Presidenti Zelenskyy bëri thirrje për evakuime nga Donetsku Lindor

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, bëri thirrje të shtunën për evakuimin e rajonit lindor të Donetskut i cili është përballur me luftimet më të ashpra ndërsa Rusia kërkon ta vendos nën kontroll të plotë, transmeton VoA.

Qindra mijëra njerëz, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, mbeten në zonat e luftës të rajonit të Donbasit, i cili përfshin Donetskun dhe Luhanskun. Ky është rajoni ku të burgosurit ukrainas të luftës u vranë në një sulm me raketa në fillim të kësaj jave.

Presidenti Zelenskyy e bëri njoftimin të shtunën gjatë fjalimit të tij në një fjalim të natës drejtuar kombit.

“Sa më shumë njerëz të largohen nga rajoni i Donetskut tani, aq më pak njerëz ushtria ruse do të ketë kohë për të vrarë”, tha ai, duke shtuar se banorëve që u larguan do t’u ofrohet kompensim, tha ai sipas agjencisë Reuters.

Presidenti Zelenskyy premtoi mbështetje logjistike për të bindur njerëzit të largohen.

“Shumë refuzojnë të largohen, por kjo duhet të ndodh”, tha presidenti Zelenskyy. “Nëse keni mundësi, ju lutemi bisedoni me ata që mbeten ende në zonat e luftimit në Donbas. Ju lutemi bindini ata se është e nevojshme të largohen”.

Më herët të shtunën, Ukraina kërkoi që Rusia të mbahet përgjegjëse për një sulm me raketa që vrau dhjetëra të burgosur ukrainas të luftës në një objekt paraburgimi të drejtuar nga Rusia në Ukrainën lindore.

Qeveria ukrainase të shtunën u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që të hetojnë menjëherë sulmin e së premtes.

Me rritjen e zemërimit ndërkombëtar për sulmin me raketa, Kombet e Bashkuara premtuan mbështetje për të ndihmuar hetimin e sulmit në burg.

“Në lidhje me tragjedinë e fundit në burgun në Olenivka, ne jemi gati të dërgojmë një grup ekspertësh të aftë për të kryer një hetim, duke kërkuar pëlqimin e palëve”, tha Farhan Haq, zëvendës zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në një deklaratë të lëshuar të shtunën.

Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulmin. Asnjë pretendim nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Deri më tani, asnjë organizate ndërkombëtare të ndihmës nuk i është dhënë qasje në vendin e bombarduar. Kryqi i Kuq kërkoi qasje për të ndihmuar në evakuimin e të plagosurve.

Në një deklaratë të dielën, Rusia tha se ka ftuar ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq për të hetuar vdekjet në burg, sipas agjencisë Reuters.

Deklarata nga ministria e Mbrojtjes tha se po vepronte “në interes të kryerjes së një hetimi objektiv” në atë që e quajti një sulm në burg në fillim të javës.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 40 të burgosur u vranë dhe 75 u plagosën në ndërtesën e paraburgimit të vendosur në rajonin e Donetskut të pushtuar nga Rusia. Moska këmbëngul se Ukraina përdori armë të prodhuara nga Amerika për të qëlluar burgun për të parandaluar që luftëtarët e saj të dorëzoheshin te forcat ruse.

Forcat e armatosura të Ukrainës kundërshtuan pretendimin dhe thanë se artileria ruse qëlloi kampin e burgut për të fshehur keqtrajtimin e të burgosurve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quajti sulmin një krim lufte të qëllimshëm rus dhe një vrasje masive të të burgosurve ukrainas të luftës.

Ushtria ukrainase po përpiqet të kthejë trupat e të vrarëve, por Rusia ka publikuar vetëm emrat e të vdekurve.

Ndërkohë, luftimet vazhduan pasi ushtria e Ukrainës pretendoi se forcat e saj vranë më shumë se 100 ushtarë rusë në zonën jugore të Khersonit. Zyrtarët ushtarakë të shtunën thanë se forcat e tyre bombarduan urat brenda territoreve të kontrolluara nga Rusia.

Rusia njoftoi të shtunën se forcat e saj vranë më shumë se 130 ushtarë elitë ukrainas në bordin e një treni në rajonin e Donbasit javën e kaluar dhe po përparonin në vende të tjera në fushën e betejës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button