U hapën pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak, raporton REL.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë larguar të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

Sipas tij, situata është aktualisht e qetë.

17:10 – U larguan barrikadat për ta shtyrë reciprocitetin

Është larguar edhe kamioni që ndodhej mbi urën afër pikëkalimit kufitar në Bërnjak, i vendosur nga serbët për ta bllokuar atë pjesë.Qarkullimi i veturave tashmë ka nisur mbi urë, ndonëse me vështirësi për shkak të një ekskavatori i cili ende nuk po mund të largohet.Në rrugë po qëndrojnë edhe njësitë e Policisë së Kosovës të cilët po përkujdesen për rendin.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i përgatitur për të intervenuar nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës. KFOR-i i ka bërë këto deklarata të dielën pasi serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat janë krijuar një ditë para nisjes së zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”.

Ky mision ka thënë se do të marrë çfarëdo mase që është e nevojshme për të mbajtur ambientin në Kosovë të sigurt në çdo kohë.

Pak para mesnatës, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve

Vendimet për targat dhe dokumentet serbe

Qeveria e Kosovës pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator.

15:25-KFOR i gatshëm të ndërmarrë masa të nevojshme për sigurinë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës. Monitorimi, sipas një postimi në Twitter, po bëhet së bashku me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtare.

“Sipas mandatit të OKB-së, KFOR-i vazhdon të jetë i përkushtuar për sigurinë, i gatshëm të ndërmarrë masa të nevojshme për ta mbajtur të sigurt Kosovën”.

Më 31 korrik, NATO deklaroi se forcat e saj në Kosovë janë të përgatitura të ndërhyjnë në Kosovë, nëse do të rrezikohej stabiliteti në veri të vendit.

14:51 Dodik: Serbia ka të drejtë të mbrojë sigurinë e serbëve në Kosovë

“Lëvizjet e njëanshme dhe të papërgjegjshme të Albin Kurtit kërcënuan sigurinë e serbëve në Kosovë. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Serbia ka të drejtë të mbrojë sigurinë e serbëve në Kosovë”, tha Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe lider i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur.

Dodik deklaroi në Twitter se “ne në Republika Sërpska mbështesim plotësisht dhe fuqishëm udhëheqjen e Serbisë në përpjekjet e saj për uljen e tensioneve dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore përmes dialogut dhe në këtë mënyrë për të mbrojtur të drejtat e popullit serb”.

Sipas Dodik, “është plotësisht e qartë se të drejtat e serbëve në Kosovë dhe Metohi, si dhe të drejtat tona në Republika Sërpska shkelen nën presionin politik, dhe se komuniteti ndërkombëtar ende zbaton standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për serbët”.

“E gjithë kjo është njësoj si në të kaluarën, por ajo që është e ndryshme është se ‘stuhitë’ nuk do t’u ndodhin më askund serbëve”, ka përfunduar Dodik.

14:43 Begaj: U shmang një provokim i rëndë për stabilitetin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, për situatën në veri të Kosovës.

Begaj, sipas një njoftimi për media, e ka cilësuar si të matur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shtyrë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Ai tha se me këtë u shmang një “provokim i rëndë për stabilitetin e Kosovës”.

“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Begaj njofton Presidenca shqiptare.

14:19- Rama: Vuçiq të mos ushqejë me justifikim grupet në veri të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur aspak të arsyeshëm përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, derisa i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, “të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi grupe të caktuara në veriun e Kosovës”.

Gjatë një konference për media me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, i cili po qëndron në Tiranë në kuadër të turneut në rajon, Rama tha se Qeveria e Kosovës “ka të drejtën dhe detyrën për të ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit”.

“Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd dhe presidentit serb që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe me asnjë lloj alibie grupe të caktuara në veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, tha Rama.

Reagimi i Ramës erdhi pas një dite përshkallëzimit të tensioneve në Kosovë, ku vendimi i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar reciprocitet me Serbinë për targat e veturave dhe dokumentet e udhëtimit për qytetarët serbë u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët vendosën barrikada në pjesën veriore të Kosovës.

Dy pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – u mbyllën përkohësisht për shkak të tensioneve.

Të shqetësuar për një përshkallëzim, me kërkesën e Shteteve të Bashkuara, Qeveria e Kosovës u pajtua që ta shtyjë zbatimin e dy vendimeve deri më 1 shtator, por vetëm pasi të hiqen të gjitha barrikadat.

Ndërkohë, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës sepse shpallja e saj, sipas tij, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Ne mendojmë që është një deklaratë e njëanshme për pavarësi, ky është mendimi, ky është opinioni i Qeverisë spanjolle, me gjithë respektin që kam për opinionin e Qeverisë shqiptare. Ne mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare”, tha Sanchez.

“Nuk mund te jemi në favor të këtij pranimi, me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar”, shtoi Sanchez.

Kryeministri spanjoll se ky qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës, “nuk do të thotë që nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar ndaj BE-së”.

Spanja është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian dhe katër shtetet e NATO-s që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

Së bashku me Rumaninë, Greqinë, Sllovakinë dhe Qipron këto shtete e mohojnë shtetësinë e Kosovës duke u thirrur në të drejtën ndërkombëtare ndërkohë që ballafaqohen me lëvizje separatiste brenda shteteve të tyre, apo kanë marrëdhënie tradicionale me Serbinë.

Mosnjohja nga vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së paraqet pengesën kryesore për Kosovën për integrime në këto dy organizata ku vendimet për zgjerim merren me konsensusin e të gjithë anëtarëve.

13: 25 Largohen barrikadat edhe në Zupç

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, të cilët gjenden në Zupç të Zubin Potokut, raportojnë se edhe në këtë fshat në veri të Kosovës ka filluar tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada nga serbët lokalë.

Fshati Zupç gjendet në afërsi të magjistrales Mitrovicë – Bërnjak.

13:22 -Kurti: Presim që barrikadat të hiqen gjatë ditës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në veri të Kosovës, siç tha “me njerëz të armatosur”, që mbrëmë sipas tij kanë ndaluar qytetarët dhe kanë shtënë me armë zjarri.

Gjatë një konference për media, Kurti tha më 1 gusht se strukturat ilegale serbe në Kosovë po bëhen më agresive.

“Janë gjithsej nëntë barrikada. Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen të gjitha”, tha Kurti. Ai shtoi se barrikadat do të konsiderohen se janë larguar, vetëm kur të hiqen të gjitha.

Kurti tha se Qeveria përsërit zotimin se kur të hiqen të gjitha barrikadat, do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të ekzekutimit për targat dhe dokumentet serbe.

Ai falënderoi ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, për kontributin e tij në uljen e tensioneve.

Hovenier ishte takuar me liderët e Kosovës mbrëmjen e së dielës, duke iu kërkuar që të shtyjnë zbatimin e vendimeve për dokumentet dhe targat serbe.

Këto dy vendime nxitën pakënaqësi te serbët lokalë të cilët bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Kurti tha se këto dy pikëkalime ende janë të mbyllura sepse “ende mbeten të bllokuara rrugët që shpien atje”.

12:57 – Sveçla: Deri në mesditë u lëshuan mbi një mijë dokumente

Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës nga orët e para të 1 gushtit dhe deri në mesditë, janë lëshuar mbi 1 mijë e 500 dokumente hyrëse për qytetarët me shtetësi serbe.

Kështu ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka bërë të ditur se dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Sipas të dhënave të MPB-së, shumica e dokumenteve janë lëshuar në pikëkalimin kufitar në Dheun e Bardhë dhe në Merdare.

Sipas Qeverisë së Kosovës, vendimi për reciprocitet do të qëndrojë në fuqi deri në largimin e plotë të barrikadave në drejtim të Jarinjes dhe Bërnjakut.

12:49 – PDK: Qeveria nuk e planifikoi mirë vendimin për reciprocitet

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, në një konferencë për media kritikoi veprimet e Qeverisë së Kosovës sa i përket vendosjes së reciprocitetit me Serbinë lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Çitaku tha se “vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë”.

Duke iu referuar vendimit të mëvonshëm të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit, Çitaku tha se Qeveria është treguar joserioze.

“Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë po krijon një përshtypje që veriu është i pamenaxhueshëm dhe situata atje është jashtë kontrollit të shtetit”, theksoi Çitaku.

Ajo, gjithashtu, tha se është e rëndësishme që Qeveria të shpjegojë se çfarë do të ndodhë tash e tutje.

12:40 – Vulin: SHBA-ja të bindë Kosovën për një zgjidhje

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar më 1 gusht se “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, teksa ka komentuar bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Vulin ka porositur serbët në Kosovë se “nuk duhet t’i besojnë Prishtinës dhe duhet t’i besojnë Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Ai ka thënë se nuk pret asgjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e të cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Unë pres që Shtetet e Bashkuara, që kanë treguar se kanë ndikim të madh në Kosovë, të vazhdojnë ta përdorin këtë ndikim për të mirë… të vazhdojnë ta përdorin ndikimin për ta bindur [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin që të arrijë një zgjidhje. Në thelb, kjo nuk është çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, por është një çështje mes Beogradit e BE-së dhe shteteve që kanë ndikim në Kosovë.”, ka thënë Vulin.

12:34 – “BE-ja po ndjek me ‘shqetësim’ ngjarjet në Kosovë”

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian(BE), Peter Stano, konfirmoi se institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë.

Ai konfirmoi se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut.

“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.

11:53 – Kurti dhe Vuçiqi ftohen në Bruksel për vazhdimin e dialogut

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet në bllokun evropian.

Kurti dhe Vuçiq kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.

Burimet në Bruksel tërheqin vërejtjen se tensionet janë pasoja e drejtëpërdrejt e mungesës së vullentit të liderëve për t’u ulur dhe për të vazhduar dialogun.

11:10Nis heqja e barrikadave në Rudarë

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë të cilët gjenden në Rudarë, kanë njoftuar se ka filluar tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada në rrugët në veri të Kosovës.

Fshati Rudarë gjendet rreth pesë kilometra nga Mitrovica. Nëpër të kalon magjistralja për në Jarinjë.

11:00Policia e Kosovës konfirmon se pati lëndime të qytetarëve në veri

Policia e Kosovës ka thënë më 1 gusht se gjatë mbrëmjes të së dielës janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë, të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë, “janë ndaluar dhe maltretuar”.

Sipas Policisë, këtyre qytetarëve u janë shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në automjetet e tyre.

Policia ka konfirmuar, po ashtu, se më 31 korrik pas bllokimit të rrugëve në veri, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore.

“Si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, nuk është raportuar për ndonjë të lënduar nga radhët e pjesëtarëve të Policisë.

10:40 – Bllokadat në veri nëpërmjet fotografive

Këto fotografi janë bërë mëngjesin e 1 gushtit dhe tregojnë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës që për të dytën ditë po vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

10:11 – Në pikat kufitare me Serbinë, pritje dhe kolona më të gjata

Në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, pritjet e qytetarëve për hyrje dhe dalje vazhdojnë të zgjasin deri në tre orë.

Në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar raportohet se në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, qytetarët që hyjnë në Kosovë po presin deri në 60 minuta, kurse për të dalë nga Kosova deri në 180 minuta.

Kolona e automjeteve për të hyrë në Kosovë në këtë pikë është 250 metra e gjatë, ndërsa në dalje 1000 metra.

Në pikën tjetër kufitare te Dheu i Bardhë, pritjet për hyrje zgjasin deri në 90 minuta dhe pesë minuta për dalje.

Pritjet janë dukshëm më të shkurta në pikat tjera kufitare midis Kosovës dhe shteteve tjera fqinje, si me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në pikat kufitare të Kosovës, zakonisht gjatë sezonit të verës, vazhdojnë pritjet e gjata të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit dhe vijnë në Kosovë, si dhe të atyre që dalin nga Kosova.

Kurse, pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë mbyllur për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve, për shkak të bllokadave të vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Policia i ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative.

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atij për ndryshimin e targave serbe, kur të largohen bllokadat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button