Studenti: Mes mjerimit dhe rebelimit

“…kritika e spektaklit është parakushti themelor i çdo kritike”.

M. Khayati

Në fillim të muajit korrik (3-7), si pjesë e një projekti ndërkombëtar në kuadër të Erasmus+, qëndruam në Novi Sad, në Shkollën e Lartë të Studimeve Profesionale, ku u realizuan sesione të frytshme lidhur me realizimin e një programi të ri studimor të nivelit master. Para se të niseshim, si zakonisht me vete morëm edhe një libër, të blerë para dy muajsh në Shkodër, me të cilin do të relaksoheshim gjatë kohës së lirë: Mustapha Khayati, Mbi mjerimin e jetës studentore, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2022. Autori, tunizian, një aktivist politik dhe historian i kulturës. Anëtar i “Situacionizmit Ndërkombëtar”, një organizatë e revolucionarizmit social, që funksionoi mes viteve 1957-1972. “SN” (L’Internationale Situattioniste), ku ishin aktivizuar artistë, intelektualë, teoricienë politikë të avangardës, në rrafshin e kulturës kërkonte eliminimin e ndarjes mes artistëve dhe konsumatorëve, shndërrimin e prodhimit kulturor në pjesë të jetës së përditshme. Ky pamflet,  që u botua në vitin 1966, në fillim në 10 mijë kopje, e më pas përjetoi një dyzinë botimesh në shtypëshkronja të udhëhequra nga punëtorë në Londër, Tokjo, Detroit etj. Ky libërth niset nga thënia e Marksit “filozofët e kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme, ndërsa ne duhet ta ndryshojmë atë”, u shndërrua në tekstin kyç të lëvizjes studentore të protestave në Universitetin e Starzburgut në Francë dhe në shumë vende të tjera të botës.

Mbi mjerimin e jetës studentore që shënon veprimtarinë politiko-intelektuale të pesë studentëve nga Universiteti i Strazburgut (Dedej, 2022) dhe që u bë publik  gjatë ceremonisë së fillmvitit akademik 1966, tronditi opinionin, ndërkohë që autorët e saj u cilësuan si fanatikë, anarkistë, kërcënim për moralin, për  studentët, reputacionin dhe për të ardhmen e rinisë studentore, kurse unioni studentor që kishte akorduar paratë për botim qe mbyllur. Gjithë kjo ndodhi një vit para botimit të kryeveprës filozofike të Guy Debordit, Shoqëria e spektaklit (1967), e cilësuar si “Kapital-i i shekullit XX”, dhe dy vite para okupimit të universiteteve pariziene në maj 1968. Studentët që publikuan këtë vepër açëk dolën kundër kapitalizmit që gjithësecilit i ka caktuar rol të caktuar brenda kuadrit të pasivitetit të përgjithshëm (f. 15), dy parimeve të tij, mallit dhe spektaklit, kritikonin fetishizimin e fakteve, nënshtrimin ndaj kushteve ideologjike të imponuara nga shteti, familja dhe sistemi universitar (Vague, 1997). Sipas Khayati-t, studenti është shndërruar në një pauper, në një qenie të depersonalizuar dhe mjerane që shfrytëzohet qysh nga mosha 16-vjeçare; ai nga institucionet edukative dhe imperializmi trajtohet si një bebe, si i paaftë për të menduar, si individ që ka kaluar në menopauzën e vet mendore. Ai është një tallje e shëmtuar. Në gjendje të varfërisë dhe skllavërisë së të gjithëve ai është një konsumator i lumtur që shpreson ta mëshirojnë si pjesë e petit cadres.

Universiteti liberal borgjez, sipas situacionistëve të mbiquajtur edhe anarkistë, ndërsa ata veten “komunistë anti-shtetërorë”, është sarrafi i ndershëm i teknokracisë dhe kontrollit totalitar të spektaklit, ai riprodhon marrëdhëniet e përgjithshme të shoqërisë klasore (f. 23). Studenti, sipas situacionistëve, lexon shtypin dekorativ, detyra kryesore e të cilit është orkestrimi i “dokrave kulturore”; ai është i politizuar, sinonim i naiveté-s. Ai është një produkt i shoqërisë moderne njësoj si Godard apo Coca Cola dhe tëhuajësimi i tij i skajshëm mund të luftohet vetëm me luftimit e gjithë kësaj shoqërie.

Khayati dhe shokët duan që tek rinia e strehuar në mizerabilizëm dhe bohemizëm, të ngjallin virusin revolucionar për tejkalimin e kësaj shoqërie (f. 33), të kësaj mënyrë “të dhënë” të jetës. Nga ana tjetër, shoqëria e konsumit, sipas tyre, mundohet me të gjitha metodat që të na shpërqendrojë nga çdo mundësi për të marrë pjesë në revoltë dhe të na integrojë totalisht në neokapitalizëm. Pikëpamja situacioniste presupozon se shkatërrimi i kapitalizmit është një çështje reale, një ngjarje në histori, një proces që ka nisur prej kohësh. “Artistët vetëm i kanë interpretuar situatat, kurse e jona është t’i transformojmë ato” – shprehet Khayati.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button