Ohri dhe Struga janë të mbushura me turistë për festat e Ilindenit

Bregu i liqenit të Ohrit gjatë festave të Ilindenit edhe këtë vit është i mbushur me turistë. Pas një pauze dyvjeçare, përveç mysafirëve vendas, në Ohër dhe Strugë vërehet prania e turistëve të shumtë të huaj nga Polonia, Holanda, Rumania, Serbia, Bullgaria, Kosova dhe vende të tjera. Objektet hoteliere janë të mbushura me vizitorë, së bashku me ambientet private të akomodimit, kampingjet dhe madje edhe ato që janë braktisur për një kohë të gjatë, siç është kampingu “Treska”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Përveç festivalit “Vera e Ohrit”, këto ditë në Ohër dhe Strugë ka festivale të shumta muzikore dhe ahengje të natës, ndaj edhe numri i të rinjve në bregdetin e Ohrit është i madh.

Për shkak të numrit të madh të mysafirëve, si në Ohër ashtu edhe në Strugë këto ditë është e vështirë të gjesh parkim në zonat qendrore të qytetit, po ashtu ka bllokim të trafikut në rrugën Ohër-Shën Naum për shkak të numrit të madh të automjeteve që shkojnë në plazhet në mëngjes dhe kthehen në orët e pasdites për në Ohër.

I vetmi imazh negativ që vihet re në Ohër dhe Strugë këto ditë është hedhja e mbeturinave nga vizitorët e paskrupullt në hapësirat publike. Në të dy qytetet, sidomos në orët e mbrëmjes vërehen kontejnerë të tejmbushur me mbeturina, por edhe mbetje të shpërndara jashtë kontejnerëve.

Ndërmarrja PublikeOhridski Komunalec” informon se për shkak të rritjes së numrit të turistëve dhe mysafirëve që vizitojnë bregdetin e Ohrit, së fundmi kanë intensifikuar aktivitetet për ruajtjen e pastërtisë publike. Janë angazhuar dy cisterna për larjen e rrugëve, si dhe është angazhuar një fshesar për të plotësuar aktivitetet aktuale.

“Intenzivisht po bëhet pastrimi mekanik i hapësirave publike, trotuareve dhe rrugëve, me qëllim të ruajtjes së pastërtisë publike në nivel më të lartë”, njoftojnë nga NPOhridski Komunalec”.

Policia e Ohrit ka duart plot edhe këto ditë, e cila në Ohër dhe Strugë ka rolin kryesor në rregullimin e qarkullimit në rrugët e mbushura me automjete. SPB Ohër bën të ditur se në qytet ka edhe ngjarje të pakëndshme.

Më datë 31.07.2022, pas orës 01:00, në SPB Ohër është raportuar se një burrë nga Ohri ka sulmuar fizikisht gruan e tij të pamartuar në shtëpinë e familjes dhe ka tentuar ta lëndojë me sende të mprehta. Ndaj tij do të bëhet një kallëzim përkatës.

Dje pas mesnate, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria I.M. (20) nga Manastiri, të cilit i janë gjetur dhe konfiskuar një plumb dhe një gëzhojë. Gjatë kontrollit të një 18-vjeçari nga Shkupi të shtunën në mbrëmje, në një parking pranë një objekti hoteliere në një kompleks turistik në Ohër, zyrtarët policorë i kanë gjetur dhe konfiskuar marihuanë.

SPB Ohër bën të ditur se të shtunën me datë 30.07.2022 rreth orës 15:15 është raportuar se R.M.(77) nga fshati Pllasnicë- Makedonski Brod është tërhequr nga ujërat e liqenit të Ohrit në plazhin përballë një hoteli në bregun e Ohrit. Pas reanimacionit, personi është konstatuar i vdekur nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore, pa shenja dhune.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button