PËR ROBËRINË DHE LIRINË E NJERIUT

Për robin, robëruesin dhe njeriun e lirë janë shkruar libra të shumtë dijetarësh në të katër anët e botës, po ne sot do të ndalemi tek disa pikëpamje të filozofit të famshëm egzistencialist Nikollaj Bergjajevit (1874-1948), të përzënë nga atdheu i tij Rusia për shkak të shkrimeve që sfidojnë mendësinë moniste, despotizmin dhe tiraninë. Ai, si rrallë ndonjë tjetër, shkroi për krizën shpirtërore të inteligjencies, filozofinë e lirisë, fatin e njeriut në botën moderne, filozofinë e pabarazisë etj.

Sipas Bergjajevit, njeriu është qenie kontradiktore përherë në konflikt me vetveten. Ai gjakon lirinë, por lehtësisht bëhet rob, madje e pëlqen robërinë, sepse është qenie e tjetërsueshme. Pra njeriu mund të jetë padron, rob ose qenie i lirë. Në fakt, padroni dhe robi nuk mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin. Padroni pandeh se tjetri ekziston për shkak të tij, kurse robi mendon se ekziston për shkak të padronit. Njeriu i lirë është i vetëdijshëm se secili ekzoston për vetveten. Liria e njeriut është obligim, përmbushje e misionit, realizim i idesë së Zotit. Njeriu është i obliguar të jetë i lirë. Ai nuk guxon të jetë rob, sepse është i obliguar të jetë njeri që e dëgjon zërin e brendshëm dhe që nuk bëhet konformist pa dinjitet.

Njeriu nuk është i detyruar të bëhet padron, sepse robërimi i tjetrit është robërim i vetvetes. Jo rastësisht Platoni thoshte se tiranët janë robër. Padroni është i determinuar nga jashtë. Ai, njësoj si robi, nuk e ka personalitetin e njeriut të lirë. Prometejët janë të lirë dhe çlirues, diktatorët robër dhe robërues. Të tillë i bën tundimi i pëpërballueshëm për të qenë të pushtetshëm, prirja e pasosur patologjike pët të robëruar të tjerët, kënaqësia e ngjitjes lart nga të robëruarit…, pa u vajtur mendja tek e vërteta se robërit, njësoj si turmat, i rrëzojnë gjithë padronët dhe Cezarët.

Shtytja për t’u bërë tiran është e përgjithmonshme. Njeriun nuk e bën tiran vetëm urrejtja, por edhe dashuria që shfaqet në formë të vuajtjes së tmerrshme. Xhelozi është robërues që jeton në botën e fiksioneve dhe halucinacioneve. Njeriu është tiran i vetvetes. Për shkak të ndjenjës së fajit, ai e terrorizon dhe robëron veten me të njëjtën forcë me të cilën e terrorizon dhe robëron tjetrin.

Njeriu mund të jetë rob i zakoneve, rob i karakterit, rob i bindjeve të imponuara nga shoqëria, rob i dhunës së medieve, rob i parave prej të cilave varet cilësia e jetës… Ai është rob, sepse robëria është më e kollajshme se liria. Rob është edhe prijësi i turmave, i cili nuk mund të ekzistojë pa ta. Në fakt tirani është produkt i turmave që frikësohen prej tij.

Robërimet më çnjerëzore janë pjellë e mendësisë moniste. Monizmi mohon personalitetin dhe lirinë. Në këso doktrinash i lirë është vetëm ai që nuk lejon ta udhëheqin të tjerët, që nuk e pranon tjetërsimin, që ruan ndërgjegjen dhe gjykimet personale.

Robërimit i jep krah njeriu primitiv që vazhdon të jetojë brenda njeriut bashkëkohor. Të tillët jetojnë nën pushtetin e frikës, janë robër të së shkuarës dhe frymës së paraardhësve. Njeriu i lirë nuk i nënshtrohet pushtetit të miteve, nga i cili s’është imun as njeriu i qytetërimit modern. Kështu, gjithë ata që u nënshtrohen miteve për realitetin universal, për mbretërinë e “përgjithshme”, së cilës njeriu duhet t’i nënshtrohet patjetër, janë robër, sepse nuk ekzistojnë realitete të përgjithshme universale.

Njeriu gjithmonë përcjell tek të tjerët valët e jetës ose valët e vdekjes. Urrejtja është përherë valë e vdekjes, energji që mposht tjetrin dhe synon robërimin e tjetrit. Këtë më tmerrësisht se kushdo tjetër e praktikojnë robërit që bëhet padronë. Shumë më tmerrësisht se aristokratët e rritur në mirëqenie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button