fbpx

Ushqimi i subvencionuar i studentëve – masë financiare që nuk përdorej vetëm për të blerë ushqime të shëndetshme

Këtë muaj përfundoi edhe pagesa e fundit për vaktin e subvencionuar të studentëve – masë financiare me të cilën, nga viti i kaluar akademik, shteti e ka pasuruar buxhetin e studentëve dhe që, siç njoftuan autoritetet, synon të përmirësojë standardin e studentëve dhe t’u ndihmojë atyre të mbulojnë shpenzimet e ushqimit, transmeton Meta.mk.

Me këtë masë studentët pranonin mbështetje financiare në shumë prej 120 denarë, për çdo ditë pune, përkatësisht rreth 2400 denarë në muaj, gjatë nëntë muajve të vitit – mjete të destinuara për blerjen e ushqimeve të shëndetshme.

Por, siç tregoi edhe situata më vonë, pandemia “i turbulloi” planet për përdorimin e këtyre fondeve, ndaj për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve dhe heqjes së kufizimeve se ku mund të paguhet gjithçka, studentët i përdorën paratë në vend të ushqimit, për qëllime të tjera. Në fund të ditës, fondet nga vakti i subvencionuar i studentëve ishin më se të mirëseardhura në buxhetin modest të studentëve në kohë krize.

Ndonëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) kishte parashikuar 40.000 studentë – përfitues të kësaj mase, në vitin akademik 2021/22, ushqim i subvencionuar u miratua për 27.000 studentë. Të drejtën e përdorimit të kësaj mase e kishin të gjithë studentët e rregullt në studime deri-diplomike, të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë shtetëror dhe privat në vend.

Ushqimin e subvencionuar për studentët vitin e kaluar e shënuan disa momente. Ndonëse zgjidhja ligjore, që u miratua fillimisht, parashikonte që këto mjete të përdoreshin ekskluzivisht në objekte hotelierike, ndryshimi bëri të mundur që studentët të paguanin te çdo tregtar, me rekomandim që mjetet të përdoreshin për blerje të ushqimeve. Ky vendim, siç sqaruan nga MASH në atë kohë, ishte marrë për shkak të situatës me pandeminë, pasi ishte e paqartë nëse dhe në çfarë mënyre do të funksiononin objektet hotelierike për shkak të masave kufizuese, prandaj studentëve iu lejua të sigurojnë “ushqimet” e tyre nga çdo dyqan ose treg.

Studentët përfituan nga heqja e kufizimeve për përdorimin e fondeve shtetërore, ndaj pranuan se me paratë e destinuara për ushqime të shëndetshme kishin paguar fatura, kishin blerë rroba apo produkte të tjera.

Kur filloi të aplikohet kjo masë, dolën në dritë problemet e sistemit elektronik “e-service” të MASH, ndaj studentët u ankuan se aplikimet e tyre ishin refuzuar pa arsye, kurse në një moment MASH “gabimisht” u dërgoi një njoftim qindra nxënësve se vakti i subvencionuar ishte anuluar për ta, prandaj studentët reaguan në rrjetet sociale për këtë.

Disa ditë më vonë, më shumë studentë kishin pranuar, nga Ministria e Arsimit, edhe paralajmërime para padisë me të cilat u kishin kërkuar që t’i kthenin paratë që ishin paguar gabimisht për ushqimin e subvencionuar të studentëve.

Ndonëse ishte paralajmëruar se fondet do të kalojnë në llogaritë e transaksioneve të studentëve çdo ditën të parë të punës të muajit, pagesa shpesh vonohej, kurse më së shumti u vonua kësti i e fundit, që studentët e pranuan vetëm në datën 15 të muajit.

Edhe pse ishte paralajmëruar se me këto subvencione studentët duhet të blejnë ushqime të shëndetshme, rritja e çmimeve të produkteve në vitin e kaluar tregoi se megjithatë sa kjo masë nuk do të mund ta përmbushë qëllimin.

Me këtë pajtohet edhe Eva Cvetkovska, kryetare e Parlamentit Studentor Universitar të UKIM-së, e cila në intervistë për “Meta.mk” tha se shuma e kësaj ndihme financiare është shumë e vogël.

“120 denarë në ditë për një vakt në kushtet në të cilat jetojmë aktualisht janë shumë pak, sidomos nëse institucionet duan të na inkurajojnë që të blejmë ushqim të shëndetshëm. Duke marrë parasysh se një sallatë kushton së paku 250 deri në 300 denarë, me 120 denarë mund të blejmë vetëm një byrek, që sipas standardeve nuk është edhe aq i shëndetshëm. Shpresoj se gjeneratat e ardhshme do të luftojnë për rritjen e këtij buxheti”, tha Cvetkovska.

Propozimi për rritjen e shumës së ushqimit të studentëve për 30 denarë, gjegjësisht në 150 denarë në ditë, para disa muajsh doli edhe në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin në fund deputetët nuk e votuan.

“Meta.mk” i dërgoi pyetje Ministrisë së Arsimit, nëse nga viti i ardhshëm akademik mund të pritet rritje e shumës për ushqim të subvencionuar të studentëve, si dhe nëse do të bëhen ndryshime në mënyrën e shfrytëzimit të këtyre mjeteve.

Në përgjigjen e shkurtër, nga MASH thonë se aktualisht nuk ka plane për ndryshimin e ligjit që rregullon realizimin e kësaj të drejte dhe shtojnë se, publiku do të njoftohet me kohë, nëse do të ketë iniciativë të tillë në të ardhmen,

Thirrja e re për realizimin e të drejtës së ushqimit të subvencionuar të studentëve për vitin e ardhshëm akademik pritet të shpallet gjatë muajit të ardhshëm. Studentët aplikojnë për këtë masë në mënyrë elektronike, duke bashkangjitur disa dokumente.

Ndihma financiare për studentët paguhet në periudhën nga 15 shtatori deri më 30 qershor dhe për këtë qëllim MASH ka siguruar rreth 15 milionë euro në vit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button