ANALIZË: “Kolaps” i investimeve kapitale – në gjashtëmujorin e parë ekonomik realizim prej vetëm 23%!

Buxheti i rebalancuar me një sasi të reduktuar të investimeve kapitale do të përmirësojë në mënyrë kozmetike pasqyrën për sa i përket realizimit të investimeve publike – por, të dhënat para miratimit të buxhetit të ri të rishikuar tregojnë se vetëm 23% e investimeve publike të planifikuara janë realizuar në gjysmën e parë të vitit nga shuma totale e planifikuar me buxhetin e parë – kyçe për zhvillimin ekonomik, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Një listë e gjatë e institucioneve me shpenzime kapitale për investime kapitale…

Me rebalancin e buxhetit të këtij viti, Qeveria parashikoi shpenzime kapitale në vlerë prej 520,4 milionë euro, që është 16% më pak në krahasim me buxhetin fillestar, në të cilin ishte parashikuar një shumë më e lartë se 600 milionë euro. Të dhënat për realizimin e investimeve publike për një periudhë gjashtëmujore janë alarmante – janë realizuar vetëm 22,9%. “Portalb”-i publikon se cilat institucione sa para kanë shpenzuar për zhvillim.

Ende ka institucione me realizim minimal, më të ulët se 10%, dhe në to bëjnë pjesë:  Kuvendi , i cili realizoi vetëm 5,2% të buxhetit total prej 1.9 milionë eurosh për investime kapitale, Enti Shtetëror i Revizionit ka realizim prej 9,1%, Agjencia Operative-Teknike me buxhetin për shpenzime kapitale prej 4,1 milionë euro ka realizuar vetëm 4,9%, Sekretariati për Çështje Evropiane prej gati 300.000 eurosh, ka shpenzuar vetëm 2,5%, Prokuroria e Shtetit nga 19 mijë euro të planifikuara ka shpenzuar vetëm 9,9%, Këshilli Inspektues ndonëse kishte gati 1 milion euro në dispozicion, për gjysmë viti ka realizuar vetëm 4,7% të kësaj shume, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës me buxhetin për shpenzime kapitale në vlerë prej 135.000 euro, ka shpenzuar vetëm 1,2%. Në këtë grup me realizim më të ulët se 10% janë edhe: Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, Inspektorati Shtetëror i Punës, ASHAM-i, FSPIM-ja

Por, ka edhe institucione, agjenci që për gjashtë muaj nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë nga shuma e planifikuar për investime publike, pra kanë zero realizim, por shumica janë institucione që kanë pasur në dispozicion shuma më të ulëta për shpenzime kapitale, dhe këtu bëjnë pjesë: Agjencia Për Menaxhimin e Pronave të Konfiskuara, Këshilli për Menaxhim dhe Mbikëqyrje të RevizionitInspektorati Shtetëror për Inspektimin Teknik, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, Inspektorati Shtetëror Komunal, Byroja e Ekspertizës Ligjore, ndërsa Agjencia e Punësimit ka realizuar vetëm 0,9%, kurse Drejtoria e të Ardhurave Publike 0,3% të shumës së planifikuar fillimisht për investime kapitale.

Mbi 70% e mjeteve për investime publike janë shpenzuar nga Qeveria 76,1%, Sekretariati i Legjislacionit ka realizim prej 88,1%, Enti Shtetëror për Pronësinë Industriale ka realizuar 84,3%, Agjencia e Emigracionit 98,1%, Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisjen Lokale 91,4%, Inspektorati Shtetëror i Ndërtimtarisë me një realizim prej 98,3%…

Edhe një pjesë e ministrive “me ritme zvarritëse” të realizimit të investimeve publike…

Analiza e të dhënave për realizimin e investimeve kapitale që janë nën menaxhimin e ministrive tregon se edhe resorët kyç nën të cilat bien projekte të rëndësishme infrastrukturore, për gjysmë viti kanë rezultate alarmante.

Kështu, për shembull, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, e cila me buxhetin fillestar kishte në dispozicion 170 milionë euro, ka shpenzuar vetëm 5,9% të kësaj shume në gjysmën e parë të këtij viti.  Realizim të ulët ka edhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, por ky dikaster me buxhetin fillestar ka pasur në dispozicion një shumë dukshëm më të ulët për investime kapitale prej vetëm 336.000 euro.

Ministria e Bujqësisë, për të cilën fillimisht ishin planifikuar 9,2 milionë euro, për gjysmë viti ka shpenzuar 37,5%. Një realizim më të ulët prej vetëm 12,7% ka Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Arsimit me 19,4%, ndërsa Ministria e Shëndetësisë me buxhet zhvillimor prej 20,1 milionë euro ka shpenzuar 12,7%.

Realizimi i investimeve kapitale (janar-qershor)
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale 4,3%
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve 5,9%
Ministria e Kulturës 9,0%
Ministria e Mbrojtjes 9,1%
MPJ 11,9%
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale 12,7%
Ministria e Shëndetësisë 12,7%
Ministria e Mjedisit Jetësor 13,8%
Ministria e Arsimit 19,4%
MSHIA 19,9%
Ministria e Bujqësisë 37,5%
MPB 42,7%
MF – funksionet e shtetit 53,6%
Ministria e Ekonomisë 76,2%
Në fund të korrikut realizimi i investimeve kapitale ishte pak mbi 30%.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button