me nënshkrimin e një marrëveshje mes Spanjës e Shqipërisë për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, raporton Klan.

Objekt i dokumentit të firmosur nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe ambasadori spanjoll në Tiranë është goditja ndaj trafikut të narkotikëve, qenieve njerëzore, pastrimit të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal si dhe terrorizmi.

Më pas në një konferencë të përbashkët për shtyp kryefjalë ishte çështja e integrimit. Në krah të Edi Ramës, ndaj të cilit nuk i kurseu vlerësimet, Sanchez ritheksoi mbështetjen e Spanjës për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.

“Ne përkrahim integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe Shqipëria është një nga vendet kryesore që është në këtë rrugë. Dua të them që Kryeministri Rama është një nga politikanët më të shkëlqyer që unë në vitet e mia si shef i qeverisë, kam takuar. Dhe jo vetëm nga mënyra se si shprehet, por për të gjithë angazhimet e tij europiane dhe sigurisht për formën me të cilën ai vepron dhe bën politikë dhe që janë hapa shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në plan ndërkombëtar.“

Vlerësoi jo pak mbështetjen spanjolle në procesin e hapjes së negociatave, por meritat më të mdha ia njohu qeverisë së tij që tha se përmbushi detyrat, të cilat vijojnë edhe në ktë fazë të dytë drejt rrugëtimit në union.

“Spanja është tërësisht e angazhuar në mbështetje të këtij procesi dhe ka qenë një nga aktorët më të zëshëm për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është edhe konfirmim i faktit se ne folëm me gjuhën e rezultateve konkrete që morën vlerësimin e të gjithëve.”

Gjatë vizitës së parë zyrtare të kryeministrit Spanjoll në Shqipëri, Rama e Sancez diskutuan edhe për sfidat me të cilt përballen vendet e BE pas agresionit rus në Ukrainë.

Me prioritet u pa bashkëpunimi mes dy vendeve në fusha si infrastruktura, turizmi, sektori energjetik si dhe palët ranë dakort që të intensifikojnë marrëdhëniet gjyqësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button