Rehabilitimi diplomatik i MBS-së në arenën ndërkombëtare

Princi trashëgimtar i kurorës në Arabinë Saudite, Muhammed bin Selman (MBS), po qëndron me delegacionin e tij mbretëror në rezidencën e tij private pranë Parisit, ku edhe po përmbyll turin e vizitave të tij në Evropë. Tema kryesore e agjendës mes presidentit Macron dhe Princit Muhammed bin Selman ishte energjia dhe kriza e saj që veç më ka kapluar botën. Bisedë kjo, e konsideruar si një rehabilitim diplomatik i liderit de facto të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Princi saudit qëndron në Francë në pronën private më të kushtueshme në botë, të cilën ai e ka blerë para shtatë vjetësh për 275 milion euro përmes një rrjeti kompanish. Mbreti i ardhshëm i shtetit më të pasur të Gjirit Persik, që de facto është sundimtar që tani, në ndalesën e parë të vizitës në Greqi u tregua zemërgjerë. Përmes një kabulli të ri nënujor për elektricitet, Greqia dhe Evropa Juglindore do të marrin energji të rigjenerueshme me çmim shumë më të ulët. Kjo, duke pasur parasysh se bashkëpunimi në sektorin e energjisë është natyrisht i mirëpritur në krizën aktuale në Evropë.

Ky është udhëtimi i parë në Bashkimin Evropian i Princit të Kurorës që nga tetori i vitit 2018 kur në konsullatën saudite në Stamboll u vra gazetari Xhemal Kashogi (Jamal Khashoggi). Shërbimet sekrete amerikane kanë raportuar se vrasja në Turqi është bërë me miratimin e tij dhe që nga ajo kohë, në shumë vende perëndimore princi konsiderohej si një i përjashtuar politikisht.

Por, gjërat ndryshuan vitin e kaluar kur u bë e qartë se furnizimet ruse me naftë dhe me gaz nuk janë më të sigurta dhe duhej t‘u kushtohej më shumë rëndësi shteteve të pasura me energji dhe pasuri natyrore në Lindjen e Mesme. Shikuar nga ky kontekst, edhe Bashkimi Evropian është hapur për Princin e Kurorës dhe sundimtarin de facto të Arabisë Saudite. Ekspedita e Princit të Kurorës në Evropë nuk është fillimi, por më shumë finalizimi i riintegrimit në diplomacinë ndërkombëtare.

Kujtojmë se ditë më parë, presidenti amerikan Joe Biden vizitoi shtëpinë mbretërore saudite i cili duket se ka nevojë për Arabinë Saudite si kundërpeshë strategjike ndaj Iranit në rajon. Franca nuk është një stacion i rastësishëm. Sauditët janë klientë të prodhuesve francezë të armëve si dhe blejnë centrale bërthamore franceze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button